Prishtinë, 16.04.2015
Banorët e fshatit Bajgorë, dhe të Shalës në përgjithësi, së shpejti do të kenë mundësi të kryejnë obligimet fetare në xhaminë e re, gurëthemeli i së cilës u hodh solemnisht sot më datën 16.04.2015. Në këtë ditë të freskët pranverore, në një nga kodrat e fshatit Bajgorë nga ku paraqitej një pamje piktoreske e trevave malore të Shalës, banorët ishin mbledhur dhe me entuziazëm prisnin arritjen e delegacionit nga Kryesia e BIK, për vënien e gurthemelit të kësaj xhamie.

Jetish ef. Berisha, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, pasi që u dëshiroi mirëseardhje dhe i përshëndeti të pranishmit, shpalosi projektin e xhamisë dhe kompleksit përreth, duke dhënë një pasqyrë të qartë se si do të duket objekti në fjalë.
Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, të pranishmëve iu drejtua kryeimami Sabri ef. Bajgora, i cili u shpreh: “Të nderuar banorë të Bajgorës dhe Shalës, vërtetë po ndjehem shumë i lumtur dhe i emocionuar që sot e vumë gurthemelin e kësaj xhamie, kësaj shtëpie të Zotit në këtë vend. Ka qenë një ëndërr e jona e kamotshme, që edhe Bajgora të ketë një faltore të veten, ku besimtarët do të mund të praktikojnë besimin e tyre. Prandaj e falënderojmë Allahun xh.sh. që na mundësoi që bashkërisht të vendosim gurthemelin e kësaj xhamie. Nga ajo qe e pamë në projekt, kjo nuk është thjesht një xhami, por një kompleks i cili do të na shërbejë, juve, neve dhe gjeneratave në vijim, jo vetëm nga komuna e Mitrovicës por nga të gjitha viset e Kosovës, ashtu që edhe fëmijët kur vijnë në piknik, përveç rekreacionit, lojërave dhe dëfrimit të tyre, të njihen dhe të mësojnë edhe parimet bazë të fesë së tyre të pastër islame. Duke u nisur nga ajo që Allahu xh.sh. na thotë në Kur’anin famëlartë: “ Xhamitë (shtëpitë e Allahut), i ndërtojnë ata njerëz që besojnë bindshëm Zotin xh.sh., që besojnë bindshëm në ditën e ahiretit, që e falin namazin dhe japin zeqatin  dhe nuk ia kanë dronë kurrkujt përpos Allahut…”, unë them se vërtetë këtij vendi kurrë nuk i kanë munguar burrat e mëdhenj, njerëzit e mëdhenj, që me përkushtimin më të thellë i  shërbyen fesë dhe atdheut të tyre në çdo kohë. Duke u nisur nga parimi që çdo gjë që niset edhe përfundohet, mbesim me shpresë të madhe se bashkarisht me të gjithë dashamirët dhe njerëzit e vullnetit të mirë, shumë shpejt do ta finalizojmë këtë project, dhe me emër të Allahut ta falim edhe namazin në këtë vend të bekuar. Falënderoj edhe familjen Istrefi që kanë dhuruar këtë vend për ndërtimin e xhamisë, pastaj edhe zotëri Behramin për angazhimin e tij në përmbushjen e amanetit të të parëve të tij, si dhe të gjithë ata që janë kujdesur dhe sadopak janë interesuar për këtë xhami”.
Mulla Asllan Murati, imam veteran në Këshillin e BI në Mitrovicë, paraqiti edhe disa të dhëna rreth fshatit: “Të nderuar të pranishëm, ky vend ka pasë shumë nevojë për xhami, sepse Bajgora konsiderohet fshati më  madh në rajonin e Shalës. Shala i ka 33 fshatra, me gjithsej 3 xhami, një në Vllahi, një në Bare dhe në fund një në Dedi, e cila gjatë lugftës së fundit është djegur së bashku me tërë fshatin. Fshatit më të madh të kësaj ane i ka munguar një objekt fetar për t’i ngritur vlerat dhe moralin islam. Sot ne krenohemi me këtë vepër, duke shpresuar në premtimin e Profetit tonë i cili thotë:”ai njeri që e ndërton një xhami për hatër të Zotit, Allahu do t’ia ndërtojë atij një shtëpi në xhenet”.
Në emër të banorëve të fshatit Bajgorë, z. Behram Istrefi – përfaqësues, tha: “Në emër të Shalës së Bajgorës, e përshëndesim ngrohtësisht kryeimamin Sabri Bajgora me bashkëpunëtorë, në këtë vend ku gjyshi ynë, Hajzeri i Halitit, ka tentuar dy herë ndërtimin e xhamisë, dhe në të dyja herët objektit të dedikuar për xhami, i është ndërruar destinimi. Njëherë është shndërruar në mejtep, e më vonë pas vitit 1945 në shkollë. Tani jam tepër i lumtur që amaneti i gjyshit po shkon në vend dhe po jetësohet”.
Parcela tokësore e ndarë për realizimin e projektit të kësaj xhamie u dhurua nga familja Istrefi, gjegjësisht nga Musli dhe Hajzer Istrefi.
Në shoqërim të kryeimamit Bajgora ishte Ahmet Sadriu, drejtor për veprimtari botuese në BIK, dhe Fatmir Iljazi, ndihmës kryeimam.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…