Prishtinë, 21 shkurt 2019
Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës u bë promovimi i kompletit të veprës “Islami nëpërmjet haditheve 1-7”, projekt ky i iniciuar, përgatitur e redaktuar nga studiuesit më të njohur të shkencës së hadithit të DIJANET-it të Republikës së Turqisë. Në këtë eveniment kulturor mori pjesë myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ambasadori i Turqisë në Kosovës, Çaĝri Sakar, atasheu për çështje fetare në Ambasadën turke në Prishtinë, z. Nevzat Sabri Arkin, personalitete të jetës kulturore, politike, profesor, imamë dhe nëpunës të Bashkësisë Islame,pedagogë, nxënës e student.
Një fjalë rasti për ta përshendetur këtë ngjarje kulturore e mbajti kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim ef. Tërnava i cili mes tjerash theksoi se Veprën të cilën po e promovojmë sot, fillimisht është menduar që t’u shërbej lexuesve dhe besimtarëve turqisht folës, mirëpo, kur u pa se kjo vepër u prit shumë mirë, u vlerësua nga kritika dhe pati jehonë dhe prezantim të suksesshëm në Turqi, DIJANETI, në bashkëpunim me bashkësitë fetare të rajonit, pra edhe me Bashkësinë Islame të Kosovës, vendosi që ta përkthej dhe ta botoj edhe në gjuhën shqipe, duke i ofruar kështu lexuesit shqiptar, e mbi të gjitha studiuesve, pastaj imamëve e studentëve tanë një vepër kapitale dhe vëllimore nga fusha e hadithit.S’ka dyshim se botimi i kësaj vepre për literaturën islame në gjuhën shqipe ka një domethënie të veçantë, sepse pas botimit të përkthimeve të Kuranit dhe “Sahihul Buhariut” në shqip, lirisht mund të thuhet se disiplinat islame tek ne nuk kanë realizuar ndonjë vepër të përmasave të tilla, e aq më pakë nga fusha e hadithit. Më lejon të theksoj edhe këtë se bashkëpunimi ynë me Dijanetin e Turqisë është i shumanshëm dhe në disa fusha, ku kemi realizuar një sërë projektesh madhore, në mesin e tyre pa dyshim bënë pjesë edhe botimi i veprës “Islami përmes haditheve” të cilën po e promovojmë sot.
[srizonfbalbum id=17]Ai më tutje theksoi se duke i pasur parasysh gjithë këto, dhe sigurisht për shkak të metodologjisë së ndjekur dhe përmbajtjes së saj të bollshme e vëllimore dhe shumë të rëndësishme, kjo vepër duhet të jetë pjesë e pandashme e bibliotekave të hoxhallarëve tanë dhe sidomos duhet të bëhet pjesë e literaturës së detyrueshme në medresetë dhe fakultetin tonë islam.
Për këtë do të kujdesit dhe do të angazhohet Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, e cila të gjitha Këshillat e saj e përmes tyre edhe imamët në nivel vendi, Medresenë dhe Fakultetin e Studimeve Islame, do t’i pajisë me veprën madhore “Islami përmes hadhitheve”.
Në fjalën e tij, Ambasadori i Turqisë në Kosovës, Çagri Sakar theksoi se Turqia dhe Kosova kanë një bashkëpunim shumë të mirë në fusha të ndryshëm si të arsimit, industrisë, tregtisë, ushtarake, kulturore apo edhe ekonomike dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tej në të mirë të dy vendeve. Ai shprehu falënderim për Dijanetin e Turqisë dhe BIRK-un, si dhe të gjithë ata persona që kanë kontribuar dhe punuar në këtë vepër kaq të rëndësishme. Kosova si shtet më i ri në botë karakterizohet me bashkëjetesë me shumë kulturave, etnive dhe feve, është bërë nikoqire e një pasurie të veçantë. Kjo ka një rëndësi të veçantë qoftë nga përforcimi i kulturës në bashkëjetesë qoftë mësimi apo marrja e njohurive fetare të rinisë nga një edukim i shëndoshë nga institucionet përgjegjëse dhe nga burimet e sakta dhe të shëndosha. Në të kundërtën mund të vërtetohet se rinia mund të infiltrohet nga rryma të ndryshme të lajthitura dhe qëllimkëqija, dhe shpresoj që të gjithë punonjësit fetarë të përfitojnë nga kjo vepër.
Në emër të nënkryetarit të Dijanetit foli atasheu për çështje fetare në Ambasadën turke në Prishtinë, z. Nevzat Sabri Arkin i cili përcolli përshëndetjet e nënkryetarit të Dijanet-it i cili nuk pati mundësi që të jetë pjesë e këtij promovimi. Ai çmoi kontributin shumë të ngushtë dhe të sinqertë mes DIYANET-it dhe BIRK-ut duke premtuar se këto marrëdhënie edhe më do të zhvillohet në të mirë të dy popujve. Ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar si përkthyesit, botuesit, bartësit dhe ata që do ta shpërndajnë këtë vepër dhe shpresoj se këto mësime nga imamët do të transmetohet tek xhemati.
Kurse fjalë promovuese mbajti kryeimami i Kosovës, prof. Sabri ef. Bajgoa i cili tha se kjo është vepër kapitale e një rëndësie të veçantë për studiuesit dhe imamët. Ai theksoi se Pas Kuranit i cili është bazament i çdo shkence dhe njohurie fetare, suneti i Muhamedit a.s. i cili përfshinë thëniet veprat dhe pëlqimet e të Dërguarit a.s. është baza e dytë në të cilën mbështetemi për të sqaruar e shtjelluar çështjet e fesë sonë islame. Pa sunetin e Muhamedit a.s. vështirë se do të arrinim të depërtonin në kuptimet shumë dimensionale të Kuranit fisnik andaj pikërisht duke iu referuar këtij parimi , dijetarët musliman me zellin, dashurinë dhe seriozitetin më të madh u janë qasur studimeve shumë disiplinare të shkencave të të hadithit duke na ofruar materie të bollshëm dhe studimore të kësaj fushe për të pasur një perceptim sa me real rreth tyre. Andaj në vazhdën e këtyre përpjekjeve fisnike për ta përçuar tutje mesazhin e thesarit profetik është edhe vepra që sot ne po e promovojmë “Islami nëpërmjet haditheve” e përkthyer në gjuhën shqipe., e cila është e veçantë për nga aspekti I përfshirjes, infrastrukturës, përmbajtjes, dhe metodologjisë së ndjekur gjatë përpilimit të saj. Hadithet e sjella në këtë vepër kapin fusha të ndryshme ndërkohë që edhe komente e tyre janë përvijuar në një gjuhë të rëndomtë dhe të kuptueshme për njeriun e kësaj kohe duke marrë parasysh problemet dhe nevojat e shoqërisë islame në përgjithësi por në periudhat bashkëkohore në veçanti. “Vepra në fjalë i dedikohet shtresës së mesme të lexuesve dhe si rrjedhojë nuk është shtjelluar në problemet e ndërlikuara të shkencës së hadithit. Kjo vepër përbehet nga hyrja, në të cilën janë shtjelluar në hollësi termet hadith, sunnet, pastaj historiku i shkencave të hadithit. Në parathënie është folur edhe për sahabet e njohur që regjistronin hadithe të Muhamedit a.s., me lejen dhe pëlqimin e tij. Një pjesë e merituar iu është përkushtuar epokës së artë të hadithit dhe librave të parë në këtë sferë në shek.. e III pas hixhretit”-theksoi kryeimami Bajgora.