Java e Tolerancës dhe Pajtimit vazhdon me Promovimin e Librit të titulluar “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në Luftën e Kosovës, 1998-1999”
Prishtinë, 27 maj 2014
– Sot në Prishtinë u promovua libri i titulluar “Shkatërrimi i Trashëgimisë Islame në Luftën e Kosovës 1998-1999”. Qëllimi i këtij dokumentimi fotografik të shkatërrimit që i është shkaktuar trashëgimisë islame të Kosovës është të dokumentohet e kaluara që t’i shërbejë procesit të pajtimit ndërmjet besimeve të ndryshme.

Autor i këtij libri është Sabri Bajgora, Kryeimami i Kosovës, ndërsa është redaktuar nga Robert Elsie, një zë i rëndësishëm në studimin e historisë dhe kulturës shqiptare dhe Petrit Selimi, Zëvendësministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës. Libri përmban fotografi shtesë dhe një parathënie nga Andras Riedlmayer nga Programi Aga Khan për Arkitekturë Islame Universitet të Harvardit. 

Publikimi i këtij libri është mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe donatorët ndërkombëtarë të përfshirë përmes nismës Interfaith Kosova.
 
Libri hapet me një mesazh të pajtimit nga Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi:

“Procesi i ripërtëritjes nuk mund të arrihet përmes harresës ose mohimit. Falja nuk mund të jetë asnjëherë kuptimplotë nëse është e bazuar në të harruar. Kjo vlen posaçërisht për trashëgiminë kulturore dhe fetare të një kombi. Edhe në rastet kur manifestimet fizike të kësaj trashëgimie janë shkatërruar, njerëzit nuk duhet të harrojnë atë çfarë kanë pasur dikur.”

Gjatë promovimit, Kryeimami i Kosovës dhe autori i këtij publikimi, Sabri Bajgora tha:

“Gatishmëria jonë për të jetuar së bashku, përkrahur nga nismat ndërfetare nga ana e qeverisë, kanë kontribuar në rivendosjen e tolerancës për të cilën ne si kosovarë jemi shquar gjithmonë. Prandaj, unë dua të theksoj se qëllimi ynë nuk është që t’i ringjallim armiqësitë e vjetra. Ajo që ne synojmë është që t’u lëmë brezave të ardhshëm një dokumentim të detajuar për atë së çfarë ka ndodhur, me qëllim që të mos përsëritet më kurrë.

“Shkatërrimi i shumë perlave të trashëgimisë Islame nuk ishte humbje vetëm për Kosovën, por konsiderohet humbje edhe për kulturën botërore në përgjithësi. Mjafton të përmendim vetëm djegien e Arkivit Qendror të BIK-ut, në të cilin ka pasur dokumente, manuskripte e dorëshkrime të vjetra mbi 6 shekuj. Kjo vërtetë është një humbje e pakompensueshme. Për të parandaluar përsëritjen e së kaluarës, ne kurrë nuk duhet ta harrojmë. Një e ardhme e begatë qëndron përpara popullit të Kosovës të cilët duhet të gjejnë kurajë për të ecur përpara në rrugën e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian.”

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, bashkë redaktor i këtij publikimi në fjalimin e tij tha:

“Kujtimi i së kaluarës është vendimtar në proceset e rindërtimit dhe pajtimit të çdo shoqërie. Dëshmi të dokumentuara të përfshira në këtë publikim duhet të shërbejnë për të edukuar komunitetet vendore dhe audiencën globale rreth shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë. Shkatërrimi i trashëgimisë fetare ka qenë një çështje emocionale për të gjitha komunitetet tona. Ky publikim vë në pah rëndësinë që ne i kushtojmë ruajtjes së vlerave arkitektonike dhe kulturore”.

Robert Elsie, i cili është bashkë redaktor së bashku me Zëvendësministrin Selimi, tha:

“Ky projekt ka filluar realizimin dy vite më parë, në pranverë të vitit 2012, kur Petrit Selimi më kontaktoi dhe më kërkoi nëse do ta ndihmoja në përgatitjen e një katalogu për regjistrimin e dëmeve të tmerrshme që kanë pësuar monumentet kulturore islame në luftën e Kosovës të 1998-1999”.

“Unë e pranova këtë punë sepse e ndjeva që kishte ende shumë për t’u bërë për të vetëdijesuar publikun ndërkombëtar për Kosovën dhe problemet e shumta që ka trashëguar nga e kaluara e zymtë”.

“Përderisa populli i Kosovës e di çfarë ka ndodhur në vendin e tyre në vitet 1998 dhe 1999, shkatërrimi i bërë ndaj trashëgimisë dhe arkitekturës islame ka mbetur kryesisht i panjohur në skenën ndërkombëtare.”

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim kryetarin e Xhamisë Shqiptare në Neumarkt të Gjermanisë, z. Naser Gashin

Prishtinë, më 19 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…