Më 13. 07. 2015 u mbajt iftari tradicional për gratë punonjëse të institucioneve të Kosovës, organizuar nga Departamenti i Gruas i BIK-ut, ndërsa të pranishme ishin deputete, kryetarja e Komunës së Gjakovës, gjyqtare etj.

Hapja e programit u bë me disa ajete kuranore, të interpretuara nga Merita Burrniku.
Mandej, Hanife Kastrati, pasi u dëshiroi mirëseardhje të pranishmeve, prezantoi programin e përgatitur për të pranishmet. Ilahitë u interpretuan në mënyrë të shkëlqyer nga motrat Merita dhe Hyrjeta Burrniku, pastaj Arta Dumani e deklamoi në mënyrë të shkëlqyer poemën “Poem kosovari” të Mitrush Kutelit.
Fjalimi kryesor u mbajt nga Besa Ismaili, me temën: “I duhemi njëra-tjetrës”, ndërsa ndër të tjera tha se njohja me pikëpamjet, jetën dhe mendimet e një gruaje besimtare në Kosovë s’ka pse të bëhet përmes lajmeve senzacionale, që sillen nga fshatrat e largëta të Pakistanit, Banglladeshit e gjetiu. “Bashkëpunimi mes grave të Kosovës nuk guxon të ndodhë (vetëm) virtualisht. Ne jemi këtu bashkërisht. Zyra e Departamentit të Gruas, Fakulteti i Studimeve Islame, Medreseja e vajzave, gjenden vetëm 250 – 300 metra larg nga zyrat e tuaja, nga Qeveria e Kuvendi, si dhe nga të gjitha mediat kryesore të këtij vendi. Komunikimi dhe bashkëpunimi është çelësi i suksesit për një të ardhme të lumtur për të gjitha. Kjo është Nata e Kadrit, Nata e Shpalljes, e Fatit, e Vendimeve të mëdha, e Hapjes së Qiellit, e Mëshirës, prandaj le t’i hapim zemrat tona dhe mendjet tona që të marrim vendimet më të drejta, që do të shënojnë kthesë në fatet tona, e që janë aq të përbashkëta!”, tha Ismaili.
Më pas Melihate Termkolli mori fjalën dhe tha: “Sonte jam e mahnitur që këtë natë të Madhe të Kadrit (Katragjegjit) po e përjetoj me Departamentin e Gruas të BIK-ut. Sa më shumë kontakte, komunikim dhe bashkëbisedime që të flaken paragjykimet! Gratë kanë nevojë të mbështesin njëra-tjetrën. Ne si deputete të Kosovës na takon që gjatë përgatitjes së ligjit për bashkësitë fetare të mbështesim gratë e komuniteteve fetare, duke i konsultuar ato, sepse ato janë të thirrura dhe të zonja të vendosin për atë që është më e mira për të gjithë ne”, tha Termkolli.
Pastaj vazhduan fjalimet e të pranishmëve dhe përshtypjet e tyre:
Ganimete Musliu: “Ndjehem shumë e nderuar që këtë Natë të Madhe e kaloj në këtë format, e për më tepër jam shumë e lumtur që jemi në një përbërje kaq gjithëpërfshirëse dhe që ilustron pikërisht traditën shekullore të Islamit në këto troje. Jam e emocionuar edhe nga programi dhe organizimi e madhështia e kësaj Nate. Dhashtë Zoti të ketë pranuar lutjet tona gjatë këtij Muaji të Madhërishëm të Ramazanit. Unë ndjehem vetja, ndjehem shumë mirë në mesin e grave të Departamentit të Gruas së BIK-ut, dhe me këtë rast edhe apeloj për më shumë mbështetje”, tha Musliu.
Mimoza Kusari: “Jam veçanërisht e privilegjuar të jem sonte këtu, për çka falënderojë DG për organizimin. Aktivitete si këto janë tejet të rëndësishme. Ne gratë e institucioneve më së paku kemi mbështetur gratë e komuniteteve fetare, dhe pikërisht për shkak të kësaj është momenti që të korrigjohemi dhe të intensifikojmë bashkëpunimin. Kontributi i grave të Bashkësisë Islame të Kosovës duhet vlerësuar dhe kultivuar tutje”, tha kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Labinota Demi: “Gjatë gjithë jetës sime jam ballafaquar me paragjykime të llojllojshme, dhe ato janë të pranishme çdoherë kur pas takimit me njerëz marrë komentin e tipit ‘por ama ti je ndryshe’ . Unë nuk jam ndryshe, por është një paragjykim i tyre që thyhet sa herë vjen te komunikimi. Duhet mbështetja e secilës grua në mënyrë që paragjykimet të flaken tutje”, tha deputetja Labinota Demi
Besa Luzha: “Njohja me gjithë këto aktivitete të DG-së dhe vetë ky eveniment më bën të ndihem mirë. I gëzohem organizimit të grave kudo që ndodh, e në veçanti në BIK. Prandaj, që tani do të mendojmë për bashkëpunime konkrete për të mirën e qytetarëve dhe një realiteti pa paragjykime”, tha Luzha.
Kosovare Kelmendi: “E ndjera nëna ime, (znj. Nekibe Kelmendi) i priste me padurim këto iftare të DG-së së BIK-ut. Sot unë nuk e zë vendin e saj, sepse ishte e pazëvendësueshme. Por në emrin tim personal ju përgëzoj dhe ju uroj gjithë të mirat. Në Kosovë s’ka vend për ndasi. Gratë duhet të jetë të bashkuara, sepse suksesi i përbashkët varet nga suksesi i secilës grua. Prandaj ne duam që DG-ja të ketë akoma suksese, sepse ato janë për të mirën e shoqërisë”, tha Kelmendi.{gallery}dgswss{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit

Familja Sot është ditë feste, ditë gëzimi, ditë mëshire e shpërblimi, ngase të gjitha adhu…