Prishtinë, më 7 korrik 2022
Në oborrin e xhamisë “Jashar Pasha” në Prishtinë është hapur të mërkurën ekspozita me fotografi nga konkursi i quajtur “Xhamitë e Kosovës” i organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës për gjatë gjithë vitit të kaluar.
Mbi 200 persona u bënë pjesë e këtij konkursi për të shpalosur vlerat kulturore e fetare nga arkitektura Islame e Kosovës.
Në hapjen e kësaj ekspozite mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cilit tha se xhamitë janë qendra shpirtërore e besimtarëve myslimanë e që përgjatë historisë është shfrytëzuar si objekt fetare, për arsimim dhe për zgjidhjen e problemeve shoqërore.
Iniciatori i këtij konkursit me “Xhamitë e Kosovës”, Bashkim Mehani tha se kjo iniciativë është pritë jashtëzakonisht mirë nga të gjithë dhe se ka kërkesa të përfshihen edhe xhamitë jashtë Kosovës në konkursin e ardhshëm.
Ardian Gashi njëri prej tre fituesve të vendit të parë thotë se një iniciativë e tillë ka qenë e duhura dhe e domosdoshme për të paraqitur vlerat fetare nga arkitektura islame e Kosovës.
Në fund tre fituesve të parë, Myftiu Tërnava iu shpërndau edhe mirënjohje në shenjë falënderimi për pasqyrimin e xhamive të Kosovës. Ky konkurs për fotografi po vazhdon edhe këtë vit, ku tri fotografitë me më së shumti pikë të çdo muaji, futën në garë për t’u bërë pjesë e fotografisë së vitit.