Prishtinë, 10 prill 2014
Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava me bashkëpunëtorë vizitoi Kuvendin Komunal të Hanit të Elezit, ku u prit nga kryetari i komunës, Refki Suma, me të cilin myftiu diskutoi për situatën e përgjithshme në Kosovë, e në veçanti në komunën e Hanit të Elezit. Në këtë kontest, janë vlerësuar lartë raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Komunës së Hanit të Elezit dhe Bashkësisë Islame të Kosovës
Kryetari i komunës, Rufki Suma, Myftiun Tërnava e njohu edhe me rrjedhat e zhvillimeve ekonomike dhe sociale në komunën e Hanit të Elezit.
Ai po ashtu theksoi bashkëpunimin shumë të mirë me BIK-un nga Hani i Elezit me ç’rast përmendi edhe “Marrëveshjen e Mirëkuptimit” ndërmjet komunës së Hanit të Elezit dhe BIK-ut për heqjen e shpenzimeve mortore për të gjithë banorët e komunës.
Myftiu Tërnava duke uruar për besimin e marrë nga qytetarët e Komunës së Hanit të Elezit, uroi kryetarin e komunës Rufki Suma që me mandatin e tij si kryetar i një komune të vogël për shumëçka mund të vlerësohet si model në shtetin tonë.
Myftiu Tërnava tha se Bashkësia Islame e Kosovës ka bashkëjetuar me fatin e popullit të Kosovës dhe gjatë kësaj periudhe ka dhënë kontributin e vet në të gjitha proceset politike e historike të vendit.
Në takim, u biseduan edhe disa dukuri që janë shqetësuese, si pjesëmarrja e të rinjëve të Kosovës në zonat e luftës në Lindjen e Afërt. Si pasojë, ne po përballemi me ngjarje të papëlqyeshme, pasi që disa njerëz tanë janë ndodhur në vende që nuk do të duhej të ishin, me ç’rast përmendi ngjarjet në Turqi dhe në Irak.
Myftiu Tërnava dhe delegacioni i BIK-ut të Kosovës ishin të shoqëruar nga kryetari i Këshillit të BIK-ut në Han të Elezit, Muhamet Suma dhe anëtarë tjerë të BIK-së në Han të Elezit.
Në Han të Elezit, Myftiu Tërnava takoi edhe drejtuesit e këshilli të BIK me të cilët bisedoi për jetën fetare në këtë këshill, si dhe vizitoi Varrezat e Dëshmorëve të kësaj komune dhe xhaminë në fshatin Pustenik.