Deklaratë Prishtinë, 29 nëntor 2012 Deklaratë e Myftiut të Kosovës me rastin e lirimit të Ramush Haradinaj nga Tribunali i Hagës Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava përshëndet vendimin e sotëm të Tribunalit të Hagës me të cilin jepet pafajësia e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij. Vendimi i sotëm i Tribunalit, edhe njëherë rikonfirmon qartë luftën e drejtë të UÇK-së, rikonfirmon vlerat sublime të luftës dhe karakterin e saj çlirimtar, si dhe rikonfirmon pastërtinë e udhëheqësve e ushtarëve të saj. Vendimi për lirimin e Ramush Haradinajt dhe shokëve të tij është i një rëndësie të veçantë së pari për UÇK-në, Kosovën, skenën politike e institucionale të saj, për ne dhe familjen Haradinaj, sepse katërciprisht nga drejtësia ndërkombëtare dëshmohet pafajësia për çlirimtarët tanë. Me këtë rast, uroj familjet Haradinaj, Barhimaj e Balaj, uroj skeptrin politik e institucional, si dhe uroj të gjithë shqiptarët për triumfimin e drejtësisë dhe kthimin faqebardhë të ish-çlirimtarëve në Kosovë. Me respekt, Myftiu i Kosovës Mr. Naim Tërnava