Hytbeja e mbajtur në manifestimin qendror në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, nga Myftiu Mr. Naim Tëranva me rastin e festës së Fitër -Bajramit
Vëllezër e motra
Të nderuar besimtar:
Festa e Fitër – Bajramit është e një rëndësie të veçantë për besimtarin i cili ka agjëruar muajin e Ramazanit, vjen pas një muaji të tërë adhurimi e përkushtimi, ndaj Zotit krijues.
Sot, të mbledhur kështu nëpër xhami e sheshe, presim shpërblimet e Allahut, presim kënaqësinë e Tij dhe e kërkojmë atë, lutemi për mëshirë dhe për falje, për veten tonë familjet tona dhe popujt mbarë, ngase kemi kryer edhe agjërimin i cili numërohet një nga shtyllat e Islamit.
Sot shumë fytyra të buzëqeshura e të gëzuara e falënderojnë Allahun dhe e lusin Atë për falje, shumë besimtar janë të gëzuar ngase Allahu iu dha mundësi për të agjëruar këtë muaj, dhe me të drejt presim në shpërblimin e Tij, në këtë dhe ditën kur do të dalim para Zotit për të dhënë llogarinë përfundimtare për punët tona gjatë jetës mbi sipërfaqen e tokës.
Islami bën thirrje për jetë të lumtur dhe për ndërtimin e një shoqërie të virtytshme e të përbashkët, të një shoqërie ku bashkëpunohet për të mirë dhe për devotshmëri, të një shoqërie ku urdhërohet për të bërë punë të mira dhe ku ndalohen punët e liga, ashtu siç thotë Allahu:
“Besimtarët e besimtaret janë të dashur njëri me tjetrin, urdhërojnë për të mirën dhe ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshiroj Allahu. Allahu është ngadhënjyes, i urtë.” ( Et-Teube: 71 )
Islami e shikon njerëzimin si një familje të vetme, në të cilën njerëzit njihen me njëri-tjetrin, shkëmbejnë ndihmë të ndërsjellë, bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, të shtyrë nga devotshmëria dhe respekti ndaj urdhrave të Zotit. Mesazhet hyjnore i shikojnë në unitet dhe të gjithë pejgamberët i konsiderojnë si vëllezër, pa bërë asnjë dallim ndërmjet tyre.
Nga kjo pikëpamje buron toleranca në trajtimin e ndërsjellë: drejtësi dhe bamirësi, përqafimi i urtësisë kudo që të jetë, i të dobishmes kudo që të ndodhet,ngase Kurani bënë thirrje për moralet më të larta, për virtyte shoqërore dhe për bashkëpunim të ndërsjellë Brenda kuadrit të së vërtetës e të drejtësisë, siç janë: mirësjellja, shpenzimi i pasurisë për dashurinë e Allahut, në ndihmë të të afërmve, jetimëve dhe nevojtarëve, të ushqyerit e të mjeruarve dhe të varfërve, dashamirësi e ndihmë ndaj të pafuqishmëve dhe të sëmurëve, falja, pajtimi, durimi, sinqeriteti, besnikëria, dhënia e sadakasë, bashkëpunimi për të kryer punë të mira dhe për devotshmëri, si dhe lëvizja nëpër botë në kërkim të mirësisë së Allahut.
Zoti xh sh thotë:
“Po ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne me siguri do t’ua shlyejmë të këqijat do t’i shpërblejmë më së miri për atë që vepruan.” ( El-Ankebut: 7)
Pastaj ajeti:
“Pendimi i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që e bëjnë të keqen me mosdije shpejt pendohen: të tillëve Allahu ju pranon pendimin, se Allahu është më i dijshmi, më i urti. Nuk është pendim ( i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: Unë tash u pendova…” ( En-Nisa: 17-18)
Shpirti ka nevojë të pendohet në mënyrë të përsëritur, që të heqë papastërtitë e të fshijë gjurmët që kanë lënë punët e liga, ashtu siç ka nevojë trupi për të përdorur lloje të ndryshme larjeje e metoda të ndryshme pastrimi.
Muhamedi a.s. thotë:
“Kush ia largon besimtarit një prej brengave të kësaj bote, Allahu do t’i largoj atij një prej brengave në Ditën e Gjykimit. Kush e lehtëson atë që është në vështirësi, Allahu do ta lehtësojë në këtë botë dhe në tjetrën. Kush ia mbulon një të metë myslimanit, Allahu do t’ia mbuloj të metat e tij në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu e ndihmon robin e vet, për sa kohë ky e ndihmon vëllain e tij. Kush ndjek rrugën për të kërkuar dituri, Allahu do t’ia lehtësojë atij rrugën për në Xhenet.
Sa herë që një grup njerëzish mblidhen në një nga shtëpitë e Allahut për të lexuar dhe studiuar Librin e Allahut, mbi ta do të zbresë qetësia dhe do t’i mbulojë mëshira, engjëjt do t’i rrethojnë dhe Allahu do t’i përmendë ndër ata që ndodhen tek Ai. Atë që do ta lënë pas veprat e veta, nuk mund ta gradojë prejardhja e tij.”
Pikërisht për këtë pastrim tregon Kurani:
“…Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” ( El-Bekare:222)
Vëllezër e motra:
Një mysliman nuk mund të qëndrojë indiferent për atë çka ndodh rreth tij dhe nuk mund të pranojë kurrë mentalitetin se asgjë nuk ka rëndësi përderisa nuk i shkakton dëm atij, sepse ai i është nënshtruar Zotit, është përfaqësues i Tij dhe ambasador i së mirës. Prandaj edhe ai nuk mund të qëndroj indiferent përballë padrejtësive ne këtë botë.
Drejtësia e vërtetë, e përshkruar në Kuran, udhëzon njeriun që të sillet me drejtësi, pa bërë dallime mes njerëzve, të mbrojë të drejtat njerëzore, të mos lejoj dhunën pavarësisht nga rrethanat.
Drejtësi për të cilën Zoti urdhëron në Kuran, është ajo drejtësi që kushtëzohet me ushtrimin e saj në mënyrë të barabartë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga gjuha, raca apo kombësia. Ende në ditët tona, ka në çdo anë të globit njerëz që u nënshtrohen trajtimeve mizore e të padrejta për shkaqe të pa justifikueshme.
Sidoqoftë, Zoti na bën të ditur në Kuran se qëllimi në krijimin e fiseve e popujve të ndryshëm, është “që ata ta njohin njëri tjetrin”. Kombet dhe popujt e ndryshëm duhet ta njohin njëri tjetrin, kjo do të thotë, të mësojnë për kulturat e tyre të ndryshme, për gjuhët, traditat e veçoritë. Shkurt, njëri nga qëllimet e krijimit të racave e kombeve të ndryshëm, nuk është konflikti dhe lufta por pasuria kulturore.
Të nderuar besimtar:
Ne edhe pse po ndahemi sot nga muaji i mëshirës dhe ibadetit-nga muaji i Ramazanit të bekuar, kjo nuk do të thotë se do të lirohemi edhe nga detyrimet e fesë. Ne në ditët që vijnë assesi nuk guxojmë t’i lëmë pas dore namazin dhe ibadetet e tjera, veçse, praktikën që e kemi realizuar gjatë Ramazanit duhet ta vazhdojmë gjatë tërë vitit. Nuk bënë të lëmë adhurimin dhe sevapet e fituara e t’u kthehemi mëkateve e gjërave të ndaluara. Dijeni se adhurimi pa besim i ngjan një ndërtese pa themele, kurse besimi pa adhurim i ngjan një fare të thatë e të pajetë. Adhurimi është ai që kësaj fare që është e mbjell në zemrat tona, t’i japi jetë dhe forcë.
Shoqëria jonë si asnjëherë deri më tash ka nevojë për vlera të mirëfillta shpirtërore, prandaj unë, duke shfrytëzuar këtë rast, më këtë ditë të shenjtë dhe nga ky vend i shenjtë, i ftoj të gjithë besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të bashkëveprojmë drejt ndërtimit të një shoqërie të shëndoshë, të pastër, e të ndershme dhe të mos lejojmë që në mesin tonë të depërtojë virusi degjenerues e devalvues.
Vëllezër të nderuar
Në këtë ditë të veçantë e në këto momente festive,kështu të gëzuar duke kërkuar falje e mëshirë nga i Madhi Zot,që në asnjë moment të mos harrojmë begatit e Allahut Krijues për një mirëqenie të përgjithshme në mbar botën. Ju bëjë thirrje që të punoni për një të ardhme sa më të mirë të vendit tonë,që në mesin tonë të mbretëroi harmonia e solidariteti të cilat janë virtyte të vet natyrshmërisë së njeriut.
Urime festa e Fitër – Bajramit.
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava