Prishtinë, 08 nëntor 2018

Unioni i Komunave të Turqisë, sot përmes një donacioni ka dhuruar për Bashkësisë Islame të Kosovës dy makina, të cilat do të shërbejnë për kryerjen e shërbimeve mortore. Në këtë ceremoni të pranim dorëzimit të çelësave të këtyre makinave, e cila u mbajt në oborrin e xhamisë “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë, morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ambasadorja e Turqisë në Kosovë, znj. Kivilicim Kilic, zëvendësdrejtori gjeneral i Hënës së Kuqe të Turqisë, z. Ismail Haki Turu, sekretari i Unionit të Komunave të Turqisë, z. Ahmed Kazan, si dhe kryetarët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Prishtinës dhe të Gjilanit, të cilët do të jenë përfituesit e parë të këtyre makinave.

Në fjalën e tij, sekretari i Unionit të Komunave të Turqisë, z. Ahmed Kazan, tha se ndjehet i kënaqur që sot gjendet në mesin tonë. “Unë ua përcjell përshëndetjet më të sinqerta të kryetarit të Unionit të Komunave të Turqisë. Ne kemi respekt dhe dashuri për gjithë Ballkanin, por Kosova përbënë një rast më unik dhe më të veçantë, ngase dashuria për popullin e Kosovës është më e madhe dhe më e posaçme. Shteti ynë ka një bashkëpunim të mirë me shtetin e Kosovës, por dëshira e madhe është që ky bashkëpunim të shtohet edhe më, në të mirë të dy vendeve”, tha mes tjerash z. Kazan.

Zëvendësdrejtori gjeneral i Hënës së Kuqe, z. Ismail Haki Turu, tha se me këto makina ne sollëm edhe shpirtin tonë së bashku. “Si anëtar i Kuvendit Komunal dhe si anëtar i Hënës së Kuqe, gjithmonë jam ndier i kënaqur kur kam punuar për popullin e Kosovës, porse ardhja ime në Kosovë, me jep një kënaqësi më të veçantë. Edhe pse jemi dy vende larg njëra-tjetrës, afërsia mes dy vendeve ekziston”, tha ndër të tjerash Ismail Haki Turu.

Para të pranishmëve me një fjalë rasti u paraqit edhe ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, znj. Kivilicim Kiliç, e cila shprehu falënderimet e veçanta për të gjithë ata të cilët kanë kontribuar në këtë projekt. Ajo ndër të tjerash përmendi faktin se “Ky projekt dëshmon afërsinë e bashkëpunimit me njëri-tjetrin. Pra nuk është vetëm me fjalë, por edhe me vepër. Turqia gjithmonë ka qenë afër popullit të Kosovës dhe me kënaqësi themi se bashkëpunimi dhe ndihma dhënë Kosovës do të vazhdojë edhe me tutje.”

Ndërkaq, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, falënderoi në emrin e tij personal, në emrin e BIRK-ut, si dhe në emrin e gjithë besimtarëve të Kosovës popullin vëlla turk për ndihmën që ka dhënë në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova. “Të kthehemi në retrospektivë, para 550 vjetëve, e të kujtojmë në mendjet tona stërgjyshërit, të cilët e ndërtuan këtë xhami, që ne jemi sot në të, e të kujtojmë se përmes djersës së punës së tyre, ata lidhën një hallkë të fortë, e cila nuk do të shkëputet deri në kiamet. Faleminderit Unionit të Komunave! Zoti ua dhashë të gjitha të mirat! Zoti na bashkoftë edhe më shumë mes vete!”, përfundoi fjalën e tij Myftiu Tërnava.

Në fund u bë edhe pranim dorëzimi i çelësave të këtyre veturave, të cilat nuk do të jenë të fundit në vazhdën e këtij aktiviteti.

Gallery Wordpress
Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt ligjëratë kushtuar dijetarit, prijësit dhe udhërrëfyesit Vehbi ef. Dibra nga Besnik Mustafaj

Prishtinë, më 25 prill 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka organizuar sot ligjë…