Prishtinë, 29 mars 2019

Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ajni ef. Sinani, zëvendëssekretari i Kryesisë, Rexhep ef. Luma, si dhe nga zv.kryeimami i Kosovës, Fatmir ef. Iljazi, morën pjesë në duanë e hatmes, e cila u mbajt në Xhaminë e Madhe në Ferizaj.

Në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Ferizajt, të pranishmit i përshëndeti kryetari i këtij Këshilli, Bujar ef. Hasani, i cili e përgëzoi dhe e uroi imamin Mustafë ef. Ahmeti për punën e palodhshme që po bën me nxënësit e kësaj xhamie.

Në emër të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, një fjalë përshëndetëse mbajti kryetari i Kuvendit të BIRK-ut, Ajni ef. Sinani, i cili solli përshëndetjet dhe përgëzimet e Myftiut Tërnava përnxënësit dhe prindërit e tyre për këtë të arritur, si dhe e uroi hoxhën Mustafë Ahmeti për punën e tij. Ai ndër të tjerash përmendi hadithin e Pejgamberit a.s., i cili ka thënë: “Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve.”

Më pas, ligjëratën kryesore e mbajti kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, i cili vlerësoi dhe çmoi lart punët dhe takimet e tilla. “Leximi i Kuranit do të jetë kurorë në botën tjetër për prindërit dhe mësuesit e këtyre nxënësve. Allahu e bëri këtë Kuran dritë dhe shpëtim për mbarë njerëzimin. Ai në një ajet kuranor thotë: “Vërtet ky Kuran udhëzon në atë rrugë që është më se e vërteta.” Të lumtë ata njerëz që në zemrat e tyre kanë mbjellë dashuri për Kuranin, ai do të jetë ndërmjetësues në ahiret për njerëzit që do të hyjnë në xhenet”, tha ndër të tjerash kryeimami Bajgora.

Ai ndër të tjerash përgëzoi prindërit, mësuesit dhe hoxhallarët tanë, të cilët arritën që të mbajnë gjallë dashurinë për fenë islame edhe në kohën kur po vuanim nga ateizmi dhe kur menduam se fesë i erdhi fundi.

“Hadithe të shumta flasin rreth vlerës dhe rëndësisë së mësimit të Kuranit përmendësh, por unë do ta veçoja një, i cili thotë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson atë të tjerëve.” Ne lusim Zotin që tubimet të tilla të bereqetshme të ketë gjithmonë në çdo kohë, ne dëshmojmë që zemrat tona pulsojnë me dashurinë për Allahun, andaj pikësynim i vetëm yni duhet të jetë arritja e kënaqësisë së Allahut. Lusim Zotin që këta fëmijë të jenë shkaktar që edhe familjet e tyre e edhe fëmijët e tyre në të ardhmen të kenë të dashur fjalën e Zotit”, përfundoi fjalën e tij kryeimami Bajgora.

Ceremonia e duasë së hatmes vazhdoi me shpërndarjen e certifikatave për nxënësit që kanë përfunduar leximin e Kuranit, e që ishin: Andi Elezi, Anita Spahiu, Elsa Terziu, Erza Kamberi, Ersan Jashari, Sara Neziri, Jetmira Thaqi dhe Fatnora Ceka. Duanë e hatmes e bëri hoxha i nderuar Adem ef. Hoxha, ndërsa në fund Këshilli i BI të Ferizajt ndau mirënjohje për imamin e kësaj xhamie Mustafë Ahmeti.

Pas përfundimit të ceremonisë së duasë së hatmes, kryeimami i Kosovës Sabri Bajgora mbajti hytben e xhumasë, në të cilën ligjëroi temën: “Ndodhia e Israsë dhe Miraxhit, obligueshmëria e faljes së namazit.”

Ai foli rreth vlerës dhe rëndësisë që ka kjo natë, duke përmendur dhuratën kryesore të kësaj nate, e që është obligueshmëria e faljes së namazit.

“Allahu ngriti Pejgamberin a.s. për një pjesë të natës nga Meka në Kuds, e pastaj nga Kudsi në pjesën e pakufishme qiellore. Kjo ngjarje erdhi pas dëshpërimeve, erdhi pas vitit të pikëllimit, kur Pejgamberit a.s. i vdiq gruaja dhe axha i tij, erdhi pas refuzimit dhe pas vuajtjeve dhe persekutimeve që ia bënë banorët e Taifit. Sot ne jetojmë në kohën e teknologjisë moderne, kur njerëzit kanë arritur që të shkelin në Hënë, andaj si ka mundësi që dikush të besoj se ky Zot të mos ketë fuqi që për një pjesë të natës të tregoi madhështinë e Tij. Pejgamberi a.s. ishte mysafir për ta qetësuar zemrën e tij, për t’i dhënë kurajë, për t’i treguar se është i përzgjedhuri për ta përcjellë mesazhin e Allahut. Nga ky vend i bekuar ne sot kemi dhuratën më të madhe, e që është namazi. Ne në namaz tregojmë përulësinë dhe nënshtrimin ndaj Zotit, aty jemi më së afërmi Allahut fuqiplotë. Namazi është një lidhje e pashkëputshme e robit me Krijuesin e tij, ndaj edhe këshilla e fundit e Pejgamberit a.s. kur po bëhej gati për të kaluar në ahiret ishte namazi, namazi, umeti im, umeti im. Lusim Zotin e Madhëruar që për hir të kësaj nate, të na i pranojë të gjitha namazet, lutjet dhe punët e mira që ne i bëjmë.”

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…