Në mëngjesin e datës 17 korrik 2015, pas përfundimit të muajit të madhëruar Ramazan, në të gjitha xhamitë e Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, solemnisht u kremtua Fitër-Bajrami. Manifestimi qendror kushtuar festës së Fitër-Bajramit u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ndërsa nisi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Vedat ef. Sahiti, e pas tij për besimtarët u dha një program me ilahi, kaside e këndim Kurani.
Ligjëratën tematike kushtuar festës së Fitër-Bajramit e mbajtën Kasim ef. Gërguri, i cili përveç tjerash tha se Dita e Fitër-Bajramit është ditë e festimit, e gëzimit dhe paqes, mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njëri-tjetrin.
Më tutje Kasim ef. Gërguri foli edhe për vlerën e festës së Fitër-Bajramit, që vjen pas përfundim të Ramazanit, ndërsa veçoi: “Sot kemi kryer një obligim njëvjeçar, duke plotësuar numrin e ditëve të Ramazanit. Sot falënderojmë Allahun si kurrë më parë, që na udhëzoi në rrugë të drejtë, dhe që arritëm në Ditën e Bajramit!”
Namazit të Fitër-Bajramit i priu Sabri ef. Bajgora -kryeimam i BIK-ut, ndërsa Hytben e Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava, i cili edhe iu drejtuar opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë.
“Sot është ditë feste. Sot feston bota mbarë. Feston pasi që besimtarët kanë përfunduar agjërimin e muajit Ramazan, muajit në të cilin I Madhi Zot xh.sh. e zbriti Kuranin, libër udhërrëfyes, dhe udhëzues për mbarë njerëzimin. Falënderojmë Krijuesin e këtij Universi që na dha mundësinë ta përjetojmë këtë muaj, nën hijen e vazhdueshme të Kuranit, mëshirës, urtësisë e begative të shumta që ky muaj solli për besimtarët. Kaluam një muaj në adhurim të përhershëm ndaj Krijuesit, me qëllim përfitimi të kënaqësisë së Tij, dhe shpërblimeve të shumta, të cilat vijnë si rezultat i angazhimit tonë pozitiv gjatë këtij muaji të Mëshirës. S’ka dyshim se agjërimi na e forcoi edhe më tepër bindjen tonë në Allahun Një, dhe në dashurinë e madhe ndaj njeriut më të dashur të Allahut xh.sh., pejgamberit të fundit, Muhamedit a.s. Duke e ditur se Allahu xh.sh është Krijuesi i njeriut dhe përcaktuesi i çështjes së tij, detyra e parë e njeriut në këtë mision mbi tokë është njohja mirë e Zotit të tij, ashtu siç meriton të njihet dhe të adhurohet Ai. E gjithë Zbulesa hyjnore te të gjithë pejgamberët e dërguar nga ana e Allahut thërret në besim dhe adhurim në Zotin Një, prandaj edhe porosia e Muhamedit a.s. ishte: Adhuroje Allahun, ngase vetëm Ai meriton të adhurohet. Dhe mos i bëj rival Atij, se vetëm Allahu e mbikëqyr këtë univers, se vetëm Ai meriton të adhurohet, dhe se njeriu duhet që patjetër me angazhimet e tij t’i japë domethënie jetës mbi tokë, përmes përkushtimit, devotshmërisë, arsyes dhe angazhimit”, tha ndër të tjera Myftiu Naim ef. Tërnava.
Myftiu Tërnava në mesazhin e tij rendësi të veçantë i kushtoj sigurisë, paqes e tolerancës si dhe marrjes së masave kundër ekstremizmit, për çka edhe u shpreh: “Nuk ka asgjë më me rëndësi në një shoqëri sesa përkushtimi i të gjithëve për siguri, paqe, harmoni, mirëbesim, respekt e nderim ndaj njëri-tjetrit. Duhet të tregohemi shumë syçelë ndaj asaj që po ndodh sot nëpër disa shtete nëpër botë, si luftë, terror e vrasje, në mënyrë që kjo të mos reflektohet edhe në vendin tonë! E kemi obligim të shenjtë ta ruajmë vatanin tonë si sytë e ballit, ngase këtë e kemi amanet atdhetar e fetar. Nuk guxojmë me asnjë çmim të lejojmë që dikush t’i bëjë keq vendit tonë, duke futur pasiguri, mosbesim e vëllavrasje mes nesh. Nga ky vend i bekuar, më tërë fuqinë e zemrës, shpirtit dhe fjalëve tona, e rikonfirmojmë edhe një herë përkushtimin e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, dhe të besimtarëve myslimanë, pra se jemi kundër çdo ekstremizmi, të çfarëdo ngjyrimi fetar qoftë, si dhe kundër terrorizmit në emër të fesë. Vetëm të bashkuar e unikë në qëllimet tona për mbrojtjen e atdheut tonë do të pengojmë me kohë çdo përpjekje për destabilizimin e shoqërisë sonë, nga kushdo qoftë. Siguria, mirëqenia dhe interesi i vatanit duhet të jetë mbi interesat tona, se përndryshe nuk e kemi kryer amanetin e marrë nga I Madhi Zot nëpërmjet porosive të Kuranit famëlartë dhe atyre të Muhamedit a.s.”, tha Myftiu Tërnava.
Edhe duan e namazit të Fitër-Bajramit e bëri myftiu Tërnava pas së cilës i uroj të gjithë besimtarët.{gallery}fb15{/gallery}