23.04.2014
Gjashtëdhjetë e tre nxënës nga fshatrat Bresanë dhe Kuklibeg të Komunës së Dragashit, përfunduan sot hatmen e Kur’anit nën përkujdesjen e imamit të xhamisë së vjetër në Bresanë, Xhevat ef. Fetahu. Nuk është hera e parë që Kryesia e BIK prezenton në këtë fshat për këtë qëllim.

Imami i kësaj xhamie shquhet për punën e tij me nxënës për vite me radhë. Imami na bën me dije se 28 prej këtyre nxënësve përfunduan hatmen e Kur’anit për herë të parë, dhe 35 të tjerë për herë të dytë, tretë dhe katërt. Në Shtëpinë e Kulturës në Bresanë, imami Fetahu, bashkë me nxënësit e tij, kishin përgatitur një program artistik me lexim të Kur’anit, recitim të poezive me karakter fetar e kombëtar dhe ekzekutim të një minidrame, çfarë bëri që salla të emocionohet jashtë mase, duke mos u përmbajtur nga lotët dhe duartrokitjet.
Fillimit të programit i paraprinë disa fjalime përshëndetëse. Në emër të Këshillit të BI në Dragash, tubimin e përshëndeti sekretari Nail ef. Halimi, duke e përgëzuar në të njëjtën kohë imamin Xhevat ef. Fetahu për punën e tij të palodhshme, për tërë këto vite. “Jemi të vetëdijshëm se për të arritë deri në këtë stad, nevojitet të plotësohen kritere, e të bashkëpunojnë disa faktorë, si imami, nxënësit, këshilli i xhamisë, xhemati, prindërit dhe familjarët e tyre, pasi, që të përfundosh një hatme vërtetë është punë mjaft kompleksive”, u shpreh sekretari Halimi.
Në fjalën e tij, Kryeimami i Kosovës, Sabri ef. Bajgora tha se:”është një ndjenjë që vështirë përshkruhet me fjalë, kur gjendesh në mesin e këtyre filizave që sot bëjnë hatme Kur’anin. Të jesh mësues i Kur’anit, t’ua mbjellësh në zemrat e këtyre fëmijëve dashurinë ndaj fjalës së Zotit, është nderi më i madh që mund ta ketë një imam, dhe është për ta pasur lakmi secili prej nesh. Zoti xh.sh. për këtë libër thotë:”ky është libri në të cilin nuk ka dyshim, udhëzues për të devotshmit”. Zoti xh.sh. i ka nderuar ata që në gjoksat, zemrat dhe mendjet e tyre e kanë Kuranin famëlartë. Ky Kur’an përveç se do t’na ndriçojë rrugët e jetës sonë në këtë botë, do të jetë edhe ndihmëtar yni në ditën e Gjykimit që t’na shpjerë në xhennet. Ju përgëzoj të gjithëve, dhe uroj që këta fëmijë të jenë  prijatar të këtij populli në të ardhmen, profesor, mësues, edukator, që nesër me përpjekjet e tyre ta ringjallin me Kur’an këtë popull, t’i edukojnë bezat që vijnë pas tyre me frymën e pastër islame. Me gjuhën e Pejgamberit a.s. është përzgjedhur si më i miri musliman ai i cili e mëson vet Kur’anin dhe ua mëson atë të tjerëve”.
Në përfundim të programit u lexua duaja e hatmes nga kryeimami I KBI Dragash, Xhafer ef, Fejziu, si dhe u shpërndanë certifikata për nxënësit. Në emër të Kryesisë së BIK, imamit Fetahu iu nda një dhuratë modeste nga Sabri ef. Bajgora.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U vu gurthemeli i xhamisë së re në fshatin Shkabaj të Obiliqit

Prishtinë, më 22 nëntor 2024 Me këndim të tekbireve, sot, pas namazit të xhumasë, u vu gur…