Të nderuar vëllezër e motra!
Sot, në këtë ditë gëzimi e hareje, bota mbarë me të drejtë po e feston ditën e Fitër Bajramit. Festë e cila vërehet në fytyrat e të gjithë atyre që me bindje, vullnet, devotshmëri e sakrificë një muaj të plotë ishin edhe më shumë se muajt e tjerë në adhurim ndaj Krijuesit të këtij universi. Përmes agjërimit dhe adhurimeve të shumta, përmes iftareve të shtruara nga njerëz të vullnetit të mirë, namazeve e adhurimeve tjera, besimtarët shprehën devotshmërinë dhe gatishmërinë për të treguar edhe njëherë se i qëndrojmë besnik fjalës së Allahut xh.sh., e me këtë i shtuan edhe më shumë vlerën, bukurinë dhe hijeshinë këtij muaji të bekuar Ramazan- muajit të Kuranit.
Sikur të gjithë ishim nisur në një rrugë, në një qëllim, në një pistë të njëjtë, se kush më shumë po përfiton nga të mirat e këtij muaji, se kush më shumë do të marrë nga begatit e të Madhit Zot, të cilat i ka premtuar se gjenden në muajin e shenjët e të bekuar Ramazan. Prandaj, të shtyrë nga kjo ndjenjë, e të motivuar nga fuqia e besimit, bashkërisht u gjendëm nëpër xhami, ligjërata, tribuna, programe televizive me përmbajtje fetare, me skamnorët e jetimët, njerëzit në nevojë, që sadopak të begatojmë sofrat e tyre për iftar e syfyr, dhe të forcojmë ndjenjën e besimit dhe përkushtimit ndaj Zotit Krijues.
Në këtë drejtim, thirrjes sonë në fillim të këtij muaji, pra që të ndihmohen të varfrit, skamnorët dhe njerëzit në nevojë, në mënyrën më të mirë iu përgjigjën edhe disa nga bizneset e Kosovës, për çka unë në këtë ditë të Bajramit i falënderoi, sepse me ndihmën e tyre vetëm përmes Bashkësisë Islame u ndihmuan mbi 15 mijë familje. Vepra e tyre tregon se ky popull e këta besimtarë kanë zemër të madhe, kanë dëshirë e vullnet për të ndihmuar, dhe se nuk kursejnë asgjë nëse ata e fitojnë besimin aty ku e japin pasurinë e tyre. Kjo garë për të bërë vepra të mira vazhdon gjatë tërë jetës së njeriut. Për këtë na jep shenjë edhe Kurani, kur Allahu xh.sh., thotë: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e Tokës, i përgatitur për të devotshmit!” (Ali Imran, 133)
Gjatë këtij muaji si asnjëherë më parë kemi ushqyer zemrën e shpirtin tonë me ushqimin e adhurimit, dashurisë dhe respektit ndaj Zotit xh.sh. Ky besim, respekt e përkushtim në brendinë e shpirtit të njeriut ngjall ndjenjën për të vazhduar me vepra të mira dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj Allahut xh.sh. Këto vepra të mira, kjo sakrificë kaq e madhe në këtë muaj të shenjët të Kuranit, sikur lëshon kushtrimin deri në kupolën e fundit të qiellit të shtatë, duke thirrur njeriun, ndërgjegjen e tij, duke i rikujtuar atj pavarësisht vendit, ngjyrës, gjuhës e besimit që ka, se të gjithë jemi bijtë e Ademit dhe Havasë, se jemi të krijuar nga toka, për të qenë mëkëmbës në Tokë, dhe për të siguruar paqe në Tokë, duke e ditur se të gjithë jemi të urdhëruar nga I Madhi Zot, që të jetojmë në paqe e harmoni, larg çdo dhune, persekutimi, vrasjeje, mbytjeje, maltretimi a torture, duke e ditur se Allahu nuk krijoi njerëzit që të ndahen dhe përçahen.
Prandaj, pendohu, o njeri! Kthehu në vetën tënd, e mos humb nga vetja veçoritë me të cilat Allahu na ka veçuar në raport me krijesat e tjera, që ne të jetojmë e bashkëpunojmë bashkërisht, duke siguruar një të ardhme sa më të mirë për gjeneratat që do të vijnë pas nesh, që në botë të mbretërojë paqja dhe harmonia.
Allahu xh. sh., thotë:
“O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, në mënyrë që Zoti juaj t’i largojë prej jush të këqijat, t’ju çojë në xhenete nën të cilët rrjedhin lumenj ditën kur Allahu nuk e turpëron Pejgamberin, e së bashku me të as ata që kanë besuar!” (Tahrim, 8)
Të nderuar vëllezër e mora,
Islami është fe e mëshirës, paqes dhe butësisë, porositë në mëshirën e përgjithshme, duke mos përjashtuar njeri, e as gjallesa të tjera; pra është mëshirë për të gjitha krijesat. Çdo bashkësi e vërtetë islame duhet të ngrihet mbi ndjenjat e dashurisë së përbashkët, afrimit unik, bashkëpunimit reciprok e sjelljes së butë, ngase armiqësia mes njerëzve i thanë lulet e besimit të freskët dhe e paralizon dashurinë dhe paqen.
Allahu xh.sh., thotë: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (El Enbija,107)
Muhamedi a.s. thotë: “Me të vërtetë jam dërguar t’i plotësojë virtytet e moralit.”
Përkundër këtyre porosive, po e shohim se në botë nëpër shumë shtete është zbehur siguria, ka humbur ndjenja e vëllazërisë dhe respektit mes njerëzve; se shumë të pafajshëm, fëmijë e të shtyrë në moshë, vriten e dhunohen pa kurrfarë mëshire; nëpër vatra të luftës nuk respektohet kodi i të qenit njeri; shumë njerëz nëpër vende të ndryshme të botës janë viktima të njerëzve pa ndjenja njerëzore, njerëzve kriminelë, që përmes akteve të tyre tororiste po vrasin të pafajshëm nëpër qendra tregtare, nëpër sheshe, restorante aeroporte, e ku jo!
Edhe një herë, sot në këtë ditë gëzimi e hareje, ju ftoj të gjithëve që të jepni kontribut për paqe, tolerancë, harmoni dhe mirëbesim. Ngase ky është edhe mesazhi i Fitër Bajramit. Rasti i fundit në Stamboll është rasti më i freskët për të parë se çfarë mund të bëjë krimineli, rast ky ku pësuan shumë njerëz të pafajshëm. Këto tmerre që po i përjetojmë janë akte barbare larg çdo dashurie, respekti e tolerance, për të cilat ka urdhëruar Allahu në Kuran. Islami është i pastër nga këto akte kriminale e barbare, dhe lufton çdo gjë që shkon në dëm të njerëzimit. Islami është kundër vrasjeve, dhe kundër çdo terrori të çfarëdo natyre qoftë.
Kjo që po ndodh nëpër botë, kinse në emër të fesë islame, assesi nuk ka të bëjë asgjë me Islamin. Islami nuk urdhëron në dhunë, por në paqe e harmoni, në solidaritet e jetë të përbashkët, ngase kështu na mëson Kurani, dhe kështu na mëson Muhamedi a.s.
Trojet tona etnike shqiptare duhet t’i ruajmë si sytë e ballit. Kosovën tonë, për të cilën u sakrifikuan breza të tërë, për të cilën u derdh gjak i shumtë dhe ranë shumë dëshmorë që ne sot të jemi të lirë, duhet ta ruajmë! Për besimtarin, në Islam nuk ka mëkat më të madh sesa vrasja, duke e pasur në hatër se e drejta e marrjes së shpirtit i takon vetëm Atij I Cili e ka krijuar dhe dhuruar shpirtin.
Allahu xh.sh. thotë: “…kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pas mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pas bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit.” (El Maide,32)
Çdo sulm me prapavijë fetare e i kryer ndaj kujtdo qoftë, njerëzve të pafajshëm, direkt dëmton fenë në të cilën thirret krimineli. Feja islame urdhëron në dashuri, mëshirë e paqe mes njerëzve. Terrori është e kundërta e fesë islame, mësimeve të tij. Është mizori që çon në gjakderdhje të njerëzve të pafajshëm, duke përfshirë të gjitha format e anarkisë dhe terrorit që godasin sigurinë, qetësin dhe paqen. Allahu xh.sh., thotë:
“…E, Allahu nuk e do çrregullimin (fesadin).” (El Mide, 205)
Përkundër kësaj, njeriu besimtar islam mbështet konceptet e moralit që dalin nga Libri hyjnor-Kurani, dhe porositë e Muhamedit a.s., andaj i tilli është njeri i sjellshëm, i drejtë, i besueshëm, dhe i cili përhap dashuri, respekt, harmoni dhe kënaqësi te të gjithë ata që jetojnë pranë tij.
Të gjithë ata që nuk janë të interesuar për ngjarjet që ndodhin përreth, derisa ato nuk ndikojnë direkt në jetën e tyre, të tillët janë të zhveshur nga largpamësia, për të mbështetur bujarinë, miqësinë, ndershmërinë dhe shërbimin që kërkon feja. Këta njerëz përpiqen të kënaqin egot e tyre, duke mos treguar aspak kujdes për kërcënimet që i kanosen shoqërisë njerëzore nga individë e grupe tororiste.
Besimtari nuk mund të qëndrojë indiferent për atë çka ndodh përreth tij, duke pranuar mentalitetin se asgjë nuk po ndodh derisa nuk i shkakton dëm atij. Por, ai është i urdhëruar të ndalojë edhe të tjerët nga krimi, për t’i larguar mizorit në tokë dhe për të sjellë paqe e siguri për të gjithë njerëzit. Toleranca sjell vetëm paqe dhe mirëqenie, nëse ajo kuptohet dhe respektohet drejt. Allahu xh.sh thotë: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai me të cilin kishit njëfarë armiqësie do të bëhet mik i afërt!” (41/34)
Të nderuar vëllezër e motra, kudo që gjendeni, brenda trojeve tona etnike e në mërgatën e largët,
Në këtë ditë madhështore e lusim Allahun që të na i ketë pranuar adhurimet, duatë e lutjet tona, të na i falë mëkatet tona, të na mëshirojë me mëshirën e Tij të pakufishme. Mbi ne dhe familjet tona, mbi atdheun tonë, mbi kombet e botës mbarë, të ketë mirëqenie, bashkëpunim, respekt, paqe, tolerancë e mëshirë.
Edhe ky Ramazan le të shërbejë si stimulim dhe motivim i mëtutjeshëm në ruajtjen, forcimin, kalitjen e vëllazërisë sonë, e dinjitetit tonë fetar e kombëtar. Të punojmë bashkërisht për çuarjen para të proceseve në të mirë të vendit, të atdheut tonë ku i Madhi Zot na ka krijuar dhe na ka obliguar që t’i dalim zot.
Mirësia e të Madhit Zot le të jetë mbi kombin tonë dhe mbi njerëzimin mbarë!
Me fat festa e Fitër Bajramit!
Myftiu: Naim ef. Tërnava
04.07.2016
Prishtinë