I nderuari Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu
I nderuari reis i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, Hfz. Shaqir ef. Fetahi
Kryetar i Kuvendit të BI të Kosovës Ajni ef. Sinani
I nderuari drejtor i Institutit për Hulumtime dhe Studime islame, z. Sabi Bajgora,
Ju përfaqësues të institucioneve të BI të Kosovës, bashkëpunëtorë të mi, pedagogë e posaçërisht ju studiues që sot jeni këtu me kontribute,
Të nderuar të pranishëm!
Fillimisht më lejoni t’ju përshëndes e t’ju falënderoj në emrin e Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saja dhe në emrin tim personal për kohën që keni ndarë që të jeni sot me ne në këtë aktivitet që i kushtohet një përvjetori të rëndësishëm për kulturën dhe historinë tonë.
Zoti në Kuranin fisnik na urdhëron duke na thënë ..
“Punoni, se vërtetë punën tuaj do ta shoh Allahu , Pejgamberi dhe besimtarët“, prandaj me lejoni qe me këtë rast të përgëzoj e falënderoj Institutin për Hulumtime e Studime Islame (IHSI) në krye me drejtorin, z. Sabri Bajgora që kanë ndërmarr këtë hap për të shënuar 100-Vjetorin e daljes në dritë të përkthimit të Kuranit nga rilindësi ynë i shquar, Ilo Mitkë Qafëzezi, në formën më të mirë duke organizuar Konferencë shkencore kushtuar kësaj vepre.
Siç dihet, këtu e një shekull më parë, falë punës e angazhimit të bashkatdhetarit tonë në mërgim, Ilo Mitkë Qafëzezit, më konkretisht në Ploeshti të Rumanisë, më 1921, e pa dritën e botimit edhe një pjesë e Kuranit e përthyer në gjuhën shqipe, duke shënuar kështu hapin e parë për përkthimin e Kuranit në gjuhën tonë dhe kështu u dëshmua konkretisht se populli ynë, gjuha jonë dhe qarqet tona intelektuale janë të zotët e të gatshëm që edhe vepra siç janë Libri Hyjnorë Kurani t’i bëjnë pronë të kulturës tonë dhe t’ua mundësojnë njerëzve tanë që t’i kuptojnë ata dhe të iluminohen me kuptimin dhe mësimet e tyre.
Përkthimi i Kuranit në cilindo gjuhë, në çdo kohë e në çdo rrethanë paraqet një akt të rëndësisë së veçantë, aq më tepër kur kjo bëhet për herë të parë dhe aq më shumë kur dihet se Kurani është libër i shenjtë i myslimanëve, është themeli i fesë së tyre dhe burim i dinit islam e me ndikim të pakontestueshëm në jetën e tyre.
Populli ynë, ka shekuj të tërë që bashkëjeton me Kuranin, jeton e vepron me mësimet e mirësitë e tij, edukohet, ndërgjegjësohet e fisnikërohet me porositë e këshillat e Kuranit të Madhëruar. Dhe jo vetëm kaq, por shqiptarët që herët u përfshinë në dinamiken kuranore, duke dalë nga radhët e shqiptarëve personalitete të shquara që e kanë njohur, e kanë komentuar, e kanë studiuar e interpretuar Kuranin ndër shekuj. Mirëpo, për shumë arsye, shqipërimi i Kuranit, krahasuar me popujt tjerë, është relativisht i vonë. Është i vonë edhe për shkaqet dhe rrethanat e njohura të cilat e vonuan edhe botimin e literaturës së përgjithshme në gjuhën shqipe.
Botimi i përkthimit të Kuranit nga Ilo Mitkë Qafëzezi, sikurse e theksuam, vjen në duart e shqiptarëve në vitet e ‘20 të shekulli të kaluar, po thuaj se një dekadë pas pavarësisë së shtetit Shqiptarë dhe në kohën kur konsolidohen, themelohen dhe fillojnë veprimtarinë e tyre institucionet kryesore shtetërore, arsimore, kulturore e fetare.
Vepra e Qafëzezit, megjithëse një vepër e rëndësishme e botuar dhe realizuar në një kohë delikate e plotë kthesa për popullin tonë; një vepër e realizuar nga një bashkëkombës i ynë ortodoks për vëllezërit e tij myslimanë, për çudi, as dje e as sot, nuk ka marrë vëmendjen e duhur të studiuesve dhe as vendin meritor në historinë e literaturës shqipe.
Edhe kur është përmendur, ç ‘është e drejta, është përmendur fare kalimthi, sa kohë që, një vepër e tillë, – pavarësisht se në fushën e përkthimeve të Kuranit në gjuhën shqipe tashmë është tejkaluar, – ajo pa diskutim mbetët një ndër veprat më të rëndësishme për kohën kur është botuar dhe për qëllimin që ka mbartur si vazhdimësi e frymës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Prandaj, është detyrë e studiuesve tanë, që këtë vepër ta trajtojnë shkencërisht dhe me kompetencë.
Në këtë rrafsh, e vlerësoj dhe e quaj me vend, organizmin e kësaj Konference nga Instituti për Hulumtime e Studime Islame. Kjo Konferencë, jam i bindur, se do të (ri)sjell në vëmendje të studiuesve dhe të interesuarve veprën e Qafëzezit dhe do të shënojë një hap të parë, por domethënës, për trajtime të mëtejshme të përkthimit të Kuranit në gjuhën shqipe nga Ilo Mitkë Qafëzezi.
Pa dashur që të zgjatëm më shumë, më lejoni që të them edhe këtë, se vepra e Ilo Mitkë Qafëzezit ka edhe një dimension tjetër, ajo në kohën kur u botua, provokoi debate, por mbi të gjitha përshpejtoi përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe nga teologët kompetentë myslimanë të kohës, siç ishin dijetarët dhe prijësit e shquar Hafiz Ali ef. Korça, Hfz. Ibrahim ef. Dalliu, Hfz. Vehbi ef. Dibra etj.
Të nderuar të pranishëm!
Të nderuar studiues
Konferenca e sotme është aktiviteti i parë shkencor i organizuar nga Instituti për Hulumtime e Studime Islame i cili është themeluar rishtazi, prandaj më lejoni që ta përgëzojë edhe një herë për këtë nismëë, me shpresën se Instituti do të vazhdojë me organizime të tilla jo vetëm për të vlerësuar përkthimin e Qafëzezit por edhe të përkthyesve të tjerë të Kuranit në gjuhën shqipe dhe po ashtu edhe për ndriçimin e trashëgimisë dhe kulturës tonë shqiptare islame.
Bashkësia Islame e Kosovës do të mbështesë dhe përkrahë çdo iniciativë, projekt dhe aktivitet, jo vetëm në kuadër të institucioneve të saja, por edhe në bashkëpunim me bashkësitë tona simotra – në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, sepse njohja e të kaluarës sonë të begatë, është obligim i yni, ngase na garanton një të ardhme më të sigurt.
Në fund, dua të rikonfirmoj edhe një herë se Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet paluhatshëm në shërbim të Kuranit dhe vlerave të tij, sepse ajo punon me Kuran dhe aty mbështetet.
Duke ju dëshiruar sukses dhe punë të mbarë në këtë konferencë, ju falënderoj dhe lus Allahun xh.sh. që t’ju shpërblejë dhe t’ju begatojë për kontributin tuaj!
Prishtinë, 21 shtator 2021
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava