Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shtruar mbrëmjen e së premtes iftarin e parë të Ramazanit, ku morën pjesë kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava, ministri i Kulturës, Aldo Bumçi, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, drejtues të tjerë të lartë shtetit, krerët e komuniteteve fetare, drejtues të bashkësive islame të rajonit, diplomatë e ambasadorë të akredituar në Tiranë, përfaqësues të spektrit politik dhe figura të jetës fetare e intelektuale të vendit tonë.
{jathumbnail}Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça pasi ka uruar të pranishmit për këtë muaj të bekuar është shprehur se kjo është filozofia e iftarit, të hamë, të falim dhe ta mëshirojmë njëri-tjetrin, duke e përjetuar si duhet këtë mirësi të madhe të Zotit të Lartë. “Allahu i Gjithëmëshirshëm e begatoftë popullin, vendin dhe kombin tonë. Paçi mirësi e begati dhe Zoti jua pranoftë agjërimin dhe adhurimet e tjera”, u shpreh z. Muça në mesazhin përshëndetës në iftarin tradicional të ditës së parë të Ramazanit.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pranishme në këtë darkë iftari, në fjalën e saj uroi kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça dhe myslimanët shqiptarë për muajin e madhërueshëm të Ramazanit, si dhe për një agjërim të mbarë e të pranuar.
“Ramazani është muaji i sakrificës. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të nderosh sakrificën. Këto janë ditë të faljes, të lutjes dhe solidaritetit, kohë kur ne mendojmë për ata që nuk kanë. Në këtë vit jubilar për shqiptarët, në përpjekjet e tyre për liri e mëvetësi në thelb qëndron sakrifica njerëzore. Sakrificën për Zotin dhe njëri-tjetrin ne e dëshmojmë shumë mirë, sepse i kemi dhënë botës një model të shkëlqyer, duke treguar se jemi të bashkuar në diversitet. Harmonia fetare është pasuria jonë më e madhe dhe aseti që na dallon nga popujt e tjerë të botës”, tha znj. Jozefina Topalli.
Përshëndetje bëri edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Mr. Naim Tërnava. “Më lejoni – u shpreh z. Tërnava, – t’ju sjell përshëndetjet e Kosovës për këtë muaj të madh e të rëndësishëm për myslimanët e mbarë botës. Zoti na e lehtësoftë agjërimin dhe na pranoftë të gjitha punët e mira në këtë muaj të Kuranit. Shpresojmë që kudo të mbretërojë paqja, hareja dhe solidariteti.”
Ndërsa, sekretari i Bashkësisë Islame Fetare të Maqedonisë, Afrim Tahiri, tha: “Duke ju uruar të gjithëve për këtë mirësi të madhe, shpresoj dhe i lutem Zotit që ta përjetojmë dhe ta kalojmë sa më gëzueshëm këtë muaj vlerash e dobish të shumta. Kam porosi të veçantë nga kreu i myslimanëve të Maqedonisë t’ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së kombit tonë”
Komuniteti Mysliman e ka kthyer në traditë shtrimin e iftarit të parë të Ramazanit. Nëpërmjet kësaj ceremonie, institucioni bashkon krerët e shtetit dhe figura të rëndësishme të jetës publike, të cilët vijnë për të nderuar e respektuar sakrificën e myslimanëve në këtë muaj të rëndësishëm të kalendarit islam.