Të shtunën, më 28 mars 2015, në Prishtinë, Fakulteti i Studimeve islame mbajti sesionin shkencor “Migrimi i shqiptarëve, shkaqet dhe pasojat – 1912/2015”, në të cilin historianë, teologë, publicistë e studiues të fushave të ndryshme, duke marrë shkas migrimin e fillimvitit të popullatës shqiptare nga Kosova drejt vendeve të BE-së, diskutuan fillimisht migrimin gjatë historisë, për t’u ndaluar me një vëmendje të posaçme në shkaqet, rrethanat dhe klimën e krijuar për migrim të popullatës shqiptare, edhe në këtë kohë.

Në fjalën përshëndetëse zv/kryetari i Kryesisë së BIK-ut, Reshat ef. Mexhidi, përveç tjerash tha: “Përgëzoj organizatorin, Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë, që ka ndërmarrë këtë nismë për trajtimin e çështjes së migrimit, duke e vështruar nga aspekti historik dhe ai aktual, e që po gëlltit një pjesë të popullit tim, dhe atë pjesën më vitale të tij”, tha me këtë rast Mexhidi.
Ai ritheksoi faktin se fenomeni i migrimit – hixhretit siç njihet tek myslimanët – pra lëvizjes së njerëzve për shkaqe dhe arsye të ndryshme, është i vjetër sa edhe vetë njerëzimi. Më tutje, duke folur për migrimin te populli ynë, Reshat ef. Mexhidi tha: “Edhe në historinë tonë kombëtare migrimi është më se i njohur; ai u përsërit në ne ndër vite e periudha të ndryshme, e u karakterizua me shkaqe, arsye, rrethana dhe pasoja të ndryshme, nga njëra periudhë në tjetrën. Me gjithë dhimbjet dhe ndjesitë që ka sjellë migrimi në popullin tonë, ç’është e vërteta, ishte pikërisht kjo pjesë e ndarë nga trungu ynë që kurrë nuk e harroi vendin e vet, dhe kontribuoi dukshëm në mbijetesën dhe çlirimin e atdheut. Nuk mund të lë pa përmendur këtu mërgatën shqiptare në Turqi – Stamboll e gjetkë, në Sofje, Bukuresht, Egjipt-Misir, Liban, Siri, Jordan, ShBA, Evropë, Australi, e vende tjera, të cilët ishin zëri më i fuqishëm i atdheut të tyre”, tha zv/myftiu Mexhidi.
“Ç’është e vërteta, vendi ynë edhe këto ditë po përballët me migrimin, që për shumëkënd është i pashpjegueshëm dhe i paarsyeshëm. Natyrisht që ky fenomen ka shkaqet, rrethanat dhe pasojat e veta, e për të dhënë fakte dhe shpjegime për të gjitha këto sigurisht që më meritorët dhe më kompetentët janë hulumtuesit – njerëzit e dijes, studiuesit e mirëfilltë, pjesëmarrës në këtë sesion shkencor, të cilët do ta thonë fjalën e tyre”, përfundoi fjalimin e tij zv/kryetari i Kryesisë së BIK-ut, Reshat ef. Mexhidi, duke shtuar: “Shpresojmë që ky tubim i sotëm të jetë një hap i mirë për ndriçimin dhe trajtimin e këtij fenomeni, dhe përfundimisht i bereqetshëm për popullin dhe vendin tim. Shpresoj që këtë tubim ta mbulojnë melaqet – engjëjt më krahët e mëshirës dhe lutjes së tyre, që ju dhe të gjithë ne të jemi të shpërblyer prej Allahut”, përfundoi Mexhidi.
Ndërsa në fjalën e hapës, dekani i FSI, dr. Fahrush Rexhepi, tha: “Organizimet e tilla janë të rëndësishme veçmas kur Kosova po zbrazet për çdo ditë e më shumë, e veçmas nga rinia e saj, edhe pas 15 vjet çlirimi nga pushtuesi shekullor serb, dhe 8 vjet pas Pavarësisë”, tha Rexhepi, duke shtuar se nëse nuk merren masa sa më shpejt dhe me urgjencë për ta ndaluar këtë eksod, duke u garantuar një jetë më të mirë qytetarëve, atëherë këta të rinj dhe këto familje nuk do të kthehen në Kosovë. “Ne mendojmë se ky eksod i ikjes së shqiptarëve sot ka karakter krejtësisht tjetër nga periudhat tjera të migrimit. Tani popullata jonë po migron për të mos u kthyer më, ashtu siç ndodhi me shqiptarët e Shqipërisë gjatë vitit 1991-1992”, tha Rexhepi. Krejt në fund ai shtoi se trajtimi i kësaj teme të gjerë është një ndihmë më shumë për zgjidhjen e këtij problemi të shoqërisë tonë, i cili ka nevojë për ndriçim që vjen nga studiues mendjendritur, që merren me hulumtime dhe që sjellin të vërteta shkencore për të cilat kemi nevojë të gjithë”.
Në emër të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës, sesionin e përshëndeti akademik Mehmet Halimi, i cili ndër të tjerat tha: “Tema bosht është sa aktuale aq edhe reale, sa e nevojshme dhe e domosdoshme, të themi aq edhe urgjente, që ta mbrojmë truallin e atdhenë si shqiponja folenë; duaje vatanin, në daç me e plasë dushmanin!”, tha akademik Halimi.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…