Prishtinë, 30 maj 2019
Në amfiteatrin e Medresesë “Alaudin” të Prishtinës, u promovua libri “Engjëlli i kohës”, i autorit Granit Sadiku, nxënës i Medresesë.
Në këtë promovim përpos familjarëve, profesorëve, nxënësve, të pranishëm qenë edhe drejtori i Diasporës në Kryesinë e BIRK-ut, Ekrem ef. Simnica dhe drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan ef. Shkodra.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, drejtori i Medresesë, Jakup ef. Çunaku, vlerësoi lart angazhimin e nxënësit Granit Sadiku, duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë e tij si drejtor, por edhe të institucionit të Medresesë “Alaudin” për përkrahjen e autorëve të rinj në fusha të ndryshme. Ai gjithashtu përmendi edhe të arriturat e tjera të Medresesë, siç ishte edhe arritja e vendit të parë në garat e recitatorëve të rinj të Komunës së Prishtinës.
Drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese në Kryesinë e BIRK-ut, Ramadan ef. Shkodra, në fjalën e tij, theksoi se ky është edhe një sukses dhe një e arritur tjetër e madhe në vazhdën e sukseseve të Medresesë “Alaudin”. “Bashkësia Islame e Kosovës, më konkretisht shtëpia botuese “Dituria Islame” do të jetë gjithmonë në mbështetje të nxënësve të këtij institucioni. Historia e Medresesë është e hershme dhe e lavdishme, dhe që nga sot në historinë e Medresesë do të hyjë edhe një e arritur tjetër, pra sukseseve të Medresesë dhe biblioteka e kësaj shkolle sot po pasurohet edhe me romanin “Engjëlli i kohës”,”- tha ndër të tjerash drejtori Shkodra.
Në cilësinë e redaktorit të këtij libri, foli profesori i gjuhës shqipe në Medresenë “Alaudin”, Besnik Jaha, i cili e cilësoi veprën si të veçantë dhe po ashtu edhe autorin si një njeri të veçantë. “Librin të cilin po e promovojmë sot dëshmon për kulturën dhe diapazonin e Granitit. Në këtë roman do ta gjeni: Sokratin, Aristotelin, Dante, Tolstoin, Qosjen, Kadarenë etj. Letërsia/arti ka rregull, ngase është imitim i rendit origjinal të krijuar nga Zoti. Sa më origjinal që të jetë shkrimtari në imitimin e tij, ai krijon letërsi origjinale, të cilën Agron Tufa do ta quante kopsht letrar. Romani “Engjëlli i kohës” është një i tillë, sepse imiton rendin, siç bëjnë edhe autorët e sipërpërmendur në veprat e tyre,”- tha ai.
Krejt në fund, për një fjalë rasti para të pranishmëve u paraqit edhe autori i këtij romani, Granit Sadiku, i cili shprehu një falënderim të veçantë për të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë dhe që e kanë përkrahur në këtë rrugëtim, duke filluar që nga familja, profesorët, e me një falënderim të veçantë iu drejtua Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe për botimin e romanit.