Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!
Falënderimi i takon Zotit të botëve, Atë e madhëron çfarë ka në Tokë e çfarë ka në qiej, Ai është i Gjithëpushtetshmi, Absoluti.
Salatet e selamet tona ia dërgojmë më të mirit të njerëzisë, Muhamed Mustafasë, familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij besnikë.


Të dashur besimtarë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Vëllezër e motra!

Në këtë mëngjes të bukur, ballëhapur e krenarë jemi tubuar në xhamitë tona anekënd vendit për ta shënuar fillimin e festës së Fitër Bajramit me namaz e lutje, festë e cila bartë në vete gëzimin, harenë, lumturinë e çiltërsinë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit.
Të gjithë besimtarët gjithandej globit me plotë arsye sot festojnë, urojnë e përgëzojnë, ngase për një muaj rresht me bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhrin e Krijuesit të gjithësisë, duke agjëruar muajin Ramazan.
Muaji Ramazan, të cilin sapo e lamë pas, me mirësitë e begatitë e tij, si asnjë muaj tjetër, e si asnjë ibadet tjetër, na ofruan qetësi, lutje, solidaritet e bamirësi.
Agjërimi për besimtarin është sakrificë që bëhet vetëm për Krijuesin, andaj sot çdo besimtar e besimtare, i ri e i moshuar ndjehet i gëzuar dhe ka arsye që të festojë me ibadet në xhami, me gëzim në familje, farefis e shoqëri.
Tërë muajin Ramazan agjëruam, ibadet ky që kërkon sakrificë e përmbajtje, por mbi të gjitha kërkon bindje e besim. Në Ramazan na bashkoi agjërimi, namazi, lutja, sofra e iftarit e bereqeti i syfyrit, qemë bashkë në solidaritet e bamirësi, prandaj sot kemi arsye që të jemi bashkë në festën e Fitër Bajramit, festë kjo që përjetohet nga të gjitha shtresat e shoqërisë.

Të nderuar besimtarë,
Vëllezër dhe motra!

Gjatë tërë muajit Ramazan ishim më të afërt, më të dëlirë, më të urtë, më fisnik e më humanë. Pa harruar që në misionin tonë ishim me bindje, sinqeritet e devotshmëri. Zaten ky është edhe qëllimi i agjërimit, që njeriun ta fisnikërojë e ta bëjë të ndërgjegjshëm për misionin e tij në këtë botë.
Misioni i njeriut në këtë botë është që të njoh Krijuesin, të praktikojë mësimet e Tij, si dhe të zgjojë në qenien e vetëdijen e tij, ndërgjegjen e heshtur të shpirtërores e njerëzores, të cilat e shtyjnë dhe e motivojnë për realizimin e idealeve të larta gjatë jetës se tij.
Nimetet dhe begatitë e agjërimit me të cilat Zoti xh.sh. i furnizoi besimtarët ishin të mëdha e të shumta.
Gjatë gjithë muajit të bekuar Ramazan, shtëpitë, lagjet e xhamitë tona përjetuan në formën më të mirë freskinë e gjallërinë, të shoqëruar me ibadete me më të dashurit tanë, me miq e farefis.

Vëllezër e motra!


Ramazanin po e përcjellim të lumtur që Krijuesi na e dha mundësinë t’i përjetojmë begatitë e tij, e sot, krenarë e faqebardhë, me familjet tona festojmë festën e Fitër Bajramit, festë kjo tashmë është e shtresuar thellë në identitetin tonë. Fitër Bajrami është festa më popullore që prek të gjitha moshat dhe të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Mësimet e porositë e muajit të bekuar Ramazan, duhet të na shoqërojnë edhe në muajt e tjerë, e para prej tyre është kujdesi ndaj familjes, ruajtjes së saj, si dhe rritës dhe edukimit të drejtë të saj. Vetëm një familje e shëndoshë dhe e edukuar mirë, është themeli për një komunitet e shoqëri me vlera e parime fisnike.
Familja te populli ynë, në vazhdimësi ka qenë institucioni më i vlerësuar e më i çmuar, vlera këto të cilat duhen trasuar e ruajtur me xhelozi, dhe duhen kultivuar te brezat e rinj.
Atakimi i vlerave mbi të cilat është ngritur familja te ne, nuk është në të mirën tonë dhe të popullit tonë. Zoti në Kuranin fisnik na urdhëron ta ruajmë familjen duke na thënë :
“ يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ قُوٓاْ أَنفُسَكُمۡ وَأَهۡلِيكُمۡ نَارٗا
“O ju besimtarë ruani veten dhe familjet tuaja.” (Tahrim, 6).
Po ashtu, e kemi obligim që ta ruajmë e ta ngremë vendin tonë aty ku e meriton ai.
Ka dashtë Zoti që tash e sa vite vendi ynë është i lirë e i pavarur, mirëpo është obligim yni që vendin tonë ta ndërtojmë e ta bëjmë me perspektivë, një vend ku jetohet me dinjitet, ku fëmijët tanë të rriten të sigurt e të marrin edukim e arsimim cilësor, një vend ku sigurojmë vende pune e jetesë të dinjitetshme për bijtë dhe bijat tona.
Dikur lirinë e vendit e kishim ide e projekt, ndërsa tani falë sakrificës shekullore të popullit, tash e sa kohë shtetin tonë e kemi realitet, por, si qytetarë të këtij vendi, e kemi obligim që ta bëjmë më të mirën për vendin tonë, që ta bëjmë atë të jetueshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Braktisja e vendit nuk është zgjidhje e duhur, sidomos nga të rinjtë dhe ekspertët tanë. Jeta në këtë botë nuk ka për qëllim kryesor e mision vetëm anën materiale. Dashtë Zoti që vendi ynë, me angazhimin tonë, të bëhet vend ku jetohet e punohet me dinjitet.
Vendi ynë merr peshë e kuptim, vetëm me bijtë e bijat e saj atëherë kur i kemi të shtëpitë tona plot, me bijë e bija, nipa e mbesa, kur çerdhet e shkollat i kemi në funksion të edukimit e mësimit, se në të kundërtën i mbetemi borxh vendit dhe brezave që vijnë, pra e kemi obligim ta duam e ta ndërtojmë vendin tonë.


Vëllezër e motra!


Festa e Fitër Bajramit kultivon në formën më të mirë ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë, respektit e bujarisë, vlera këto që fisnikërojnë individin e shoqërinë.
Ne, sot ne kemi festë dhe bashkërisht do të shijojmë festën e madhe të Fitër Bajramit.
Ju ftoj të festojmë me të afërmit, me të dashurit e miqtë tanë, që të shijojmë ëmbëlsinë e kësaj feste në harmoni të plotë pranë njëri-tjetrit.
Në fund, duke lutur Zotin që ta ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet e punët tona të mira, të gjithëve ju uroj festën e Fitër Bajramit, duke ju dëshiruar shëndet e mbarësi, kudo ku jeni, ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve festën e Fitër Bajramit!
Me hair e me të mira na qoftë Fitër Bajrami!


Myftiu i Kosovës,
Naim ef. TËRNAVA
Prishtinë, 21 prill 2023

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

U inaugurua selia qendrore e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”

Prishtinë, më 20 nëntor 2024 Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” ka inauguruar sot seli…