Fjala e myftiut të Kosovës, Mr. Naim Tërnava në Akademinë përkujtimore me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Mulla Hamit ef. Bytyqi -Sllovia
– E nderuara familja Bytyqi-Sllovia!
– Të nderuar ish-të burgosur!
– Të nderuar veprimtarë ta kauzës kombëtare e fetare!
– Të nderuar pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve!
– Të nderuar të pranishëm!
– Vëllezër e motra!
Më lejon që fillimisht t’ju përshëndes në emër të kryesisë së BIRK, në emrin tim personal, dhe t’u shpreh nderimin e respektin e merituar të gjithë brezave që kontribuuan në çfarëdo mënyre për lirinë e populli tonë;
-të shpreh nderimin e respektin për brezin e luftëtarëve trima që kohët e duhura i dolën zot atdheut, fesë e popullit;
– të shpreh nderimin e respektin për ideologët e çështjes kombëtare,
– të shpreh nderimin e respektin për të gjithë të persekutuarit, të burgosurit, të përndjekurit, të përvuajturin në qelitë e kazamatet sllave e moniste;
-të shpreh nderimin e respektin për të gjithë aktivistët brenda e jashtë vendin të cilët me punën, mundin, sakrificën, gjakun e jetën, në kohë të vështira, dhe gjatë kthesave të mëdha kultivuan në masën e gjerë të popullit idealet e larta për pavarësinë dhe bashkimin e populli tonë në një atdhe e shtet sovran e të lirë.
Vepra sublime e tyre ndër breza e ndër kohë ka bërë të munduar që sot të jemi të lirë dhe ta kujtojmë veprimtarinë e tyre në mënyrë dinjitoze.
Megjithëkëtë, me këtë rast dua që të them se obligimi ynë ndaj tyre nuk përfundon këtu, vetëm t’i kujtojmë në përvjetorë, por ne si shoqëri, ashtu edhe si institucione, që të gjithë, jemi të obliguar që përpos kujtimit meritor, të angazhohemi që të jetësojmë në praktikë rrugën dhe idealet për të cilat brez pas brezi bijtë dhe bijat tonë më të mirë u sakrifikuan, duke u flijuar.
Përkitazi me këtë Alluhu xh. sh. në Kurani thotë:
”U është dhënë leje të luftojnë atyre që po sulmohen me luftë, për shkak se u është bërë e padrejtë, e Allahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (myslimanëve). (U lejuan të luftojnë) U dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte ata që nuk thanë gjë tjetër: Allahu është Zoti ynë! ….(El-Haxhxh, 39 -40)
Të nderuar të pranishëm!
Jemi bashkuar sot, në këtë akademi përkujtimore, në 10 – vjetorin e ndarjes nga ne dhe nga kjo botë, e hoxhës, alimit e atdhetarit të shquar e të devotshëm mulla Hamit ef. Bytyqi – Sllovia, i cili me punën, angazhimin dhe veprimtarinë e tij, prej atdhetari, aktivisti e patrioti të përkushtuar; pastaj angazhimi e kontributi i tij si imam, alim e predikues, është shembull se si duhet përkushtuar për vatan, për komb e fe.
Që në fillim dua të them se edhe mulla Hamiti është vazhdimësi e hoxhallarëve e ulemave që u angazhuan, sakrifikuan, luftuan e edhe shumë nga ta ranë edhe shehid-dëshmor për lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare.
Për këtë Kurani thotë:
”Vërtet Allahu i do ata që luftojnë në Rrugën e Tij, të rreshtuar sikur të jenë një ndërtesë e fortifikuar”. (Saff,4)
Mulla Hamiti u lind në një familje fetare e patriotike në fshatin Sllovi të Lipjanit më 20.07.1919. Rrjedh nga një familje hoxhallarësh, babai i tij, Mulla Hajdini, i biri i Mulla Sefës, ishte imam në xhaminë e fshatit.
Edhe Hamiti vazhdoi rrugën e të parëve, kështu më 1938 regjistrohet në medresenë “Pirinazi” në Prishtinë, tek myderrizi dhe patrioti i mirënjohur, Ahmet ef. Mardoçi, i cili ishte anëtar i Ballit Kombëtar. Gjatë shkollimit të tij mulla Hamiti u anëtarësua në Organizatën e Rinisë të Ballit Kombëtar, të Lidhjes së II-të të Prizrenit.
Si nxënës i medresenë “Pirinazi”, mulla Hamiti dëshironte t’i zgjeronte edhe më dituritë tjera, kështu që pasdite ndiqte mësimet edhe në gjuhën shqipe në shkollat e Prishtinës.
Nga historia janë të njohura luftërat dhe sakrificat që ka bërë populli ynë për të mbrojtur kauzën fetare dhe kombëtare, sidomos nga viti 1878 e këndej, kur trojeve tona iu vërsulën fqinjët tanë për të gllabëruar sa ma shumë pjesë të këtij trualli, për të dëbuar e shfarosur popullatën autoktone dhe për të shkatërruar gjithë ato që ky popull kishte ndërtuar ndër shekuj. E, megjithëkëtë, populli ynë u bëri ballë dhe me shumë mund e sakrificë, trimëri e heroizëm arriti të ruante qenien dhe identitetin e tij. Për këto arritje dhe për këtë aftësi shembullore, një meritë të madhe dhe rol me rëndësi, pa dyshim që, përveç të tjerëve, kanë luajtur edhe ulematë shqiptarë, të cilët jo vetëm që i folën dhe e këshilluan masën për rëndësinë dhe domosdoshmërinë që ka mbrojtja e Atdheut dhe e identitetit kombëtar e fetar, por edhe u vunë vetë në ballë dhe i prin popullit në luftë kundër armiqve tanë gjithandej trojeve tona etnike, si Hfz. Vehbi Dibra, Hfz. Ali Korça, Hfz. Ibrahim Dalliu e shumë të tjerë. Dhe jo vetëm kaq, po shumë nga ata ranë shehidë në altarin e lirisë në mbrojtje të trojeve tona shekullore, për të mos vdekur kurrë, siç ishin myderriz haxhi Ymer ef. Prizreni, myderriz Haxhi Zeka, mulla Idriz Gjilani, myderriz Haki ef. Sermaxhaj dhe shumë të tjerë, të cilët e jetësuan dhe çuan në vend amanetin e kultivuar nga tradita islame”Mbrojtja e vatanit është pjesë e imanit”.
Sa ishte nxënës i medresesë, nuk u pajtua kurrë me pushtuesit e huaj dhe në gusht të vitit 1944 rroku pushkën në dorë dhe mori pjesë në luftën e përgjithshme të mbrojtjes kombëtare në vise të ndryshme të Llapit dhe të Gallapit, kundër serbëve dhe bullgarëve.
Mulla Hamiti më 1944, nuk u pajtua as me ripushtimin e Kosovës nga ana e Jugosllavisë.
Më 1945, mulla Hamiti shkoi në Prizren për t’i vazhduar mësimet e mbetura, pasi që medresenë e Pirinazit në Prishtinë e kishin mbyllur pushtetarët. Në Prizren, mësimet i vazhdoi te muderrizi Hasan ef. Nahi. Edhe në Prizren që nga viti 1946, Organizata NDSH zhvillonte aktivitetet duke përfshirë në radhët e veta një numër të konsiderueshëm hoxhallarësh dhe nxënës të medresesë së Prizrenit, ku bënte pjesë edhe mulla Hamit Sllovia. Në një mbledhje të organizuar nga Këshilli i rrethit të atëhershëm nga funksionarët politik të asaj kohe, në të cilën merrnin pjesë edhe Ali Shukriu, Xhavit Nimani, Stanoje Aksiç e të tjerë, për të marrë vendim se në cilën gjuhë do të punonte administrata e Vakfit (Bashkësisë Islame) dhe Medreseja (1946), të cilët preferonin që administrata në Bashkësinë Islame të punonte në gjuhën serbokroate, mulla Hamit Sllovia këmbënguli që administrata në Bashkësinë Islame të punonte në gjuhën shqipe ( kështu rrëfente hfz. Jakup Muqeziu – anëtar i NDSH-së dhe hoxhë në Prizren, i cili vuajti mbi 12 vjet në burgjet serbe).
Aktiviteti i mulla Hamitit nuk u ndal me kaq. Më 1949 arrestohet dhe burgoset në Lypjan, kurse më 30 prill 1949 arrin të ikë nga burgu i Lypjanit e të strehohej në bjeshkët e Zhegovcit, ku qëndroi 45 ditë. Gjatë kësaj kohe ia arrestojnë babanë dhe dy vëllezërit e tij, me kusht që mulla Hamiti të dorëzohej, ia demolojnë shtëpinë, ia maltretojnë anëtarët e familjes, kështu që detyrohet të dorëzohet. Me arrestimin e dytë dënohet me 7 vjet heqje lirie dhe dënimin e vuan nëpër burgjet e Serbisë, – në Prishtinë, Leskovc e Nish.
Gjatë vuajtjes së dënimit e kishin torturuar pa masë, e kishin ndëshkuar me punë të rënda dhe e kishin mbajtur të izoluar. Krahas gjithë këtyre torturave, nuk arritën dot t’ia thyenin moralin fetar e as kombëtar. Ai Asnjëherë nuk e la namazin e agjërimin. Asnjëherë nuk arritën ta detyronin të revidonte qëndrimin e tij politik, por gjithherë u prezantua ashtu siç ishte – patriot e fetar i paluhatur, dhe stoik në idealet e veta.
Më 1956 lirohet nga burgu i Nishit. Atë nuk e lejojnë të punësohet askund, as si imam në xhaminë e fshatit, e as në fshatrat përreth.
Më 1962, nga presionet politike të pushtetit, detyrohet të shpërngulet në Prishtinë. Më 1963 Bashkësia Islame i ofron detyrën e muezinit në xhaminë e Çarshisë në Prishtinë, kurse më 1964 emërohet imam në xhaminë “Jashar Pasha”, ku kryen detyrën e imamit, hatibit dhe mualimit deri me pensionimin e tij, më 1998. Edhe gjatë kësaj periudhe pushteti nuk e la të qetë, e përcillte në çdo hap.
Disa herë u mor në pyetje dhe iu shtrua presionit për idealet dhe qëndrimet e tij, për shkak se kinse ligjëratat e tij ishin politike, nacionaliste e të tjera.
Ishte i afërt me të gjithë, i kuptueshëm dhe fjala e tij mirëpritej çdo herë.
Në vitin 1999 Përjetoi tmerrin e kampit famëkeq të Bllacës, në shi e në baltë. Gjatë tërë kohës së udhëtimit, prej derës së shtëpisë, në tren e në Bllacë asnjëherë nuk pushoi së qari. Qante për Kosovën, dhe s’mund të gjente ngushëllim për veten.
Me kthimin e popullatës së Kosovës nga Maqedonia, disa e pyesnin:
– A na erdhi liria, Hoxhë efendi?
– Jo, kjo nuk është liri e plotë, por, janë ca shkëndijëza të lirisë! Nga ne varet se sa do të rritet flaka e lirisë. Themelet i janë vënë, por për ta ngritur lypset edhe shumë e më shumë punë.
Hoxhë Hamiti, s’kishte si të ishte i kënaqur me këtë kur tërë jetën e vetë ishte dhe mbeti luftëtarë i Shqipërisë Etnike.
Mulla Hamiti me mish e me shpirt ishte kundër përçarjeve, sidomos kundër gjakderdhjes në mes vëllezërve shqiptarë. Merrte pjesë në pajtimin e gjaqeve e ngatërresave të ndryshme. Pajtoi rreth 47 gjaqe dhe disa familje të ngatërruara.
Ishte i palodhshëm në punë me xhematin dhe vijuesit e mësimbesimit. Të tillë e mbajnë në mend shumë gjenerata. Të tillë e kujtojnë edhe kolegët e vet, të cilët patën respekt e konsideratë për veprën madhore të hoxhës.
Zoti e mëshiroftë shpirtin e përvuajtur dhe fisnik të mulla Hamit Sllovisë dhe gjithë bashkëveprimtarëve të kauzës kombëtare e fetare.
E Kurani fisnik thotë: “Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që u vranë në Rrugën e Allahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë e të furnizuar te Zoti i tyre”. (Ali-Imran, 169)
18 maj 2010 Mr. Naim Tërnava