Prishtinë, 23 janar 2014
Me qëllim të ruajtjes dhe vazhdimit të frymës së bashkëpunimit të shkëlqyer në mes të dy Bashkësive fetare të Kosovës dhe Shqipërisë, Myftiu Tërnava, sot zhvilloi një vizitë vëllazërore dhe shumë miqësore në Tiranë.
Në ambientet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Myftiu Tërnava u prit nga nënkryetari i KMSH, z. Klodian Shehi, kancelari Ali Zaimi dhe të tjerë. Me këtë rast, Myftiu shprehu konsideratën e Tij, për përkushtimin e thellë në punë, të udhëheqësve të këtij Komuniteti.
Më tej, Myftiu në ambasadat e tyre, takoi secilin prej ambasadorëve të Arabisë Saudite, z. Abdullah Abdulaziz Al Abdulkerim, atë të Katarit, z.Yusuf bin Hassen Al Saai, dhe ambasadorin e Kuvajtit, z. Najeeb Al Bader.
Gjatë takimit, Myftiu falenderoi nikoqirët për përkrahjen e vazhdueshme të këtyre shteteve që po i bëjnë Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, në të gjitha fushat, qofshin ato ekonomike apo sociale, duke kërkuar në të njëjtën kohë që shtetet prej nga ata vijnë, të ushtrojnë ndikimin e tyre për lobim në Konferencën Islamike dhe Ligën Arabe tek ato shtete që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë, Myftiu Tërnava, i njoftoi për aktivitetet e përgjithshme të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe rolin pozitiv të këtij institucioni në shtetndërtimin e Kosovës.
Ambasadorët u shprehën të kënaqur me vizitën e Myftiut në rezidencën e tyre, dhe shprehën fjalë miradije për kontributin dhe punën e palodhshme të Myftiut karshi qytetarëve të Kosovës në përgjithësi dhe besimtarëve në veçanti. Ata premtuan se do të vazhdojnë të përkrahin Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj në arenën ndërkombëtare.{gallery}ambsdal14{/gallery}
Në takim u diskutua për vazhdim të mëtejshëm të bashkëpunimit në nivel institucional dhe realizim të projekteve të ndryshme, me qëllim zhvillimin e infrastrukturës së Bashkësisë Islame të Kosovës.
Myftiu ftoi ambasadorët që të vizitojnë Republikën e Kosovës si të ftuar special të Bashkësisë Islame të Kosovës.
Gjatë vizitës Myftiu i Kosovës shoqërohej nga bashkëpunëtorët e tij, Besim Mehmeti dhe Fatmir Iljazi.