Në Drenovc (Malishevë) më 09 janar në pranin e Myftiut të Republikës së Kosovës Mr. Naim Tërnava me bashkëpunëtorë, përfaqësuesve të KBI-së së Malishevës si dhe banorëve të fshatit, u vu gurthemeli i xhamisë së re.
Ky gurthemel erdhi si rezultat i iniciativës së kamotshme të kryesisë së fshatit në bashkëpunim të ngushtë me KBI për ndërtimin e një xhamie e cila sado pak do të plotësonte nevojat e kryerjes së riteve dhe shërbimeve fetare, si dhe vetëdijesimit dhe ngritjes intelektuale, morale dhe fetare të besimtarëve të këtij fshati me mbi 6000 banor, i cili ende nuk kishte xhami. Myftiu Tërnava përgëzoi banorët dhe KBI e Malishevës për vënien e këtij gurthemeli dhe premtoi mbështetje të plotë për ndërtimin dhe përfundimin sa më parë të kësaj xhamie dhe se nevojat dhe kërkesat për ngritjen e xhamive të reja janë shumë të mëdha për krijimin e kushteve xhematlinjëve për të kryer obligimet fetare. Në Malishevë janë në ndërtim 3 xhami të reja, ( Dragobil, Senik dhe Goriq), dhe është rindërtuar prej fillimit xhamia e fshatit Pagarush.