Prishtinë, 15 janar 2019

Në Zagreb të Kroacisë, filloi punimet konferenca rajonale me titullin “Bashkësitë Islame në Evropën Lindore – të drejtat dhe obligimet. Kjo konferencë organizohet nga Këshilli Botëror për Shoqëritë Myslimane me qendër në Abu Dabi në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kroacisë. Bashkësinë Islame të Kosovës në këtë konferencë po e përfaqëson kryetari i Kuvendit të BIRK-ut, dr. Ajni Sinani.

Konferenca punimet e saj i filloi me leximin e disa ajeteve të Kuranit, të cilat i lexoi hafëzi Aziz ef. Alili. Më pas, para të pranishmëve, një fjalë rasti e mbajti myftiu i Kroacisë, dr. Aziz Hasanoviq, i cili fillimisht iu dëshiroi mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve, duke theksuar shembullin e Kroacisë si një shtet evropian, i cili që në vitin 1917 e ka njohur fenë islame si fe zyrtare të shtetit, menjëherë pas Austrisë. Ai gjithashtu falënderoi shtetin kroat për sjelljen korrekte dhe shembullore që ka ndaj të gjitha bashkësive fetare.

Ndërkaq, kryetari i Zagrebit, dr. Milan Mandiq, theksoi se Islami dhe myslimanët në Evropë nuk janë të huaj, por janë pjesë e shoqërisë sonë dhe pjesëmarrës në ndërtimit e Kroacisë diplomatike dhe elementë përbërës të kësaj shoqërie. Ai ndër të tjerash theksoi se Evropa mund të marrë shembull Kroacinë për bashkëjetesën me bashkësitë fetare.

Në emër të Qeverisë së Kroacisë foli ministri i Drejtësisë, Drazhen Boshnjakoviq, njëherësh kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare. Fjalimi i tij kryesisht u fokusua në bashkëpunimin korrekt me Bashkësinë Islame të Kroacisë, duke shprehur kështu përkushtimin e shtetit kroat në kultivimin e vlerave evropiane dhe lirive fetare.

Në këtë Konferencë po marrin pjesë përfaqësues të Bashkësive Islame nga më shumë se 30 shtete evropiane.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim një delegacion nga Fondacioni “Shejh Zajed”

Prishtinë, më 8 nëntor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërna…