Prishtinë, 19 gusht 2012
Hytbeja e Myftit të Kosovës, Naim Tërnava mbajtur me rastin e festës së Fitër- Bajramit në xhaminë e madhe në Prishtinë
Të bashkohemi drejt çuarjes para të gjitha proceseve në Kosovën tonë
Të nderuar vëllezër e motra!
Muaji i Bekuar i Ramazanit kaloi, dhe sot,e festojmë festën e Fitër – Bajramit, këtë ditë gëzimi, mëshire dhe respekti, ku festojnë banuesit e tokës dhe qiellit, festë dashurie dhe solidariteti.
Sikur dje që respektuam urdhrin e Allahut për ibadet, sot do të jemi të gatshëm duke përqafuar dhe uruar njëri-tjetrin, ta shtojmë edhe më gëzimin dhe harenë brenda familjeve tona. Ngase përmes agjërimit të këtij muaji të bekuar, besimtarët manifestuan ndjenjën e respektit ndaj Allahut xh.sh.
Sot, në këtë ditë feste, ditë madhrimi e nderimi, mbi një miliardë mysliman, në katër anët e botës, ngrenë zërin e tyre lart duke thirrur: Allahu Ekber, Allahu Ekber, Allahu Ekber ve Lilahil Hamd. Tekbireve të tyre u bashkohen edhe engjëjt, dhe e tërë gjithësia. Ata edhe me këtë rast konfirmojnë se Krijuesi i tyre është Një dhe se të gjithë besimtarët janë vëllezër, në mes të cilëve duhet të dominoj uniteti, urtësia dhe vendosmëria. Allahu në Kuran na mëson:
“ Dhe kapuni (lidhuni) që të gjithë për litarin (fenë) e Allahut, e mos u përçani”.
Besimtarët si asnjëherë më parë janë të gëzuar ngase Allahu i mbajti në jetë që ata ta kryejnë edhe këtë obligim. Jemi të gëzuar ngase ia dolëm që me një bindje të madhe dhe përkushtim të madh ta kryejmë me sukses edhe këtë obligim. E kemi agjëruar këtë muaj me bindje se Zoti është një i pa fillim dhe i pa mbarim, Krijues i kësaj gjithësie, Krijues i çdo gjëje, krijues edhe i vet njeriut, të cilit i takoi përgjegjësia dhe mëkëmbsia mbi sipërfaqen e tokës.
Allahu xh.sh thotë: “Zoti juaj (që meriton adhurim) është Një, All-llahu, nuk ka Zot pos Atij që është mëshirëplotë, gjithnjë mëshiron”. (Kuran, El-Bekare :163).
Që të gjithë duhet të kemi bindjen se Zoti është një i vetëm, i Gjithëdijshmi, i Plotfuqishmi, Krijues i çdo gjëje në këtë gjithësi, dhe se vetëm Atij i takon sundimi. Shpëtimi e mëshira është vetëm tek Ai, nuk ka kush tjetër i cili ka mundësi të na falë e të na gradoi me të mirat e tij pos Allahut xh sh.
Allahu xh.sh thotë: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne do t’i vendosim në xhennete, ku rrjedhin lumenj e ku do jenë përgjithmonë. Premtimi i saktë i Allahut. E kush mund të jetë më i saktë në fjalë se Allahu.” (Kuran, En-Nisa:122).
Në mesin tonë kemi shumë jetimë, familje të varfra, skamnorë që nuk kanë ushqim ditorë të mjaftueshëm. Andaj, së paku në këtë ditë feste, të tregojmë se ne vërtetë jemi solidarë dhe t’i ndihmojmë nevojtarët.
Besimtari i sinqertë nuk e përjeton e as që duhet t’i gëzohet festës nëse fqinji i tij ose fëmija jetim nuk ka me se t’i gëzohet festës.
Pejgamberi a.s. në një rast ka thënë: “Shembulli i besimtarëve për solidaritetin dhe mëshirën e ndërsjellë është sikurse shembulli i një trupi të vetëm: nëse vetëm një organ i tij në kohet, atëherë edhe organet tjera nuk janë të qeta”.
Ne edhe pse po ndahemi sot nga muaji i mëshirës dhe ibadetit- nga Muaji i ramazanit të bekuar, kjo nuk do të thotë se po lirohemi edhe nga detyrimet e fesë.
Ne në ditët që vijnë assesi nuk guxojmë t’i lëmë pas dore namazin dhe ibadetet tjera, veçse praktikën që e kemi realizuar gjatë Ramazanit duhet ta vazhdojmë gjatë tërë vitit. Nuk bën të lëmë adhurimin dhe sevapet e fituara e t’u kthehemi mëkateve e gjërave të ndaluara. Shoqëria jonë ka nevojë për themele të shëndosha dhe duhet të ngritët mbi bazën e punës së ndershme.
Shoqëria jonë si asnjëherë deri më tash ka nevojë për vlera të mirëfillta shpirtërore, prandaj unë, duke shfrytëzuar këtë rast, në këtë ditë të shenjtë dhe nga ky vend i shenjtë, i ftoj të gjithë besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të bashkëveprojmë drejt ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë, të pastër, e të ndershme dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtojë virusi degjenerues e devalvues. Ky vend dhe ky popull, me të drejtë presin ditë më të mira, punë e ndershmëri.
Te nderuar vëllezër e motra:
Agjëruam edhe këtë muaj të Ramazanit të shoqëruar me lutje dhe adhurim, këtë muaj të sakrificës e solidaritetit,muajit të Kuranit, muajit të fitoreve të shumta të besimtarit, muaj ku në vazhdimësi ishin në garë e mira dhe e keqja. Me bindjen e thellë në Allahun ia dolëm që edhe këtë muaj ta agjërojmë dhe atë ta shoqërojmë me shumë dua – lutje,me adhurim ngase vetëm Ai meriton të adhurohet .
Sa i veçantë ishte ky muaj i Ramazanit, përplot mëshirë, mirësi. Sikur ti kuptonim mirë vlerat e këtij muaji vërtet edhe sot në këtë dit të Bajramit kishim dëshiruar siç thotë pejgamberi që “I tërë viti të jetë Ramazan”.
Sigurisht se ne duhet në vazhdimësi të kërkojmë falje nga i Madhi Zot,i cili na fali jetë,në të cilën po shijojmë begatit e shumta të saj,si nga ana materiale dhe ajo shpirtërore. Kjo jetë ku në vazhdimësi gërshetohet e mira dhe e keqja janë gjithherë në garë.
Allahu xh.sh. thotë: “Dhe ngutuni (me punë që meritoni) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit. (Kuran, Ali Imran-133).
Nëpërmjet kësaj thënie i Madhi Zot kërkon nga ne që në vazhdimësi të shpejtojmë në vepra të mira, në kryerjen e obligimeve që dalin nga Kurani dhe porosit e Muhamedit a.s., thërret ndërgjegjen tonë që ajo të mos pasivizohet por të jetë gjithherë e gatshme të përshpejtoi kah shpërblimi më i madh për besimtarin i përgatitur nga ana e Allahut xh.sh.
Premtimi i Allahut se besimtarët të cilët bëjnë vepra të mira do ti shpërblej me xhenet, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë është premtim që ne duhet ta fitojmë nëpërmjet kryerjes së veprave të mira.
Allahu nuk e humb mundin e asnjërit qoftë ai mashkull apo femër Ai thotë:
“Kush bën ndonjë nga punët e mira, qoftë mashkull ose femër duke qenë besimtarë, të tillët hyjnë në xhennet dhe nuk u bëhet farë padrejtësie. (Kuran, En-Nisa-124).
Agjërimi shtoi në të madhe solidaritetin dhe ndjenjën për ti dal në ndihmë atij që ka nevojë,ngase agjërimi motivoi besimtarin, i zbuti zemrën atij,e bëri që të mendoi edhe më shumë për skamnorët dhe njerëzit në nevojë.
Ndaj edhe sot në këtë ditë të bajramit ju ftoi të gjithëve që të shtrini dorën e ndihmës te njerëzit në nevojë, të mos mungoi ndihma e solidariteti mes nesh, ti dalim në ndihmë skamnorit, jetimit, ngase sipas islamit i varfëri ka hise në pasurin e të pasurit.
Ti gëzojmë fëmijët me sadaka me ndihmë, por qoftë edhe me një buzëqeshje. Në këto momente të gëzimit të harrojmë zënkat të falim njëri – tjetrin se Zoti i donë ata që falin.
Të shtrim dorën e pajtimit mes vete, të bashkohemi drejt çuarjes para të gjitha proceseve në Kosovën tonë, ku i Madhi Zot na ka krijuar dhe na ka obliguar që ti dalim zot këtij vendi. Te Allahu nuk humb asnjë vepër qoftë e vogël apo e madhe ai do të shpërblehet për veprat e mira të tij.
Në fund më lejoni që tua uroi festën e Fitër – Bajramit të gjithë besimtarëve brenda trojeve tona etnike,dhe të gjithë atyre që gjenden në diasporë duke e lutur Allahun e Madhërishëm për mirësi e shëndet dhe nëpër mes kësaj feste të uroi për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, dhe përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Allahu na ndihmoftë në realizimin e të gjitha dëshirave tona.
Urime festa e Fitër – Bajramit!