Më 26 nëntor, nën organizimin e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, u mbajt manifestimi i dhënies së “Menshuras” për Reisul Ulamenë nga Rijaseti i BFI-së, hafëz Shaqir ef. Fetahun.
Ceremonia qendrore u mbajt në xhaminë “Mustafa Pasha” në Shkup, në të cilën përpos myftinjve, hoxhallarëve, xhematlinjve, delegacioneve të shteteve fqinje, mori pjesë edhe një delegacion nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, i prirë nga zëvendësmyftiu Ahmet ef. Rama.
Ai në emrin e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, dhe në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës uroi shëndet e suksese për Reisul Ulamanë, hfz. Shaqir ef. Fetahu. “Kam nderin dhe kënaqësinë që mora pjesë në këtë tubim, duke i uruar shëndet e suksese në punë, me dëshirën që ata që gjenden afër tij të jenë të sinqertë e të bashkëpunojnë, ngase pa marrë parasysh aftësinë e njeriut, nëse nuk ka bashkëpunëtorë të mirë, ai nuk mund të bëj asgjë” – tha zëvendësmyftiu Rama.
Reisi Fetahu u zotua se do të angazhohet me gjithë potencialin e tij fetar e intelektual për një mirëqenie të përgjithshme për myslimanët në këtë shtet dhe që atyre t’u prezantohet Islami në formën burimore, por edhe për ndërtimin e shoqërisë së shëndoshë, ku do të ruhet bashkëjetesa e multikonfesionaliteti. Ai gjithashtu u zotua se do të angazhohet për ngritjen e vetëdijes për paqe, tolerancë, solidaritet dhe humanitet.