(Hytbe e mbajtur në xhaminë “Sulltan Murat” (Xhamia e Çarshisë) në Prishtinë)
Vëllezër e motra
Të nderuar besimtarë :
Sot është ditë feste e krenarie për të gjithë ata që me besnikëri kryen edhe këtë porosi të All-llahut xh.sh agjërimin e muajit të Ramazanit.
Misioni Islam është mision i njeriut në tërësi, i shpirtit, i mendjes, trupit, ndërgjegjes, vullnetit etj. Islami është një mision që vlen për të gjitha fazat e jetës së njeriut,është udhëzim hyjnorë që e shoqëron njeriun gjatë tërë jetës së tij, që nga fëmijëria, në të gjitha këto faza,pa marrë parasysh vendin dhe kohën, njeriut i ofron një metodë të përkryer për rregullimin e jetës të cilën e do dhe i pëlqen atij.
Nisur nga ky parim një muaj të plotë e kaluam në agjërim,nëpërmjet të cilit u munduam që në vazhdimësi të jemi në kryerjen e të gjitha obligimeve që sjell agjërimi, dhe sot me të drejtë gëzohemi ngase i Madhi Zot na bëri të mundur ti kryejmë adhurime të shumta që kanë të bëjnë me agjërimin. Falënderojmë Allahun që na mbajti në jetë, dhe të gëzuar presim Bajramin ngase kemi kryer edhe një nga obligimet kryesore të fesë sonë islame.
Muhamedi a.s. thotë:
“Kush agjëron Ramazanin me besim dhe vetë llogaritje të sinqertë do t’i falet tërë çka ka gabuar më parë”.
Nuk guxojmë të harrojmë se agjërimi e mësoi njeriun për pranimin e dashurisë së sinqertë ndaj Zotit, e frymëzoi njeriun me një kuptim kreativ të shpresës dhe shikimit optimist ndaj jetës,ngase njeriu kur agjëron me të drejtë shpreson në kënaqësinë e Zotit dhe mëshirën e Tij.
Agjërimi pajisi besimtarin me virtyt të çiltër me një vetëdije vigjilente dhe të shëndoshë, me durim e zemër gjerësi, mësim efektiv për një urtësi e fuqi të vullnetit të mirë, me moral e edukatë të fortë, I mësoi njeriut frymën e unitetit të vëllazërisë,të barazisë para Zotit dhe para ligjit.
Nuk ekzistojnë motive të arsyeshme të cilat i shtyjnë njerëzit të jetojnë të ndarë e të armiqësuar, sepse motivet e bazuara në logjikën e realitetit dhe ndjenjave të shëndosha i afrojnë njerëzit në mes vete dhe u përgatisin atyre shoqëri solidarizuese ku mbretëron dashuria, e me këtë do të shtrihej edhe siguria ne sipërfaqen e tokës. Allahu i Madhërishëm të gjitha prejardhjet dhe llojet e njerëzve i bëri prej dy prindërve, që prej këtyre farefisnive të afërta të bëjnë një pikëtakim ku do të gërshetohen dhe do të forcohen lidhjet:
“O ju njerëz,vërtetë ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre,ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete,e s’ka dyshim se tek Allahu me i ndershmi nder ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat),e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El-Huxhurat:13)
Pra, njohja, e jo largimi,është thelbi i marrëdhënieve në mes njerëzve. Mirëpo mund të paraqiten pengesa, të cilat e ndalojnë këtë njohje reciproke të rrjedh si duhet në shtratin e saj, dhe vazhdon jeta me gjurmët pozitive të saj. Në garën e njerëzve për fitimin e rizkut, dhe në dallimet e tyre ne kuptimin e realitetit dhe përcaktimin e mirësisë, mund të nxiten divergjenca, të ndodhin konfrontime, edhe pse këto ngjarje negative nuk duhet të ndikojnë për të harruar urtësinë primare nga krijimi i njeriut dhe gjallërimin e tokës me orvatjet e tyre të koordinuara. Çdo lidhje e cila e thellon këtë njohje reciproke dhe i eliminon pengesat nga rruga e saj, është lidhje që duhet përkrahur dhe duhet shfrytëzuar njohuritë e saj sepse islami nuk është thjeshtë vetëm një lidhje që i tubon një numër të madh, a të vogël njerëzish,por ai paraqet një konglomerat të vërtetash të cilat i miratojnë relacionet e shëndosha në mes njerëzve dhe Zotit,e pastaj edhe në mes njerëzve në përgjithësi.
Egoizmi dominues është e metë e njeriut dhe shkatërrues i vlerave të tij. Nëse dominon synimi i tij mbi një njeri,atëherë e mira e tij zhduket kurse e liga zhvillohet,dhe e kufizon atë në një rreth të ngushtë e të mjerë, në të cilin njeh tjetërkënd, pos veten, ai nuk trazohet me gëzim apo dëshpërim, përpos asaj që e prek prej të mirës apo të keqes.
Islami e luftoi këtë egoizëm tiran, me vëllazërinë e drejt, dhe i tregon njeriut që jeta nuk i takon ekskluzivisht vetëm atij, dhe se ajo nuk mund të përmirësohet vetëm me të, por le ta dijë njeriu se ka edhe njerëz tjerë si ai, nëse e ka parasysh obligimin e tyre ndaj tij dhe interesin e vet te ata, le të ketë parasysh edhe obligimet e tij ndaj atyre, dhe interesat e tyre te ai, ky gjest e liron njeriun nga egoizmi i vogël, dhe e bënë atë që të ketë ndjenja ndaj të tjerëve, kur ka ndaj vetes. Kështu ai nuk do ta teprojë dhe nuk do të bëjë lëshime.
Pejgamberi a.s. thotë:
“Myslimani është vëlla i myslimanit, nuk i bën padrejtësi dhe nuk e dorëzon. Kush i ndihmon vëllait të vet, Allahu do t’i ndihmoj atij, kush ia largon myslimanit një brengë, për këtë Allahu do t’ia largoj atij një brengë prej brengave të Ditës së Gjykimit. E kush i mbulon turpet e një myslimani, atij do t’ia mbuloj Allahu Ditën e Gjykimit”.
Prej manifestimeve të vëllazërisë fisnike është që t’ia duash të mirën vëllait tënd, dhe të gëzohesh për atë që e arrin ai sikur të gëzohesh për një të mirë të cilën e arrin ti. Nëse mundohesh në realizimin e kësaj mirësie, ti je afruar te Allahu me adhurimet më të pastërta dhe me shpërblim më të madh.
Allahu i Madhërishëm disa herë me radhë e ka përsëritur përmendjen e kësaj begatie në një ajet: “…Përkujtoni nimetin e Allahut ndaj jush,kur ju (para se ta pranoni fenë islame) ishit të armiqësuar,e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër…”
Vëllezër të nderuar:
Vëllazëria fetare obligon solidaritet në mes besimtarëve,e jo mbështetjen e fanatizmave të verbër, ajo thërret për përkrahjen e besimtareve reformues për realizimin e të vërtetës dhe shkatërrimin e të pa vërtetës,për pengimin e keqbërësit dhe ndihmë atij që i është bërë e padrejtë.
Pejgamberi a.s. ua ka tërhequr vërejtjen muslimanëve prej këtyre veprave të liga në hadithin e tij :këto janë vepra të shëmtuara të cilat shkurtë pamësit i duken se nuk paraqesin shumë rrezik, mirëpo, ato, për ata që i kanë parasysh pasojat e tyre i copëtojnë zemrat dhe shuajnë ndjenjat e dashurisë. Pejgamberi a.s. thotë: ”Ruajuni prej paragjykimeve, sepse paragjykimet janë gënjeshtra më e madhe, mos spiunoni, mos garoni mes vete, mos e xhelozoni njëri tjetrin, por bëhuni robër të Allahut, vëllezër sikur që ju nderoi juve Allahu i Lartësuar…Muslimani është vëlla i muslimanit,nuk i bënë dhunë atij, nuk e lë(në baltë) dhe nuk e nënçmon; për një njeri është e keqe e mjaftueshme që ta nënçmoj vëllain mysliman. Çdo mysliman, kundruall çdo myslimani, e ka haram pasurinë e tij, gjakun e tij dhe nderin e tij…Allahu nuk shikon në format tuaja dhe trupat tuaj,por shikon në zemrat tuaja dhe punët tuaja.“
Allahu i Madhërishëm nuk i krijoi njerëzit që të ndahen dhe të përçahen…Ai u shpalli atyre një fe,dhe u dërgoi një varg pejgamberesh që tu prijnë të gjithë njerëzve në një rrugë. Ai që nga lashtësia para krijuese materiale, ua ka ndaluar njerëzve që ta copëtojnë fenë dhe të ndahen në grupe-grupe.
Është realitet se, kur ndahet dituria nga morali,dhe nuk bashkohet me sinqeritetin, ajo shndërrohet në fatkeqësi për bartësit e saj dhe për njerëzit tjerë.
Po nuk ka dyshim se zemra e prishur e bënë diturinë armë për trazira, andaj, bota, në të kaluarën dhe sot, u dëmtua nga kjo dituri destruktive.
Njerëzit nëse nuk i bashkon e vërteta, atëherë do t’i përçajë e pavërteta, nëse nuk i bashkon adhurimi i Allahut,do ti copëtoj adhurimi i djallit, nëse nuk i tërheqin mirësitë e ahiretit, do të konfrontohen për interesat e kësaj bote…për këtë, konfliktet e ndërsjella, të hidhura, janë prej veçorive të injorancës së errët dhe shprehisë së atyre që nuk kanë besim.
Allahu i Madhërishëm deshi t’ia falë botës një njeri,i cili do t’i shlyej plagët e saj, do t’ia lehtësoj zemërimin, të cilit do ti vjen keq për gabimet e tyre, dhe i cili do të shkrihet në udhëzimin e tyre, i cili do t’i ndihmoj të dobëtit dhe do të luftoj pranë tyre,sikur nëna që lufton për t’i mbrojtur fëmijët e sajë. Për këtë e dërgoi Muhamedin a.s. dhe në zemrën e tij futi aq dituri dhe urtësi, në karakterin e tij futi senzibilitet dhe mirësi,dhe natyrën e tij – lehtësi dhe butësi, ndërsa në dorën e tij-bujari dhe fisnikëri, saqë e bëri njeriun më të mëshirshëm,më shpirtmadh dhe më zemër gjerë.
Nisur nga këto parime dhe virtyte te cilat burojnë nga vlerat e besimit dhe obligimeve ndaj Krijuesit qe te përkujdesemi edhe për familjet tona, brezin e ri i cili duhet te mare përgjegjësinë ne te ardhmen për qeverisjen e vendit si ne aspektin politik ashtu edhe fetar inkorporomi edukatës fetare ne shkollat publike vie si nevojë e kohës dhe bashkërenditje veprimi me te gjitha shtetet ne zhvillim dhe bashkimin evropiane
Vëllezër të nderuar!
Në këtë kohë kur Kosova pritet të njihet edhe nga shumë shtete si shtet i pavarur e Sovran, të gjithë ne duhet të jemi të vetëdijshëm si asnjëherë më parë për dhënien e kontributit karshi faktorit ndërkombëtar që sa më shpejt të pasojnë edhe njohje të reja për vendin tonë.
Në këto momente festive ,në këtë ditë shumë të veçantë e të gëzuar për të gjithë ne ju lusë që të mos harroni begatit e All-llahut Krijues, të lutemi për këto të mira dhe për një mirëqenie të përgjithshme në mbar botën. Në botë të mbretëroi paqja, harmonia, solidariteti ngase këto e tjera virtyte janë që e bëjnë njeriun krijesën më të përsosur.
Myftiu i Kosovës