Me rekomandim të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, sot në të gjitha xhamitë e Kosovës u mbajt hytbe e përbashkët, që për fokus kishte përgatitjet për muajin Ramazan.
Rëndësi të veçantë në këtë hytbe iu kushtua edhe apelit të Bashkësisë Islame të Kosovës, që në mënyrë të përpiktë të respektohen masat e ndërmarra nga IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së virusit Korona. Ky apel bëhet në prag të fillimit të muajit Ramazan.
PARAPËRGATITJA PËR MUAJIN RAMAZAN
Të dashur vëllezër besimtarë!
Jemi në ditët e fundit të muajit shaban, muajit që i paraprin Ramazanit, i cili për nga ana simbolike, ka një rëndësi të madhe. Ka qenë traditë e Pejgamberit ﷺ që këtë muaj të agjërojë më shumë se muajve tjerë, si parapërgatitje fizike për agjërimin, i cili ndryshe nga adhurimet tjera kërkon sakrificë të llojit të veçantë, respektivisht abstenimin nga ushqimi dhe pija. Por, për sfida të mëdha, nuk mjaftojnë vetëm ushtrimet fizike, duhet dhe motivim. Për këtë shkak, Pejgamberi ﷺ gjysmën e këtij muaji e shfrytëzonte në përgatitje fizike ndërsa gjysmën tjetër në ngritje të moralit dhe motivim. Në hadithin e saktë të transmetuar nga Ebu Hurejre r.a., qëndron se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur të arrijë gjysma e muajit Shaban, lëreni agjërimin derisa të vjen Ramazani. ”
Së këndejmi, hutbeja e kësaj xhumaje, tani që kanë mbetur edhe pak ditë deri në Ramazan, në fokus do të ketë elemente që na motivojnë për të agjëruar me vullnet dhe dashuri.
Nuk ka të ngjashëm me Ramazanin
Ebu Umame el-Bahilij transmeton ta ketë pyetur Pejgamberin ﷺ për veprën më të mirë. Pejgamberi ﷺ i tha: “Agjëro sepse asgjë nuk është ekuivalent me të! ”
Cili është sekreti i këtij adhurimi që e bën të jetë ndryshe nga adhurimet tjera?
Është ndikimi i tij në ndryshimin e sjelljeve tona. Agjërimi, sikur edhe adhurimet tjera, nuk janë të synuara në vete. Ato janë mjet për qëllime tjera. Kur ne agjërojmë, nuk synojmë thjesht abstenimin nga buka dhe uji, por abstenimin nga çdo gjë (shpirtërore dhe joshpirtërore), që na pengon nga Zoti. Më qartë, Allahu xh.sh. duke na folur për agjërimin, thotë:
﴿يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ﴾
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” [Kur’ani: Bekare:183]
Pra, qëllimi pse Zoti na urdhëron të agjërojmë është që të ndryshojmë fillimisht në raport me Të, duke pastruar anën shpirtërore. Në Ramazan bëhet rishikimi gjeneral i besimit. Në adhurimet tjera ndonjëherë sinqeriteti shënon regres për shkak se duam që përveç Allahut, të na shohin edhe të tjerët rreth nesh. P.sh. kur falemi, duke e ditur që na shohin të tjerët mundohemi ta performojmë namazin në formën më të bukur, sepse mbase edhe kemi dëshirë të thonë: ky është namazli. Ndërsa në agjërim, kjo nuk ndodhë për shkak të natyrës ndryshe të tij. Për këtë shkak, agjërimi e ngre sinqeritetin në nivelet më të larta, duke bërë që Allahu ta dallojë këtë vepër nga veprat tona tjera: “Çdo vepër e njeriut është për të, përveç agjërimit, që është për Mua dhe Unë shpërblej për të… ”
Ndryshe, nëse agjërimi zhveshet nga këto elemente dalluese të tij, atëherë ai bëhet i padobishëm. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ndodhë që ndonjë agjërues të ketë hise nga agjërimi i tij vetëm urinë dhe etjen… ”
Pra, Ramazanin duhet ta përjetojmë ndryshe, si një muaj në të cilin dallojmë duke u ngritur shpirtërisht dhe jo vetëm. Në Ramazan ngritja bëhet edhe moralisht dhe shoqërisht. Qasja vlerore e agjërimit ka të bëjë me menaxhimin e jetës dhe sjelljeve të besimtarit nga parimet. Për ta kuptuar më qartë, do t’i referohemi një porosie të Pejgamberit ﷺ për sjelljen në Ramazan: “Agjërimi është mburojë, andaj (agjëruesi) le të mos flet fjalë të pahijshme dhe le të mos shfaqë injorancë. E, nëse ndokush e provokon apo shan, le të thotë -dy herë-: unë jam agjërueshëm!… ”
Pra, arsyeja pse nuk reagon agjëruesi ndaj provokimit nuk është pse fizikisht nuk ka fuqi ta bëjë këtë, por për shkak të vlerave: jam agjërueshëm.
Ramazani dallon edhe në shpërblime
Për shkak të natyrës së tij, ai është sinonim i durimit. E nga këtu shpërblimi i tij është shpërblimi i durimit, për të cilin Allahu ka thënë:
﴿إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُم بِغَيْرِ حِسَابٍ﴾
“…Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë.” [Kur’ani: Zumer, 10]
Për këtë qëllim, Pejgamberi me rastin e ardhjes së muajit të Ramazanit, i përgëzonte besimtarët me këto, me të cilat edhe do ta përmbyllim këtë hutbe: “Ramazani iu erdh, muaj i bekuar, agjërimin e të cilit Allahu ua obligoi; në të hapen dyert e Xhennetit, mbyllen ato të Xhehennemit ndërsa djajtë e tërbuar prangosen. Në të është një natë, më me vlerë se njëmijë muaj, kush privohet prej saj, vërtet është i privuar! ”
Të nderuar xhematlinj!
Bashkësia Islame e Kosovës, edhe këtë vit, ka filluar me aksionin humanitar për Ramazan. Kampanja tashmë tradicionale “Sofra e Ramazanit” është hapur me 3 prill, dhe përfundon më datën 20 prill 2021. Falë ndihmës tuaj, vitin e kaluar, i kemi ndihmuar 25.000 (njëzet e pesë mijë) familje me nga një pako në vlerë prej 25 (njëzet e pesë) eurosh. Na përkrahni edhe këtë vit që të jemi pranë familjeve në nevojë, veçmas atyre që janë prekur direkt nga efektet ekonomike të pandemisë. Mos harroni, ndihmat në Ramazan janë të veçanta, sikur që është i veçantë ky muaj. Ato shpërblehen më shumë se gjatë muajve tjerë. Lëmosha më e mirë është lëmosha në Ramazan! Kështu na ka mësuar Pejgamberi Muhammed a.s., dhe kështu ka vepruar edhe vet ai. Siç është transmetuar, ai gjatë gjithë kohës ishte bujar porse në Ramazan e shtonte bujarinë. Përveç kësaj, në Ramazan, për ndihmat që ofrojmë mund të fitojmë diçka shumë të madhe dhe të rëndësishme: lutjet e agjëruesve. Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s., na ka mësuar se lutja e agjëruesit nuk refuzohet. Një lutje mund ta shërojë një të sëmurë, ta zgjidh një problem, ta largojë një brengë, andaj të mos e nënvlerësojmë lutjet e agjëruesit!
Për fund, përhajr muaji i Ramazanit! Allahu na i lehtësoftë agjërimin dhe namazin, na bëftë prej atyre që përfitojnë nga mësimet dhe të mirat e këtij muaji të bekuar!