Ambasadori i Katarit Ali bin Hamad Al-Marri priti Myftiun Tërnava Më datën 24 shtator, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, vizitoi ambasadën e Katarit në Tiranë, ku u prit nga ambasadori Ali bin Hamad Al-Marri. Tërnava fillimisht falënderoi ambasadorin për punën dhe për kontributin e tij për rritjen e bashkëpunimit dhe për thellimin e miqësisë ndërmjet Katarit dhe Shqipërisë e Kosovës. Myftiu po ashtu e falënderoi ambasadorin për përkrahjen e shtetit të Katarit gjatë pandemisë. Gjithashtu Myftiu Tërnava e njohu nikoqirin me aktivitetin dhe me veprimtarinë e BIK-ut duke theksuar bashkëpunimin me Ministrinë e Çështjeve Fetare të Katarit. Myftiu Tërnava dhe ambasadori i Katarit Al-Marri biseduan për koordinim sa më të mirë për realizimin e projekteve të ndryshme të BIK-ut në Kosovë, si dhe u dakorduan që në të ardhmen të shtohet bashkëpunimi. Në këtë vizitë Myftiu Tërnava shoqërohej nga shefi i kabinetit, mr. Besim Mehmeti.