Prishtinë, 13 tetor 2020
Më 12 tetor, u mbajt duaja e hatmes nga 16 nxënëse te cilat ndoqën mësimin e leximit të Kuranit në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës.
Me këtë rast, Departamenti i Gruas, dega në Prishtinë organizoi një program festiv për nder të kësaj ngjarje, e cila për shkak të pandemisë ishte më e thjeshtë.
Mësuesja Kadrije Dragusha-Ademi, duke vlerësuar arritjen e këtyre nxënëseve tha se ndjehet e lumtur që sot bashkërisht po e përmbyllim këtë hatme. Ajo po ashtu ka thënë se deri më tani janë më shumë se 1.200 nxënëse që kanë vijuar kursin e leximit të Kuranit edhe pse jo të gjitha kanë përfunduar me hatme, por shumica e tyre kanë bërë hatme dhe kanë përfituar nga mësimet që ne kemi ofruar.
Në këtë eveniment ishte edhe Vaxhie Bunjaku, përgjegjëse nga Departamenti i Gruas në Kryesinë e BIRK-ut, e cila i përgëzoi nxënëset duke iu dëshiruar atyre shëndet e suksese të mëtejme. “Leximi i Kuranit të gjallëron ty jetën, programon dhe mbi të gjitha je afër Allahut xh.sh. dhe e lidhur për litarin e Tij, por mbi të gjitha leximi i tij është edhe adhurim”- tha Bunjaku.
Edhe nxënëset shprehen të lumtura që e konkretizuan këtë hatme. Lirije Talla shprehet se fillimi ka qenë tepër i vështirë, por angazhimi dhe përkushtimi ynë nuk ka munguar dhe me lejen e Zotin sot arritëm të bëjmë hatme dhe tash po mundemi ta lexojmë fjalën e Zotit.
Ky eveniment u përmbyll me një program artistik e ilahi të realizuar nga nxënëset.
Ceremonia e hatmes në fund u kurorëzua me duanë e hatmes, kurse nxënëset u pajisen me nga një dhuratë dhe certifikatë për sukseset e arritura. Duanë e hatmes e bëri mësuesja Kadrije Dragusha-Ademi.