Prishtinë, më 3 qershor 2022
750 pako ushqimore janë shpërndarë nga Shoqata Humanitare “Bereqeti” në Mitrovicë.
Mbi 1 mijë e 800 pako ushqimore janë të dedikuara për këto komuna dhe Mitrovicën e Jugut në kuadër të projektit për ringjallje ekonomike. Ky aksion i “Bereqetit” vjen në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, ku synohet të shpërndahen afër tetë mijë pako ushqimore për rastet sociale në gjithë territorin e Kosovës.
Nënkryetarja e komunës së Mitrovicës Veriore, Adrijana Hoxhiq, u shpreh falënderuese për këtë iniciativë ku po ndihmohen banorët e kësaj pjesë të cilët jetojnë në kushte jo të favorshme ekonomike.
“Në emër të gjithë shfrytëzuesve të cilët jetojnë në komunë veriore të Mitrovicës dua të falënderoj para së gjithash Shoqatën Humanitare “Bereqeti”, e cila ka rënë në kontakt me zyrën për bashkësi dhe kthim. Mendoj se në kohën më të shkurtë të mundur në bashkëpunim me qendrën për punë dhe çështje sociale kemi përgatitur listën e atyre të cilët deri tani nuk kanë përfituar ndihma të këtij lloji. Sa jemi të njoftuar shpërndarja e këtyre pakove ka filluar, ndërsa shpresoj se me aktivitete të ngjashme do të vazhdojmë edhe në të ardhmen, meqë në këto kohë të vështira ekonomike jo vetëm në Mitrovicë, Kosovë dhe më gjerë kjo formë e mbështetjes është e rëndësishme”, tha ajo.
Cena Balaj, koordinatori i “Bereqetit” për Mitrovicë, thotë se përmes këtij projekti po synohen të ndihmohen nevojtarët në zonat më të thella të kësaj pjese.
“Janë raste sociale ku janë përfshi të gjithë komunitetet, shqiptar, serb dhe goran. Nuk e kemi nda askënd dhe jemi të lumtur që kemi kontribuar në këtë pjesë, ndërsa në javën tjetër do t’i shpërndajmë edhe pako të tjera në kuadër të këtij projekti ku do të bashkëpunojmë me Drejtorinë për Mirëqenie Sociale në Mitrovicë të Jugut”, tha Balaj.
Drejtori i kësaj shoqate, Behxhet Ajvazi, thotë se deri më tani çdo gjë është duke shkuar sipas planit dhe se deri në fund të këtij muaji pritet të shpërndahen të gjitha pakot në 14 komuna.
Ky projekt është duke u realizuar në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës si dhe me drejtoritë për mirëqenie sociale në nivele komunale për identifikimin e rasteve sociale.