Festa e Kurban-Bajramit është këshillë dhe rikujtim i mësimeve dhe porosive hyjnore*
Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra!
Të nderuar qytetarë!
Falënderimet dhe lavdërimet I takojnë Allahut të Gjithëmëshirshëm. Kurse salatet dhe selamet qofshin për Muhamedin a.s., familjen e tij, dhe për ata që ndoqën dhe vazhdojnë të ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Kiametit.

Të nderuar besimtarë!
Sot është ditë feste e gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë, ditë që bashkon zemrat e tyre gjithandej ku janë, për të përjetuar me shpirt gëzimin e harenë, duke e falënderuar Allahun për begatitë, nimetet dhe të mirat që na i ka dhuruar Ai. Është festë që i afron rreth vatrës e sofrës familjet dhe të afërmit e tyre.
Përveç kësaj, e mbi të gjitha, festa e Kurban Bajramit është këshillë dhe rikujtim i mësimeve dhe porosive hyjnore, të cilat e ndihmojnë besimtarin për organizimin e jetës në këtë botë dhe për të qenë faqebardhë e të shpëtuar në Botën tjetër.
Kështu ndërsa jemi tubuar nëpër xhamitë tona për t’iu lutur Allahut xh.sh. në këtë ditë feste, ne kujtojmë Hazreti Ibrahimin dhe birin e tij hazreti Ismailin, të cilët duke ngritur muret e Qabesë së bekuar, asaj shtëpie të ndershme drejtë së cilës brenda ditës kthejnë fytyrat e tyre myslimanët nga të katër anët e botës, iu luten Allahut, – e përmes gjuhës së tyre, i lutemi edhe ne, – duke thënë:
O Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di! Zoti ynë, bëna neve dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e adhurimit dhe falna neve, vërtetë Ti je Falësi, Ti je Mëshiruesi!
Po ashtu kujtojmë edhe simbolikën e sakrificës së këtyre dy të dërguarve të Zotit dhe jo vetëm që kujtojmë por edhe ndjekim rrugën dhe shembullin e tyre, duke prerë kurban në emër të Zotit.
E pikërisht këto dy obligime, – Haxhi dhe Kurbani, – janë ato që e karakterizojnë këtë festë dhe e bëjnë më domethënëse.
Nisur nga kjo, miliona haxhilerëve nga e gjithë bota me lutjet e tyre drejtuar Allahut xh.sh. iu bashkuan edhe haxhilerët tonë nga Kosova, të cilëve Zoti ua bëri nasib që të kryejnë kushtin e pestë të fesë islame, ta kryejnë Haxhin dhe të ecin midis kodrave Safa dhe Merva duke ndjerë dhembshurinë e nënës Haxhere për birin e saj Ismailin a.s., të ecin shtigjeve të Ibrahimit a.s. dhe të ndjejnë përulësinë, devotshmërinë dhe lutjet e tij, të ecin rrugës së Pejgamberit Muhamedit a.s. dhe të prekin gjurmët e tij, të pinë ujë nga burimi i Zem-Zemzemit, të bëjnë dua në Arafat, Myzdelife dhe Mine, të prekin gjurmët e vendit ku filloi të zbresë Kurani dhe nga ku nisi thirrja e Muhamedit a.s. për të besuar në Një Zot të vetëm, dhe duke iu drejtuar Zotit të tyre me gojën plotë “Lebbejke-allahumme lebbejk! – ”Të përgjigjem Ty, o Zot, të përgjigjemi! ata kërkojnë falje e mëshirë për vetën, familjen, të afërmit, besimtarët, Ymetin dhe njerëzimin mbarë.
Të nderuar besimtarë,
Veçori tjetër me një domethënie të madhe e kësaj feste është edhe ajo që manifestohet përmes prerjes së kurbanit për të gjithë ata që kanë mundësi, sepse duke prerë kurban me emër të Zotit dhe për hir të Krijuesit ua shtrijmë dorën krijesave të Tij që kanë nevojë për ndihmën tonë.
Prerja e kurbanit nuk është thjesht derdhja e gjakut, por mbi të gjitha është përkushtimi, bindja, sakrifica, morali dhe devotshmëria e besimtarit. Sepse Allahu xh.sh. në Kuran thotë: “Nuk është as mishi e as gjaku i kurbaneve që arrin tek Allahu, por është përkushtimi dhe devotshmëria juaj që arrin tek Ai…
Prandaj, vëllezër të nderuar, përmes therjes së kurbanit dhe ndarjes së mishit të tij, do të kemi rastin t’u ndihmojmë edhe të afërmve edhe të varfërve, sepse kjo edhe më shumë do të na afrojë mes nesh dhe do të na shtojë dashurinë dhe respektin e ndërsjellë.
Të dashur vëllezër e motra!
Sot në këtë ditë feste e gëzimi, thërras të gjithë besimtarët që në zemrën dhe shpirtin e tyre të shndrit besimi i sinqertë. Besim i cili motivon dhe fuqizon zemrat tona që të jemi edhe më solidarë, më human, më mëshirues e më tolerant.
Të lëmë urrejtjen dhe armiqësinë, të motivohemi për buzëqeshje e përqafime vëllazërore. Çdo festë e jona ka urtinë dhe porosinë e vetë, e porosia e Kurban Bajramit qëndron fuqishëm mbi parimet e dashurisë, bujarisë, solidaritetit, barazisë, flijimit dhe sakrificës.
Në këtë ditë feste prej nesh kërkohet që t’i harrojmë urrejtjet e mos pajtimet, t’i pastrojmë zemrat tona dhe t’ia shtrijmë dorën e pajtimit secilit. Kemi për obligim t’i vizitojmë te afërmit dhe fqinjët tanë, duke mbjelle kështu dashuri e gëzim në zemrat e njerëzve.
Në veçanti kujdes meritorë duhet të tregojmë ndaj jetimëve dhe fëmijëve të shehidve tanë, dhe me ndihmën e përkrahjen tanë sa më shumë t’ua lehtësojmë dhimbjet e tyre. Gjithashtu, duhet t’u ndihmojmë edhe të varfëve e skamnorëve, në mënyrë që edhe ata ta shijojnë gëzimin e kësaj festeje.
Kujdes meritor duhet të tregojmë sidomos ndaj rinisë tonë, e cila është edhe krenaria e jonë, t’ju ofrojmë kushte më të mira për mësim e punë, sepse në këtë mënyrë do t’i largojmë nga rrugët e ndaluara e të dëmshme.
Të nderuar besimtarë!
Edhe tani kur po kremtojmë festën e Kurban Bajramit në shumë vende të botës kemi vatra të luftërave e konflikteve ku pësojnë të pambrojturit, civilët, gratë e fëmijët, ku kemi dhunë, vuajtje, shkatërrime e vrasje. Në këtë ditë të madhe lusim bashkërisht të Madhin Zot që me kuvetin e Tij t’i bëjë ata popuj e ato vende që sa më parë të heqin dorë nga konfliktet e shkatërrimet e t’i kthen paqes dhe jetës normale.
Njerëzimi sot ka nevojë për vlera fetare e shpirtërore, prandaj në këtë ditë të shënuar dhe nga ky vend i bekuar, i ftoj të gjithë besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të bashkëveprojmë drejtë ndërtimit të një shoqërie pa dallime të mëdha, për një solidaret e mirëkuptim, për tolerancë e mbështetje ndaj njëri-tjetrit.
Për t’i arritur këto parime ju rikujtoj të gjithëve që duhet angazhim për të kultivuar koherencën mes nesh duke mirëkuptuar të tjerët, duke tejkaluar egon e lakminë, e duke zbatuar mësimet e Zotit, këshillat e pajgamberëve dhe interesin e popullatës e të vendit tonë. Me këtë rast ftoj të gjithë që për të mirën e shoqërisë dhe të vendit tonë të kultivojmë unitetin veprues duke lënë anash mëritë, inatet e interesat personale e grupore. Të bashkuar, në paqe e dashuri na donë edhe i madhi Zot.
Të nderuar besimtarë!
Nga ky vend, në këtë ditë të madhe e gjej me vend që të gjithëve kudo që jeni brenda trojeve tona dhe mërgatës sonë, t’ju uroj në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe institucioneve të saja festën e Kurban Bajramit, duke lutur Zotin e Madhërishëm që ta ruaj atdheun tonë, ta bashkoj kombin tonë dhe ta udhëzoj e ta edukoj rininë tonë.
Me fat ju qoftë Kurban Bajrami!

*Hytbeja e mbajtur në Xhaminë e madhe të Prishtinës nga sekretari i përgjithshëm i BIK, Resul ef. Rexhepi në manifestimin qendror të Kurban-Bajramit më 4 tetor 2014

Shfaq më shumë në Hytbe

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit

Vëllezër dhe motra,Të dashur qytetarë!Sot është dita e parë e Kurban Bajramit. Në këtë mën…