Prishtinë, 31 maj 2019
Organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, sot në disa komuna, ekipi i ligjëruesve të Kryesisë së BIRK-ut, ligjëruan hytben e xhumasë, për të përçuar mesazhet me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit.
Në xhaminë e madhe “Mulla Vesel Guta” të Ferizajt, hytben e xhumasë e ligjëroi drejtori i medresesë së mesme “Alaudin”, Jakup ef. Çunaku, i cili foli rreth Natës së madhe të Kadrit.
Qysh në fillim të ligjërimit të tij, ai përcolli urimet dhe përgëzimet e Kryesisë së BIRK-ut për këtë muaj, duke lutur Allahun xh.sh., që ibadetet, lutjet, namazet, duatë, agjërimin dhe gjitha veprat e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji të na i pranojë dhe të jemi prej atyre që shpërblehemi me xhenet dhe largohemi përgjithmonë nga zjarri i xhehenemit.
Duke folur për Natën e Kadrit, drejtori Çunaku tha se: “Jemi në momentet që janë të pakta gjatë jetës sonë, ngase po kërkojmë një natë, në të cilën ndahet rrizku ynë përgjatë një viti. Jemi në kërkim të një nate të bereqetshme, për të cilën Allahu në Kuranin fisnik ka thënë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të kadrit).” Atë natë caktohet çdo gjë për njeriun, caktohet shëndeti, sëmundja, begatitë, sukseset, dështimet dhe çdo gjë që ka të bëjë me jetën e njeriut, caktohet atë natë.”
“Në këtë natë të bekuar, kërkohet nga ne që të shtojmë edhe më shumë duatë, namazet, salavatet, lutjet tona. Kështu kanë vepruar edhe sahabët e Pejgamberit a.s. Ata kishin një traditë që të përgatisnin dua të veçanta gjatë muajit të Ramazanit. Kjo gjë vërtetohet edhe nga pyetja e Aishes drejtuar Pejgamberit a.s., se nëse e takoi Natën e Kadrit, çfarë të them? E Pejgamberi a.s. iu përgjigj, thuaj: “O Allah! Ti je falës, e do faljen, falmë mua!” Nga kjo dua, dijetarët kanë nxjerrë mësime të ndryshme, por më e rëndësishmja që mund të përmendim është termi “afuvn”, i përdorur në këtë dua. Shtrohet pyetja se pse Pejgamberi a.s. nuk tha “gafurrun”, kur dihet se të dyja kanë kuptimin e faljes. Kjo ngase, nëse Allahu na i fal gjynahet me cilësinë e emrit “gafurr”, ato gjynahet do të na i ruaj, për të na i treguar në ditën e gjykimit. Ndërsa kur na i fal gjynahet me cilësinë e emrit “afuvun”, ato gjynahet do të na i asgjësojë dhe do të na i zhduk tërësisht.”
Në fund të ligjëratës së tij, ai një kujdes të shtuar i kushtoi edhe një obligimi tjetër fetar, e që është dhënia e sadakatul-fitrit. “Më lejoni që përzemërsisht t’u falënderoj për gjithë kontributin tuaj dhënë për Bashkësinë Islame në përgjithësi, si dhe për medresetë dhe për Fakultetin e Studimeve Islame në veçanti. Jeni ju të dashur vëllezër që i keni mbajt dhe ende po i mbani gjallë këto institucione, ju shprehim mirënjohje të madhe, duke lutur Allahun që t’u shpërblejë në këtë dynja dhe në botën tjetër me xhenet.”
Në fund, drejtori Çunaku luti të Madhin Zot, që të na i pranojë agjërimin, lutjet, namazet dhe gjitha punët dhe veprat e mira që i kemi bërë gjatë këtij muaji, me porosinë që të vazhdojmë edhe më tutje me këtë devotshmëri dhe me këtë sinqeritet që e kemi arritur gjatë muajit të Ramazanit.