Prishtinë, 15 tetor 2013

Hytbeja e Myftiut  Tërnava në xhaminë “Sulltan Mehmet –Fatih” në Prishtinë me rastin e Kurban – Bajramit.

Të nderuar vëllezër e motra besimtarë!

Sot Bota Islame feston Kurban – Bajramin, i cili vjen pas kryerjes së një prej pesë shtyllave të Islamit, – Haxhit. Miliona haxhinjë nga e mbarë Bota, të kombeve të ndryshme dje kaluan ditën në Arafat, duke bërë ibadet- adhuruar Allahun Një, dhe duke e lutur që ti begatoi me të mirat e Tij. Për të vazhduar natën e mbrëmshme në drejtim të Muzdelifës, dhe më pastaj Mines, e kështu të përmbushin edhe këtë obligim të urdhëruar nga i Madhi Zot.

Lutjeve të shumta të këtyre haxhinjve iu bashkohen edhe lutjet e haxhinjve nga Kosova, të cilët janë duke e kryer haxhin, e lusim Zotin që lutjet e tyre t’i pranoi dhe të na begatoi me të mirat e Tij në këtë dhe në botën tjetër!

Haxhi është kushti i pestë i Islamit, në të cilin demonstrohet edhe praktikisht uniteti, barazia, solidariteti, kultura, devotshmëria dhe madhështia e umetit të Muhamedit a.s.

Duke e ditur se Haxhi është koha kur eliminon të gjitha dallimet mes njerëzve, përjetojnë momente sikur të ishin të mbështjellur me qefinë e dhënë llogari para Zotit xh. sh. duke harruar botën e përkohshme.

Allahu xh.sh. thotë:

“Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në te, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit”. (Ali Imran, 97).

Muhamedi a.s. thotë:

“Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla:Dëshmia se s’ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij,falja e namazit,dhënia e Zekatit,Haxhi në Qabe dhe agjërimi i Ramazanit”.

Vëllezër e motra besimtarë!

 Me prerjen e Kurbanit kuptojmë ringjalljen e synetit të Ibrahimit a.s.,të cilin Allahu xh sh e urdhëroi të bëjë kurban djalin e tij- Ismailin. Por, Allahu xh.sh e zëvendësoi me prerjen e Kurbanit. Prerja e Kurbanit sjell edhe karakterin mirënjohës dhe falënderues ndaj Allahut të Madhërishëm, falënderimin për begatitë e dhuruara.

Allahu xh. sh. thotë:

“Ne, vërtet, të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!”.

Jeta e kësaj bote të nderuar vëllezër e motra duhet ditur se është e përkohshme –kalimtare, është një sprovë nga i  Madhi Zot për njeriun, se si do ta shfrytëzoj këtë jetë në raport me Krijuesin. Se kjo jetë ka kuptimin e plotë vetëm atëherë kur arrijmë të përçojmë dritën e besimit në Zotin një në zemrat dhe shpirtin tonë.

”Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun,  Zotin e botëve. Ai nuk ka shok. Me këtë jam i urdhëruar dhe jam i pari i myslimanëve!”(El-Enam:162-163).

Njeriu si krijesa më e përsosur në këtë univers, kur i hedhë një vështrim botës, do të kuptoi se shumë breza kanë kaluar para tij, dhe shumë të tjerë do të vijnë pas nesh. Duhet të bëjmë një krahasim mes distancës kohë, e cila ka kaluar, dhe asaj që do të vjen, si dhe jetës të cilën e bëjmë në këtë botë. Koha e jetës sonë në krahasim me të kaluarën njerëzore, por edhe me të  ardhmen, është shumë e pakt.

Allahu xh.sh. thotë:

“Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush është më vepër mirë. Ai është ngadhënjyesi, mëkat falësi”.(El-Mulk:2).

Të nderuar vëllezër e motra besimtar kudo që gjendeni!

Sot, në këtë festë të cilës edhe më shumë i shton vlerën Haxhi dhe prerja e Kurbanit, obligime të cilat i kryejmë në shenjë respekti e bindje në urdhrat e të Madhit Zot, na shtyjnë që ne të rikujtojmë edhe njëherë begatitë dhe porositë e shumta të dërguara te njerëzit përmes të të zgjedhurve të Allahut xh.sh., pejgamberëve. Këto urtësi Hyjnore në vazhdimësi u barten përmes Pejgamberëve te popujt e ndryshëm.

Na rikujtomë dashurinë e respektin e madh të Ibrahimit a.s. me birin e tij Ismailin, gjithherë në kërkim për t’iu afruar sa më shumë Allahut xh.sh. dhe porosive hyjnore, të drejtës, të vërtetës dhe të mirës. Në kërkim të vazhdueshëm të gjetjes së lartësisë shpirtërore në atmosferën e Haxhit dhe prerjes së kurbanit, duke e harruar për një çast botën e përkohshme.

Allahu xh.sh. përmes Haxhit dhe kurbanit na ofroi te vetja, na aktivizoi ndjenjat e mëshirës, që na mundësojnë të kuptojmë përgjegjësi ndaj vetës dhe atyre përreth nesh. Na bënë të përgjegjshëm ndaj vetës, duke kuptuar në vetën tonë edhe obligimet që kemi ndaj të tjerëve.

Vetë ky Bajram mban edhe emrin Kurban- Bajrami, apo festa e sakrificës-flijimit. Festë e cila qëndron fuqishëm mbi parimet e unitetit, bujarisë, harmonisë flijimit dhe sakrificës, duke ngritur vlerat e Islamit në nivelin më të lartë.

Kjo festë është festë solidarizimi edhe me të varfrit, jetimët, skamnorët, të cilët, fatkeqësisht, në Kosovën e pas luftës nuk janë të paktë. Me prerjen e Kurbanit dhe shpërndarjen  e mishit të tij nevojtarëve, bëhet edhe edukimi i shpirtit të njeriut dhe afirmimi i tij, e njëkohësisht edhe ngadhënjimi mbi egoizmin dhe daljes në skenën e madhe dhe humane të solidaritetit, ndihmës dhe bashkëpunimit ndër njerëzor.

E sot në këtë ditë të Kurban Bajramit,ai që është në gjendje dhe ka mundësi le të prej kurbanin le të ndaj një pjesë për të varfrit,një pjesë le tua dhuroi të afërmve, kurse pjesën tjetër le ta përdorë për vete dhe familjen e tij. Ndaj, edhe në këtë ditë ne duhet të shijojmë vlerat që ka kjo festë, si ndjenja  për të bërë mirë e për t’u solidarizuar me njerëzit e vullnetit të mirë, shprehja e pastërtisë shpirtërore si rast për t’u pastruar nga çdo e metë dhe gabim. Për tu kthyer edhe më fuqishëm në forcimin e besimit te Krijuesi Fuqiplotë, sepse vetëm kështu meritojmë të jemi pjesëtarë të denjë të një Bajrami me kaq vlera siç është Kurban – Bajrami.

Allahu xh sh thotë:

“Adhurojeni Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, silluni mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqiut të afërt, ndaj fqiut të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet”.(E-Nisa:36).

Qëndrimi besnik ndaj asaj që porosit Allahu xh.sh. dhe Muhamedi a.s. njeriut i hap rrugën e shijimit të begative të shumta që Allahu ka përgatitur për ata që kanë besuar dhe vepruar drejt.

Njerëzit e tillë do të përshëndeten përmes gjuhës së melaikeve nga ana e Zotit xh.sh. me përshëndetje duke  iu thënë:Selamun Kavlen Min Rabin Rahim” pra edhe në këtë edhe në botën tjetër besimtari përshëndetet me Selam, duke i dëshiruar njëri-tjetrit Paqe-lumturi e mirëqenie. Kjo do të jetë edhe përshëndetja e Allahut për besimtarët të cilët kanë fituar xhenetin – shpërblimin më të madh që Allahu xh. sh. ka përgatitur për besimtarin.

Allahu xh. sh. thotë:

“Ditën që e takojnë Atë (Zotin), përshëndetja e tyre është Selam (paqe) dhe për ta ka përgatitur shpërblim të mirë”.(El-Azab:44)

Unë ju ftoi nga ky vend i shenjët nga kjo xhami që të shtrini dorën e ndihmës ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë, mos kurseni të gëzoni shpirtrat e shumë skamnorëve e jetimëve, t’iu riktheni qoftë edhe për një kohë të shkurtër buzëqeshjen e humbur pa fajin e tyre,të gëzoni shumë nëna e baballarë me rastin e kësaj feste, duke iu begatuar sofrat e tyre. Se nëse ne jemi në ndihmën e vëllait tonë, Allahu do të jetë në ndihmën tonë.

Të mendojmë në vazhdimësi se do të dalim para Zotit xh. sh. për të dhënë llogari edhe për pasurinë se si e kemi fituar dhe si e kemi shpenzuar.

Vëllezër besimtarë!

Islami është një fe, e cila iu është shpallur njerëzimit nga ana e Allahut xh.sh. me qëllimin e dhurimit të një jete paqësore, përmes së cilës të pasqyrohet në tokë, mëshira dhe bamirësia e pafund e Zotit xh.sh. Vlerat e Kuranit i bëjnë myslimanët të përgjegjshëm për ti trajtuar të gjithë njerëzit, mysliman apo jomysliman, me mirësjellje e drejtësi, për të parandaluar përhapjen e mizorisë, e cila përfshin të gjitha format e anarkisë dhe terrorit që godasin sigurinë, qetësin dhe paqen. Besimtarët kanë përgjegjësi për pengimin e këtyre njerëzve, duke ndaluar mizorit në tokë dhe duke sjellë paqe e siguri për të gjithë njerëzit e botës, duke i përshkruar ata që bëjnë vepra të tilla të liga si ndjekës të gjurmëve të djallit.

Akte të tilla po ndodhin fatkeqësisht nëpër botë, skena trishtuese po paraqiten nëpër ekrane të shumta, që vijnë si rezultat i largimit nga morali i mbështetur në dashuri, respekt e tolerancë, virtyte këto për të cilat ka urdhëruar Zoti në Kuran.

Ndaj të punojmë në forcimin e besimit në mesin tonë, në vëllazërimin e njerëzve mes vete, për krijimin e kushteve sa më të mira për jetë.

– Të shtrim dorën e pajtimit me njëri – tjetrin,të harrojmë zënkat dhe armiqësitë.

– Të punojmë për paqe dhe harmoni mes njerëzve.

– Të rrisim besueshmërinë mes nesh.

– Të  respektojmë besimet e njëri tjetrit. Të jemi shembull për harmoni fetare në botë, ashtu siç kemi qenë deri sot.

-Të punojmë për avancimin e mundësive dhe vlerave tona që na i ka dhuruar Allahu, duke punuar për një të ardhme sa më të mirë për brezat që po vijnë.

Shoqëria jonë, si asnjëherë deri tash, ka nevojë për vlera të mirëfillta shpirtërore. Prandaj, unë duke shfrytëzuar këtë rast, në këtë ditë të shenjt dhe nga ky vend i shenjt, i ftoi të gjithë besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që të bashkëveprojnë drejt ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë, të pastër e të ndershme dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtoi virusi degjenerues e devalvues.

Allahu xh.sh. thotë:

“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Zoti i tyre, për shkak të besimit të tyre i udhëzon në xhenete të begatshme në të cilët rrjedhin lumenj”.(Junus:9).

Në këto momente festive ju ftoi të keni frikë Allahun xh.sh., ti respektoni urdhrat e Tij, sepse kështu do të jemi të lumtur në këtë dhe në botën tjetër.

Gjithashtu, përshëndes dhe uroj të gjithë vëllezërit dhe motrat  për këtë festë të madhe të Kurban – Bajramit kudo që ata gjenden.

 Me fat u qoftë festa e Kurban Bajramit!

 Myftiu i Kosovës

Naim Tërnava

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit

Vëllezër dhe motra,Të dashur qytetarë!Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mën…