Krahas shumë nxënësve tjerë që po mësojnë Kur’anin përmendësh në Institutin e Hifzit në Gjakovë, këto ditë me një ceremoni solemne filluan hifzin edhe 13 nxënës të rinj.
Në këtë manifestim ishte i pranishëm edhe Myftiu i Kosovës, z. Naim Tërnava me bashkëpunëtor, si dhe atasheu për çështje fetare nga Bashkësia Islame e Turqisë.
Ahmet Hoxha, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjakovë, njëherit nikoqir i këtij eventi, përshëndeti të pranishmit duke iu drejtuar me fjalët: “Ju dëshirojmë mirëseardhje në këtë manifestim madhështor në qytetin tonë të Gjakovës. Gjakovës po i kthehet edhe njëherë ajo epoka e lavdishme, ku nga ky qytet lëshonin rreze nxënësit që mësonin në këtë medrese. Sot po e fillojnë mësimin përmendësh të Kur’anit edhe 13 lule të vendit tonë. Shpresojmë që ta përfundojnë në afatin e paraparë, dhe të mblidhemi përsëri bashkarisht për të inauguruar përfundimin e hifzit të tyre”.

Koordinatori i shoqatës “ISTANBUL”, për Kosovë, z. Ismail Selim, në emër të shoqatës u shpreh: “E falenderojmë Allahun që na mundësoi që sot të jemi këtu bashkë me ju, në këtë ceremoni solemne. Falenderojmë Myftiun e Kosovës për bashkëpunimin e thellë me shoqatën tonë”.
Atasheu për çështje fetare i Bashkësisë Islame “Diyanet” të Turqisë, Abdullah Vasfi Jyzxhe, falenderoi Myftiun për gatishmërinë e shprehur për të bashkëpunuar në të gjitha fushat që ndërlidhen me natyrën e punës së dy bashkësive islame, dhe njëkohësisht porositi dhe këshilloi nxënësit që krahas nxënies përmendësh të Kur’anit, të studiojnë dhe të kuptojnë domethënien e fjalëve të Allahut, gjithnjë duke i vënë në veprim porositë që dalin nga Kur’ani, dhe duke i thirrur të tjerët të punojnë me Kur’an.
Në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myftiu Tërnava ndër të tjera tha:”Krijuesi i kësaj ekzistence, i këtij universi, krijuesi edhe i krijesës më të përsosur mbi sipërfaqen e tokës – njeriut, në vazhdimësi i shpalli, i zbuloi revelatën. i shpalli urdhëra dhe e orientoi drejt që ai t’mos e humbas rrugën që duhet ndjekur gjatë jetës mbi sipërfaqen e tokës. Allahu xh.sh. shpalli shpallje të shumta te shumë pejgamber dhe të gjitha këto i përmblodhi në Kur’anin famëlartë. Ndaj kjo është kryemrekullia e të gjitha mrekullive hyjnore që i Madhi Zot xh.sh. i zbriti në gjithësi. Nuk ka kënaqësi më të madhe, nuk ka asgjë më të mirë, se kur një fëmijë i kësaj moshe mëson nga fjalët e Allahut xh.sh., mban Kur’anin para vetes dhe zotohet se unë jam ai i cili krejt këtë fjalë të Allahut do ta mësoj përmendësh, që më pastaj t’iu përcjell edhe të tjerëve dhe kështu të vazhdoj deri në ditën e ringjalljes. Muhamedi a.s., më i dashuri i pejgamberëve që Allahu e dërgoi mëshirë për mbarë botërat, nga frika se mos do të harrojë diçka nga Kur’ani, filloi të përshpejtojë në përsëritjen e tij, në mënyrë që të mos i kapërcejë asnjë shkronjë që i përcjellej nga meleku Xhibril. Mirëpo Allahu largoi shqetësimin nga zemra e tij, duke iu drejtuar: mos shpejto me gjuhën tënde, sepse puna e mbledhjes dhe tubimit të Kur’anit është punë e të madhit Zot xh.sh. edhe nëse ti (o Muhamed) dëshiron të harrosh diçka, nuk ke mundësi të harrosh, por kur Ne ta lexojmë Kur’anin, përcille atë, dhe shpjegoju njerëzve fjalën e Krijuesit, e cila është e dedikuar për njerëzimin mbarë. Ky ajet i Kur’;anit na bën me dije se në trurin e Muhamed Mustafasë është regjistruar i tërë Kurani, dhe neve na ka mundësuar Allahu që ta mësojmë fjalën e Tij përmendësh. Një e kaluar e sistemit komunisto ateist, një e kaluar që ne nuk dëshirojmë të kthehet më kurrë, ka bërë që  shumë njerëz ta harrojnë fjalën e Zotit. Mirëpo ja, sot jemi këtu ku jemi, falë mëshirës së Zotit, e pastaj edhe punës dhe angazhimit tonë, gjakut të derdhur për liri, dhe sot gëzojmë të drejtën e arsimimit dhe shkollimit pa asnjë pengesë.
Të nderuar të pranishëm, në këtë rast tejet solemn dhe tejet domethënës po i rikthejmë Gjakovës krenarinë e nëpërkëmbur dekada me radhë, krenari e cila nuk i ka shërbyer vetëm njerëzve të vet, por mbarë trevave shqiptare, dhe shumë vendeve të botës. Këta filiza do të bëjnë që t’i kthehet renomeja që Gjakova kishte dikur. Kjo, falë ndihmës së vëllëzërve tanë nga Turqia, të cilët kanë ndihmuar edhe gjatë luftës, edhe pas saj. Do të bashkërendisim punët tona sot dhe në të ardhmen, ashtu si i kemi pasur edhe më herët.
Nga thellësia e shpirtit dhe e zemrës, ju uroj këtyre fëmijëve, i uroj këta premtues të ardhmërisë së vendit tonë, uroj edhe hafizët pedagogë që po punojnë me ta, uroj në veçanti angazhimin e pashoq të z. Rafet Bilaç, si përfaqësues i shoqatës “Istanbul” në Ballkan, që me punën e tyre i dhanë domethënie kësaj shkolle këtu. Andaj, ju nxënës dhe ju prindër të pranishëm në këtë ceremoni, duhet ta ndjeni veten krenar dhe të privilegjuar, sepse Allahu nuk e zgjedh këdo që ta mësojë fjalën e Tij përmendësh. Thotë Pejgamberi a.s.:” Më i miri nga ju, është ai që e mëson Kur’anin për vete dhe ua mëson atë të tjerëve”. Allahu na mundësoftë që gjithherë të lidhemi për fjalën e Tij, për fjalën e Resulullahut a.s., të punojmë me këto fjalë dhe këto porosi, me këto dy burime të fesë sonë të pastër, për të vazhduar rrugëtimin tonë kah ardhmëria e sigurt e këtij vendi, e këtij populli të përvuajtur. Edhe njëherë urime të gjithëve”.
Në vazhdim nxënësit lexuan pjesë nga Kur’ani dhe ilahi, përderisa në përfundim të këtij evenimenti, pedagogu hafëz Safet Hoxha bëri një përshkrim mbi mënyrën  dhe metodologjinë e përdorur për mësimin e Kur’anit përmendësh në këtë institut.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadorin e ShBA-ve, z. Jeffrey Hovenier

Prishtinë, më 10 dhjetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tër…