Data 3 maj 2016, e cila në kalendarin hënor përkoi me natën e bekuar të Israsë dhe Miraxhit, mblodhi besimtarë të shumtë të Gjilanit e më gjerë, në xhaminë Qendrore të kësaj komune, të cilët patën kënaqësinë që me ligjëratën e përgatitur nga kryeimami i BIK të Kosovës Sabri ef. Bajgora, të freskonin shpirtin, zemrat dhe mendjet e tyre.
Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, Naim ef. Aliu – kryetar, i përshëndeti të gjithë pjesmarrësit dhe u dëshiroi mirëseardhje, e njëkohësisht e shpalli të hapur këtë manifestim.

Ashtu siç e kemi mësuar që në vegjëli që çdo punë  e hajrit të fillohet me përmendjen e emrit të Zotit xh.sh., dhe kjo tashmë është pjesë e pandarë e jetës tonë, Besir Musliu lexoi pjesë nga kaptina “el ahzab”, versetet 21-24.
Në emër të Myftiut dhe Kryesisë së BIK, kryeimami Bajgora iu uroi këtë natë të bekuar, këtë natë të madhe të Israsë dhe Miraxhit, jo vetëm të pranishmëve në xhami, por edhe të gjithë qytetarëve të Gjilanit që do ta ndiqnin këtë event nëpërmes mediave vizive lokale. Bajgora tha se kjo  ngjarje në këtë natë na përkujton zgjatjen e dorës së mëshirës hyjnore drejtuar pejgamberit tonë Muhamed Mustafasë, vulës së të gjithë pejgamberëve, paqa dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të.
“Kjo natë përkon me kohët më të vështira që përjetonte i dërguari i Allahut. Në momentet më të vështira të jetës së tij, kur atij i vdiq xhaxhai i tij Ebu Talibi, kur i vdiq bashkëshortja e tij besnike Hadixheja dhe kur u refuzua nga banorët e Taifit në mënyrën më të vrazhdë dhe tallëse të mundshme, atëherë i madhi Zot robin e tij të dashur, njeriun që e kishte përzgjedhur nga mbarë njerëzimi që ta përfundonte revelatën dhe shpalljen hyjnore MUhamedin a.s. e nderoi me nderimet më të larta që nuk i pati asnjë pejgamber dhe nuk i përjetoi kurrë më parë asnjë krijesë njerëzore. E nderoi pikërisht në këtë natë, për të cilën flasin ajete nga Kurani i Madhërishëm, ndër to: “ I pa të meta është Ai që e udhëtoi, e barti robin e Tij nga Qabja e bekuar në mesxhidi Aksa, rrethinën e së cilës e kemi bekuar …”, e ky bekim nënkupton kiblen e muslimanëve për 16 muaj, dërgimin e shumë pejgamberëve që të udhëzonin popullin në rrugën e drejtë dhe të vërtetë. Allahu deshi t’i ndërlidhë të dy faltoret islame në një udhëtim…. Muslimanët qe 14 shekuj e tutje jetojnë në përkujtimin e kësaj nate të bekuar, e kësaj ngjarje madhështore të Israsë dhe Miraxhit, dhe kjo ndodhi e mbinatyrshme, kjo mrekulli nuk erdhi që ta përkrahte e ta fuqizonte fenë Islame, por erdhi për përkrahjen e të Dërguarit të Tij, t’i bëhej me dije se mëshira hyjnore, kujdesi i Allahut do të jetë gjithmonë me ty dhe pranë teje. Ky ishte një mesazh i fuqishëm nga Zoti se nëse banorët e Tokës do të të refuzojnë o Muhamed, do të të përqeshin e do të të tallin, ta dish se Ti je i respektuar e i lëvduar nga banorët e qiellit. Prandaj mos u brengos dhe mos u përul para sfidave dhe pengesave gjatë  kryerjes  së misionit me të cilin je ngarkuar.
Allahu xh. sh. E zgjodhi këtë natë, për ta përcjellë në lartësitë e paimagjinueshme të këtij kosmosi dhe kësaj ekzistence, ngjarje që muslimanët e vërtetë i fuqizoi edhe më tepër në besimin e tyre, ndërsa të luhatshmit i largoi fare, ngase Islami kërkon njerëz të sinqertë, burra të ditur e të guximshëm që e pranojnë besimin e pastër, sepse kjo është natyrshmëria e lindur në vetë trupin tonë si dhuratë nga Zoti xh.sh.  urtësia e tërë kësaj qëndron në atë se Allahu deshi që së pari Pejgamberi të udhëtonte për në Aksa, që t’ua bëjë me dije të gjithë Pejgamberëve të kaluar se tani ka ardhë koha kur është plotësuar ky varg i pejgamberëve dhe se shpallja ishte plotësuar”, u shpreh kryeimami.
Kryeimami Bajgora elaboroi me mjaft finesë edhe udhëtimin e Miraxhit si një kapitull tjetër në vete, në të cilin fshihen mjaft urtësi nga të cilat përfiton secili prej nesh.
Këtë manifestim me prezencën e tyre e nderuan edhe kryetarët e BI të Vitisë dhe Kamenicës me bashkëpunëtorë, derisa kryeimami Bajgora shoqërohej nga asistenti i tij Fatmir Iljazi, këshilltari i Myftiut Vedat Sahiti dhe ndihmës sekretari Rexhep Luma.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Filloi viti i ri akademik në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë

Prishtinë, më 2 tetor 2024 Sot, me një ceremoni solemne ka filluar viti i ri akademik në F…