Prishtinë, 21 tetor 2015
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës me vëmendje ka përcjell procesin e negociatave në Bruksel për heqjen e të ashtuquajturit “Parku i Paqes”, lirimin e Urës mbi lumin Ibër dhe vënien e saj në funksion të qarkullimit të lirë e të pa penguar të qytetarëve të Mitrovicës.
Kryesia e BIK përshëndet e përkrah fuqishëm arritjen e Marrëveshjes për heqjen e “Parkut të Paqes” dhe revitalizimin e Urës së Ibrit, – kthimit të saj në funksion primar, mirëpo shprehim shqetësimin tonë që gjatë procesit të bisedimeve dhe në marrëveshjen e arritur, nuk është paraparë edhe rindërtimi i Xhamisë së Ibrit (“Haxhi Kërxha”), e shkatërruar gjatë luftës më 1999.
Kërkojmë nga të gjithë faktorët relevantë, negociatorët tanë, ndërmjetësit ndërkombëtarë, përfaqësuesit diplomatik, dy kryetarët e Mitrovicës që në kuadër të planit për lirimin e Urës së Ibrit, të përfshihet edhe ndërtimi i Xhamisë aty ku ka qenë.
BIK, ashtu siç nuk është pajtuar me shkatërrimin e xhamisë, as tani nuk pajtohet me tentimin për uzurpimin dhe tjetërsimin e vakëfit (vendit- truallit) të xhamisë nga kushdoqoftë.
BIK-u është pronare e vetme dhe legjitime e vakëfit – vendit të xhamisë, dhe kërkojmë që aty sa më parë të krijohen kushtet dhe mundësitë që të rindërtohet Xhamia.
Nëse xhami është shkatërruar gjatë luftës, ajo dhe vakëfi nuk mund që të tjetërsohet e uzurpohet në paqe.
Konsiderojmë që ndërtimi i Xhamisë së Ibrit, përveç që do të sillte drejtësinë në vend, s’ka dyshim se do të ndikoj pozitivisht në rënien e tensioneve ndëretnike dhe krijimin e klimës së mirëbesimit, tolerancës e bashkëjetesës. Nuk mund të krijohen premisat për paqe e mirëkuptim duke uzurpuar e tjetërsuar vakëfet shekullore.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës