Të nderuar të pranishëm!
Allahu xh.sh. u bëri thirrje të vazhdueshme njerëzve për kërkim të diturisë duke e ruajtur korrespondencën mes qiellit, tokës, njeriut e lapsit, ndaj edhe në shpalljen e fundit dedikuar njerëzimit mbarë, edhe pse mes Isait a.s. dhe Muhamedit a.s. ishin afër gjashtë shekuj, Allahu xh.sh., në fjalën apo ajetin e parë të zbritjes, nuk kërkoi që Ai të adhurohet dhe falënderohet, por kërkoi lexim, mësim e studim.
Allahu xh.sh. thotë:
“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë). Krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur (në mitrën e nënës). Lexo! Se Zoti yt është më bujari”.
Pastaj ajeti:
“Nun, betohem në penën dhe në atë çka shkruajnë”
Muhamedi a.s. thotë:
”Kërkimi i diturisë është obligim për çdo mysliman dhe myslimane”.
Ndaj, në emër të kësaj, më lejoni që fillimisht t’ju shpreh mirëseardhje dhe t’ju përshëndes në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës,të institucioneve të saj dhe në emrin tim personal!
Kam nderin që marr pjesë në këtë aktivitet me të cilin shënohet 60-vjetori i veprimtarisë së literaturës islame në gjuhën shqipe në Kosovë.
Këtu e gjashtë dekada më parë, udhëheqja e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe ulemaja e vendit tonë, megjithëqë në kushte jo të favorshme, por të vetëdijshëm e të përgjegjshëm për rëndësinë që ka fjala e shkruar, të vetëdijshëm për rëndësinë që i ka dhënë Allahu në Kuran kërkimit të diturisë, të vetëdijshëm për rëndësinë dhe peshën që arsimit, dijes e fjalës së shkuar i kishte dhënë pejgamberi Muhamedi a.s., si dhe duke parë domosdoshmërinë dhe nevojën e besimtarëve myslimanë për të marrë njohuritë themelore për fenë e tyre në gjuhën e tyre, në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, pas një sërë vendimesh të mëdha që i kishin marrë më herët; mori vendimin, që është ndër më të rëndësishmet vendime, për të filluar edhe me veprimtarinë botuese, pra për të botuar literaturë islame në gjuhën shqipe. Kështu në vitin 1957 Bashkësia Islame e Kosovës arriti që të botonte doracakun “Ilmihali i vogël” në gjuhën shqipe. Ky doracak ndonëse i vogël në vëllim dhe pa ndonjë titull të zmadhuar, për shumë arsye, hyri në histori.
E para, sepse përmbajtja e tij ishte shumë domethënëse, sepse ai bënte fjalë për shartet e fesë islame që tani e tutje do të lexoheshin e mësoheshin edhe në gjuhën shqipe dhe për një shtresë të madhe të lexuesve.
E dyta, sepse ky Ilmihal u bë ai guri themeltar i literaturës islame në gjuhën shqipe te ne.
Dhe e treta, sepse ky botim përligji edhe një herë konstatimin se veprat e mëdha lindin nga gjëra të vogla.
Dhe vërtet kështu ndodhi, sepse vargu i literaturës islame, i cili nisi me këtë Ilmihal u plotësua ndër vite e dekada me shumë tituj e botime të tjera, shumë të ndryshme nga përmbajtja, vëllimi e nga rëndësia.
Ky varg vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe shpresojmë që të vazhdojë për aq sa do të vazhdojë fjala e shkruar islame te ne.
Të nderuar të pranishëm,
Më lejoni të theksoj se veprimtaria botuese islame në gjuhën shqipe në Kosovë është produkt dhe rezultat i dy periudhave të rëndësishme që i kanë paraprirë asaj.
E para, dijetarët tanë fetarë kishte shekuj që kishin filluar të shkruanin në gjuhën shqipe, por me shkronja arabe. Nga kjo kohë njohim shumë autorë dhe shumë vepra të kësaj natyre. Nuk është e tepërt të përmendim këtu Hasan Zyko Kamberin, Tahir ef. Gjakovën, Muhamet Kyçyk Çamin, Mulla Dervish Pejën, Rexhep ef. Vokën, hafiz Ali Riza Ulqinakun dhe shumë të tjerë.
Dhe e dyta, është ndikimi që pati tek ulemaja e Kosovës dhe më gjerë veprimtaria botuese islame në gjuhën shqipe që kishte dalë në Shqipëri në periudhën pas pavarësisë së saj, kur ishin botuar nga KMSh-ja dhjetëra vepra nga personalietet tona të shquara si hfz. Abullah Semlaku, hfz. Ibrahim Dalliu, hfz. Ali Korça etj, përfshirë këtu edhe revistat “Zani i Naltë”, “Njeriu”, “Kultura islame”, dhe sidomos përkthimi i Kuranit në gjuhën shqipe (i pabotuar deri në rënien e sistemit komunist). Përhapja e kësaj literature ka njohur një shtrirje më të madhe në hapësirat mbarëshqiptare sidomos në periudhën 1941-1944, që njihet si periudha e “Shqipërisë së Madhe” kur edhe administrativisht Bashkësia Islame e Kosovës ishte pjesë e Komunitetit Mysliman Shqiptar me qendër në Tiranë.
Mirëpo, kjo gjendje ndryshoi pas Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova sërish okupohet me një okupim klasik nga Serbia – ish Jugosllavia, ndaj Bashkësia Islame e Kosovës u detyrua që të riorganizohej në përputhje me rrethanat e reja të krijuara në vend. Në këtë rrafsh, pas riorganizimit të BI-së (1948), pas hapjes së Medresesë (1951), themelimit të Bibliotekës së Vakfit (1951), BIK-u më 1957 konkretizoi edhe një nismë të rëndësishme edhe pse në rrethana tejet të vështira dhe aspak të favorshme, pra fillimin e botimit të literaturës në gjuhën shqipe.
Të nderuar të pranishëm
E gjithë kjo literaturë duke nisur që nga “Ilmihali” i vitit 1957, i cili më pas u pasua nga “Buletini”, “Takvimi”, “Edukata islame”, “Dituria islame”, tekstet shkollore të medresesë “Alaudin” dhe ato të FSI-së më vonë e deri te veprat kapitale siç është botimi i përkthimeve të Kuranit në gjuhën shqipe dhe e gjithë literatura tjetër e botuar deri më sot fushash dhe disiplinash të ndryshme; është rezultat i punës, angazhimit dhe gatishmërisë së botuesit, autorëve, bashkëpunëtorëve, por edhe të lexuesve në përgjithësi. Që të gjithë këta meritojnë respektin dhe mirënjohjen tonë më të thellë.
Tani pas gjashtë dekadash, literatura islame te ne ka njohur një shtrirje të gjerë, si në sasi, ashtu edhe në cilësi, kështu që sot në gjuhën shqipe kemi të botuar vepra nga fusha e disiplina të ndryshme, duke u nisur nga ato themelore e bazike fetare e doktrinare e deri te veprat kapitale nga fusha e hadithit, fikhut, tefsirit, akadidit, ahklakut etj.. Një ndër prioritetet kryesore të veprimtarisë botuese të Bashkësisë Islame të Kosovës mbetet botimi i veprave nga trashëgimia, kultura dhe qytetërimi shqiptar islam, në këtë drejtim janë botuar vepra të cilat kujtojmë se ndriçojnë aspekte dhe dimensione të ndryshme të kësaj pasurie.
Literatura islame e shkruar te ne s’ka dyshim se është rezultat edhe i vizionit, i punës dhe i angazhimit të vazhdueshëm të prijësve dhe ulemasë sonë. Me lejoni që më këtë rast, në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për punën e tyre, t’i përmend me emër disa nga ta, pa i harruar edhe shumë të tjerë që kanë hisen e tyre në këtë veprimtari, si hfz. Bajram Agani, hfz. Ismailhaki Ustaibo, h.Jetish Bajrami, h. Sherif Ahmeti, Hasan ef.Nahi, hfz. Avni Aliu, h. Muhamet Islami, h. Adem Ternava, h. Rashid Osmani, h. Sadri Perstreshi, Hajrullah ef. Hoxha, haxhi Jashar Jashari, Ibrahim Spahiu, Safet Basha, Bajrush ef. Ahmeti, Qazim Qazimi, Feti Mehdiu, Qemajl Morina, Resul Rexhepi, Nexhat Ibrahimi, Miftar Ajdini, Sabri Bajgora, Mujdini Ahmeti, Mehdi Polisi, Abdullah Hamiti, dhe një plejadë e tërë e autorëve dhe bashkëpunëtorëve, përmendja e të cilëve do të shkonte shumë gjatë.
Të nderuar të pranishëm!
Literatura islame te ne, tashmë ka historikun e saj të begatshëm, por në këtë përvjetor, përveç të arriturave, në këtë tryezë shkencore, me kontributet tuaja, synojmë që t’i vëmë në spikamë jo vetëm sukseset, por edhe mangësitë, sfidat e problemet, po edhe perspektivën e literaturës islame në epokën e teknologjisë digjitale. Gjithashtu duhet vënë në dukje se gjatë rrugëtimit të saj, literatura islame në gjuhën shqipe, sidomos në dy dekadat e fundit kur vendi ynë u gjend në rrethana të reja, kur tashmë Kosova është shtet i pavarur, ajo është përballur me probleme e me sfida nga më të ndryshmet, që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë pasoja tek lexuesi shqiptar mysliman dhe jo vetëm.
Sepse, përderisa literatura islame te ne në tri dekadat e para të zhvillimit të saj është realizuar vetëm në institucionet zyrtare të BIK-ut (Shoqata e Ulemave, Medreseja dhe këshillat e BIK-ut), pas viteve të 90-ta, e posaçërisht pas luftës së fundit të vitit 1998/99 e këndej, me literaturën islame, pa kompetencë, pa përgatitje të duhur, për qëllime perfide e përçarëse, filluan të merren organizata e individë jashtë Bashkësisë Islame, duke botuar libra e revista për të cilat nuk kishim dhe nuk kemi nevojë. Ky fakt duhet të na bëjë ne si institucion edhe më të përgjegjshëm, më vigjilentë dhe më në hap me kohën dhe me kërkesat e besimtarëve tanë. Një pjesë e kësaj literature, e botuar nga individë dhe shoqata të ndryshme nëpër vendet shqiptare, pa kurrfarë kriteri arriti të ndikojë në indoktrinimin e disa të rinjve në Kosovë, të cilët morën rrugën e gabuar duke u mbështetur në ata libra e ato revista dhe kjo ndikoi në një masë edhe për radikalizimin e tyre dhe marrjjen pjesë aktive nëpër disa vatra të luftës nëpër vende islame.
Për të ruajtur pastërtinë e fesë dhe burimeve tona, në kuadër të Kryesisë së BIK-ut, që nga viti 1993 është themeluar shtëpia botuese “Dituria Islame”, e cila me redaksitë e saj kompetente është përgjegjëse për botimin e literaturës islame te ne dhe deri sot kjo shtëpi botuese e ka arsyetuar veten dhe ka shënuar rezultate të mira. Urojmë që edhe më tutje të vazhdojë kështu dhe për këtë jemi të bindur. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës do të përkrahë në vazhdimësi botimin e literaturës islame në gjuhën shqipe konform politikave të saj dhe kërkesave të kohës dhe për këtë kemi edhe përkrahjen e studiuesve dhe njerëzve të penës.
Në fund, dua të shpreh edhe një herë gatishmërinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës që të përkrahë, të ndihmojë dhe ta mbështetë çdo punë dhe nismë që ka të bëjë me literaturën dhe për literaturën islame te ne. Këtë gatishmëri Kryesia e Bashkësisë Islame e ka dëshmuar edhe me organizimin e mbajtjen e shumë konferencave, tryezave, simpoziumeve shkencore kushtuar fjalës së shkruar, e shtyrë dhe e motivuar gjithherë nga porositë e Allahut xh.sh., i Cili thotë:
“Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Vetëm të zotët e mendjes marrin mësim”.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet në shërbim të fjalës së shkruar.
Duke ju dëshiruar sukses dhe punë të mbarë në këtë tryezë shkencore, ju falënderoj dhe lus Allahun xh.sh. që t’ju shpërblejë dhe t’ju begatojë për kontributin tuaj!
Prishtinë, 27 dhjetor 2017
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava