Prishtinë, 24 maj 2018
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) organizoi iftar në Prishtinë me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit. Të ftuar ishin një numër i madh i personaliteteve fetare, politike e shoqërore të Kosovës. Në këtë iftar mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava bashkë me një pjesë të kabinetit të Kryesisë. Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, e cila po ashtu mori pjesë në sofrën e iftarit, në fjalën e saj uroi që muaji i bekuar i Ramazanit t’i sjellë Turqisë, Kosovës, myslimanëve dhe gjithë njerëzimit paqen, lumturinë dhe prosperitetin.
Ndërkaq, zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, pasi ua uroi muajin e Ramazanit të gjithë të pranishmëve në këtë ngjarje, tha se me këtë iftar të përbashkët i bashkohen çdo myslimani në botë që jeton sipas vlerave të fesë islame. Ky iftar është një lloj rikthimi në histori, sepse ne çdoherë e kemi mbajtur muajin e Ramazanit, jemi bashkuar në sofra të iftarit dhe vit pas viti e kemi kultivuar identitetin tonë. Ne krenohemi me kulturën, me identitetin tonë dhe me atë se kush jemi, – tha Hoxhaj, duke shtuar se ndihen krenarë që në Kosovën e pavarur kanë bashkëjetuar fe të ndryshme dhe pjesëtarë të kombeve të ndryshme, shqiptarë, turq, boshnjakë, serbë e të tjerë.