Mitrovicë, 20 qershor 2014
Të premten, para namazit të xhumasë në Mitrovicë, me manifestim solemn u bë përurimi i xhamisë madhështore “Bajram Pasha-Isa Beg”, e ndërtuar vetëm për 16 muaj në themelet e Xhamisë “Isa Beg” apo si ka qenë e njohur “Xhamia e Zallit”. Ndërtimi i xhamisë është financuar nga  Komuna e Bajram Pashës nga Stambolli me të cilën është vëllazëruar prej kohësh Mitrovica.

Përurimi i xhamisë, në Mitrovicë tuboi një numër të konsiderueshëm të personaliteteve të larta shtetërorë e fetare nga Turqia e Kosova, si dhe shumë të ftuar nga trojet tona. Këtu qenë të pranishëm, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Mehmet Myjezinogllu, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Mahir Jakgjillar, kryetari i DIANET-it, prof. dr. Mehmet Gyrmez, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, ambasadorja e Turqisë në Kosovës, Songyl Ozan, Kryetari i komunës Bajram Pasha të Stambollit, Atila Ajdener, kryetari i Mitrovicës, Agim Baftiri, ish-kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati e shumë të tjerë si dhe deputetë nga Parlamentet e dy vendeve. 
Kryetari i BI të Mitrovicës, Jetish Berisha, e vlerësoi lartë kontributin e vëllezërve turq për ndërtimin e xhamisë “Isa Beg” në qendër të Mitrovicës. Në ceremoninë e përurimin morën pjesë zyrtarë të lartë të Qeverisë së Turqisë, qytetit të Stambollit si dhe kreu u Myftinisë së Turqisë. Berisha tha se ndërtimi i xhamisë në qendër të Mitrovicës është financuar nga Myftinia e komunës Bajram Pasha të Stambollit, e cila ka kushtuar rreth 2 milionë euro, ndërsa punimet kanë zgjatur 16 muaj. Sipas tij, xhamia ka një sipërfaqe prej 2500 metra katrorë si dhe do t’i plotësojë kushtet për besimtarët e kësaj pjese të Mitrovicës

Kryetari i komunës Bajram Pasha të Stambollit, Atila Ajdener, tha se nga arkivat e Perandorisë Osmani ka nxjerr një dokument të pronësisë për këtë xhami, i cili daton që nga vitit 1530, si vakëfi i Isa Begut nga fshati Pograxhë. Dokumenti i pronësisë iu dorëzua Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, duke uruar xhematin për këtë xhami të bukur, tha se sot për Mitrovicën dhe Kosovën është një ditë e veçantë.
Myftiu tha se përkrahja e qeverisë dhe popullit turk për Kosovën dhe popullin e saj, është dëshmuar vazhdimisht, si në kohë të vështira ashtu edhe në paqe.
Ndërsa, për xhaminë Myftiu Naim Tërnava, tha mes tjerash “se kjo është shtëpi e Zotit, ku të rinjtë do të marrin dije dhe besim që të jetojnë në paqe dhe harmoni me të gjithë të tjerët, si e ka pasur traditë Mitrovica dhe Kosova”.
“Ky objekt është institucion që prodhon paqe, prosperitet dhe bashkëpunim për të gjithë. Nga kjo shtëpi e Zotit, sikurse edhe deri tani, do të ndizen shkëndija për të gjithë qytetarët, të cilat shkëndija përçojnë mesazhin e dashurisë mes vete, barazisë dhe bashkëjetesës për të gjithë, pa dallim”, tha, mes tjerash, Tërnava.
 Kryetari i DIANET-it, Mehmet Gyrmez, edhe me këtë rast nuk mund ta fshehte gëzimin e tij për ndërtimin e xhamisë në Mitrovicë. “Kjo është vepër për vëllezërit tanë në Kosovë dhe në Mitrovicë. Flamuri që mban sot shteti turk (me yll e hënë) është dizajnuar pikërisht këtu në Kosovë, po ashtu edhe himni kombëtar është shkruar po nga një djalë shqiptar”, tha me entuziazëm Gyrmez.
Ndërsa, për ndërtimin e xhamisë ai u  shprehur i lumtur dhe  tha se kjo është një dhuratë enkas për vëllezërit shqiptarë në Kosovë.
Ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Mehmet Myjezinogllu, duke dërguar mesazhet e urimit të kryeministrit turk, Taip Erdogan dhe presidentit, Abdullah Gyl, për qytetarët e Mitrovicës dhe të Kosovës në përgjithësi, ka premtuar mbështetje në fusha të ndryshme për shqiptarët dhe Kosovën.
Ai i ka quajtur qytetarët e pranishëm bashkëvendës, duke sqaruar se të parët e tij janë me prejardhje pikërisht nga Kosova.
“Kjo xhami që po inaugurohet sot nuk do të jetë e fundit, por bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Turqisë do të vazhdojë edhe më fuqishëm. Përkrahja e popullit turk nuk do të jetë vetëm në këto objekte fetare, por edhe në fusha tjera, si në shëndetësi dhe ekonomi”, ka thënë ministri Myezinogllu.
Pas përurimit, hytben e xhumasë e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ndërsa farzin e namazit të xhumasë e fali kryetari i DIANET-it, prof. dr. Mehmet Gyrmez.{gallery}isabeg{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava mori pjesë në iftarin e shtruar nga emiri i Katarit

Prishtinë, më 18 mars 2024 Me ftesë të emirit të Katarit, shejh Temim bin Hamad al Thani, …