Prishtinë, më 18 tetor 2024

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës hapi sot Konferencën shkencore për nder të ish-myftiut të Kosovës, dr. Rexhep ef. Boja, një nga figurat më të shquara të Islamit dhe një prej zërave kryesor në promovimin e të drejtave për pavarësinë e vendit.

Në këtë ngjarje të veçantë, akademikë, studiues dhe personalitete të njohura nga vendi dhe rajoni janë mbledhur për të nderuar veprën dhe trashëgiminë e ish-myftiut Boja.

Në fjalën e tij hapëse, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, theksoi se veprat e dr. Bojës janë gjurmë të pashlyera në historinë e Islamit. “Veprat e Myftiut Boja janë gjurmë të pashlyera në historinë e Islamit dhe të Kosovës. Çdo detyrë dhe përgjegjësi që iu besua, doktori e përmbushi me përgjegjësi dhe profesionalizëm, me qetësi dhe urtësi. Edhe si imam, edhe si profesor në Medrese dhe FSI, por edhe si dekan e myfti, ishte një model për brezin e ri” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Ai gjithashtu shtoi se: “Në vitet e 90-ta, dr. Rexhep ef. Boja, me vizionin dhe urtësinë e tij, e udhëhoqi Bashkësinë Islame drejt pavarësisë dhe mëvetësisë në një periudhë të vështirë për vendin.”

Reis ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetahi, në fjalën e tij tha: “Sot është një ditë e madhe sepse jemi tubuar nga të gjitha anët për të përkujtuar personalitetin e madh të kombit, imamin, profesorin, dekanin, myftiun, diplomatin dhe shkencëtarin, prof. dr. Rexhep Boja. Ta përkujtosh këtë personalitet me një Konferencë kaq të madhe do të thotë t’i qasemi nga të gjitha aspektet në atë moral, shkencor, patriotik, kombëtar dhe diplomatik.”

Ndërsa, Ekmeleddin Ihsanoglu, ish-sekretari i OBI-së, e kujtoi myftiun Boja me këto fjalë: “Në këto vite të trazuara, ai ishte fytyra e buzëqeshur e Kosovës në botën myslimane, një njeri i moderuar, gojëmbël. Njohja e mirë e gjuhës arabe e bëri atë një folës elokuent dhe vizitor të mirëpritur në shumë vende arabe.”

Në këtë Konferencë ish-presidenti Fatmir Sejdiu dhe ish-kryediplomati Enver Hoxhaj vunë në dukje rëndësinë e diplomacisë së myftiut Boja në arenën ndërkombëtare.

Muhamed Boja, përfaqësues i familjes së myftiut Boja, shprehu krenarinë e tyre për dr. Bojën, duke veçuar atë si një model për jetë: “Myftiu Boja sot bënë krenarë familjen e tij, të cilët kanë shembullin më të mirë të një diplomati, besimtari dhe atdhetari.”

Gjatë kësaj Konference u njoftua se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të dekorojë Myftiun Boja për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, ndërsa nënkryetari i Obiliqit, z. Arben Berisha, njoftoi se me iniciativën e kryetari të Obiliqit, rruga afër Xhamisë Qendrore do të emërohet me emrin Dr. Rexhep Boja.

Konferenca do të vazhdojë punimet edhe nesër, me pjesëmarrjen e 32 studiuesve nga fusha të ndryshme.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim një delegacion nga Fondacioni “Shejh Zajed”

Prishtinë, më 8 nëntor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…