Prishtinë, 11 shkurt 2022
Me rekomandim të Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim ef. Tërnava, sot në të gjitha xhamitë e Kosovës u mbajt hytbe e përbashkët me temë: “Rëndësia e familjes në Islam”. Në mesazhin e hytbesë së kësaj të premteje, u theksua dhe u shpjeguan argumentet fetare pse jemi të obliguar edhe fetarisht për këtë çështje. Më tej u theksua se nga perspektiva islame, familja ka një rëndësi të shumëanshme.Ajo është strehë shpirtërore, është vend ku pushon shpirti dhe qetësohet mendja. Nga ky prizëm, Islami krijimin e bashkëshortes, si njërin prej dy themeluesve të familjes, e sheh si tregues të ekzistimit të Zotit. Në Kur’an, në kaptinën Rrum, ajeti 21, Allahu xh.sh., na thotë:“Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.”
Këtu mbase fshihet urtësia se pse Pejgamberi a.s. bashkëshorten e ndershme e ka konsideruar si begatinë më të mirë në këtë botë, sikur që na ka mësuar se ajo është një prej faktorëve të lumturisë në jetë.Rëndësi tjetër e familjes është roli i saj në ruajtjen e llojit njerëzor. Krijuesi fuqiplotë dhe gjithëditur ka caktuar që raca njerëzore të shumohet nëpërmjet martesës, pra bashkimit të mashkullit me femrën dhe lindjes së pasardhësve. Në Kur’an, Allahu xh.sh., na thotë:“O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra…” [Nisa: 1]
Feja islame na mëson se familja është edhe strehë e nderit dhe moralit, prandaj edhe na ka nxitur për martesë, si një mënyrë më efikase e ruajtjes nga rënia në mëkate.
“Kush ka mundësi materiale për tu martuar le të martohet, sepse martesa ruan shikimin dhe nderin nga mëkatet.” – na ka mësuar Pejgamberi Muhamed a.s.
Martesa është dhe traditë e të gjithë pejgamberëve të Zotit. Pejgamberi Muhamed a.s., ka porositur: “Martesa është pjesë e traditës sime, e kush nuk vepron sipas traditës sime – nuk më përket mua…”
Ska dyshim se ikja nga kjo traditë profetike nuk është e rruga e duhur e myslimanit, sepse Islami ka ndaluar murgërinë dhe forma tjera të ngjashme për të ikur nga martesa, respektivisht nga themelimi i familjes, kësaj strehe morale.
Roli i familjes është pazëvendësueshëm edhe në aspektin e edukimit. Vetëm në familje të shëndoshë e me vlera, pasardhësit edukohen në mënyrë të virtytshme e me dinjitet.
Në familje mësohet nderi, respekti, dashuria, mirësjellja e mikpritja. Aty orientohen për jetën. Se çfarë bindjesh e idesh do të kenë fëmijët, varet nga ajo çfarë kanë mësuar e marrë në familje.
Familja ka edhe rëndësinë e madhe shoqërore, sepse nëpërmjet saj bëhet lidhja, jo vetëm ndërmjet anëtarëve të familjes por edhe ndërmjet farefisit e miqësisë.
Allahu xh.sh., thotë:“Është Ai që ka krijuar prej ujit njeriun, e ka vënë në lidhje me fis nga gjaku dhe nga martesa. Zoti yt është i Plotfuqishëm.” [Furkan: 54]

Disa nga kriteret bazë që duhet plotësuar një familje për të qenë e shëndoshë dhe e dobishme:
Themelimi i familjes nga mashkulli dhe femra. Familje quhet ajo që themelohet nga burri dhe gruaja. Kështu e ka krijuar Allahu xh.sh. njerëzimin dhe kështu ka caktuar që të jetë shumimi i tyre. Ruajtja e llojit njerëzor nuk mund të bëhet nga lidhje tjera.
Allahu xh.sh., thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin…” [Huxhurat: 13]
Martesa fetarisht nuk mund të ndodhë ndërmjet mashkullit me mashkull apo femrës me femër.
Përzgjedhja e partnerit bashkëshortor mbi baza të vlerave morale e fetare. Një familje mund të jetë e shëndoshë vetëm nëse themeluesit e saj, burri dhe gruaja, janë të moralshëm dhe virtytshëm. Muhamedi a.s na ka mësuar qartë kriteret e përzgjedhjes së bashkëshortit apo bashkëshortes bazuar në: nderin, pasurinë, bukurinë dhe fenë, derisa feja është përcaktuesi kryesor.
Martesa është shenjë e Zotit, është ‘besë e fortë’ që mashkulli jep për nderimin e femrës, është dashuri dhe respekt, është trajtim me dinjitet, është raport i ndërsjellë, ku të dyja palët janë kontribuuese dhe përfituese e kësaj foleje.
Për këtë të fundit Kur’ani na mëson: “…Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra…” [Bekare: 228]

Kohëve të fundit është diskutuar për Projektin e Kodit të ri Civil të Republikës së Kosovës, ku parashihet edhe lejimi i martesave të gjinisë së njëjtë. Me këtë rast edhe njëherë Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga institucionet e vendit ta rishikojnë këtë draftligj i cili cenon themelet dhe shenjtërinë e familjes, si dhe atakon vlerat tona morale e familjare të popullit tonë. Nëse Kuvendi i Kosovës miraton Kodin e ri Civil si të tillë, duhet ta dijnë se kështu po rrezikojnë familjen dhe vazhdimësinë e llojit njerëzor.

Ne si besimtarë, gjithmonë do të jemi ne mbrojtje te parimeve tona fetare dhe vlerave të fesë tonë të pastër që familjen e konsiderojnë të shenjtë e të paprekshme .

Lusim Zotin Fuqiplotë t’na udhëzojë në punë të hajrit dhe të na drejtojë në rrugën e tij të pastër.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim zv/ministrin e Jashtëm të Turqisë, z. Yasin Ekrem Serim

Prishtinë, më 28 mars 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…