Prishtinë, 26 nëntor 2018
Medreseja e mesme “Alaudin” në Prishtinë, sot mbajti një manifestim kulturo-artistik kushtuar ditëlindjes së Muhamedit a.s., si dhe festës së 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë manifestim morën pjesë kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, me anëtarët e kabinetit të Kryesisë, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, përfaqësues nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, përfaqësuesi i Dijanetit të Turqisë në Kosovës, përfaqësues nga policia e Kosovës, hoxhallarë, nxënës të Medresesë, si dhe shumë të ftuar të tjerë. Manifestimi filloi me leximin e një pjese nga Kurani fisnik, e më pas u këndua himni kombëtar dhe ai shtetëror.
Para të pranishmëve më pas foli kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili duke folur për Pejgamberin a.s. tha se ishte ai i cili na deshi ne më shumë sesa që ne duam vetveten, ai u lut për ne më shumë sesa ne që lutemi për vetveten tonë, madje do të lutet edhe në ditën e gjykimit për të na i falur mëkatet tona. Ai nuk la pa përmendur edhe datën e rëndësishme për kombin shqiptarë, atë të 28 nëntorit, duke potencuar rolin kyç që kishte besimi në Zotin Një në atë periudhë. “Besimi kishte rolin kyç në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, rol të rëndësishëm kishte edhe në Lidhjen e Pejës, e po ashtu edhe në atë të Prizrenit. Ne gjithnjë duhet të jemi krenarë që jemi besimtarë, e që jetojmë në trojet shqiptare, vetëm të bashkuar ne mund të ecim para, nuk ka fuqi që mund të na ndajë, për faktin se e kemi vizionin e qartë, ndaj mbajmë kokën lartë duke treguar krenari që jemi myslimanë shqiptarë”, tha ndër të tjerash Myftiu Tërnava.
Më pas me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti drejtori i medresesë së mesme “Alaudin”, z. Jakup Çunaku, i cili foli për madhështinë që kishte i Dërguari i Allahut, Muhamedi a.s. dhe për rëndësinë që ka data 28 e këtij muaji, duke potencuar faktin se janë këto të dyja i japin kuptim të madh jetës sonë, se me këto ne ndërtojmë njerëzoren dhe shpirtëroren. “Po përmendi një fjalë të poetit i cili ka thënë: “Nëse kam lavdëruar Muhamedin i kam shtuar dhënë vlerë poezisë sime”. Të jesh fetar i mirë, do të thotë të jesh atdhetar i mirë”, përfundoi fjalën z. Çunaku.
Më pas ligjëratën kryesore kushtuar ditëlindjes së Muhamedit a.s. e mbajti kryeimiami i Republikës së Kosovës z. Sabri Bajgora, i cili kujtoi datën 12 Rebiul evel, duke e cilësuar këtë si një datë gjallëruese të shpirtrave dhe zemrave tona me ndjenjën e dashurisë dhe respektit të thellë që kulmon për krijesën më të dashur të Allahut, për Muhamedin a.s. “Çdo fjalë është e mangët kur shprehim madhështinë e të zgjedhurve nga Zoti. Allahu e cilësoi të Dërguarin e tij me epitetet më të bukura në Kuranin famëlartë, ishte dëshmuesi, lajmëtari, përgëzuesi e pishtari ndriçues. Aisheja r.a., duke folur për moralin e Pejgamberit a.s. tha se ishte Kurani – fjala e Allahut morali i tij. Allahu e ngriti lart Muhamedin a.s., sa që karshi emrit të tij në dyert e xhenetit e vendosi edhe emrin e Muhamedit a.s.”
Më pas ai foli rreth veprës së Muhamedit a.s., ku përmendi faktin se ishte pushtues i zemrave, jo me luftë e me armë, por me fjalët e tij ai pushtoi zemrat e të gjithëve. “Muhamedi a.s. ishte krijesa më e vlefshme që ka krijuar Allahu, është zotëria i mbarë njerëzimit, ishte vula e pejgamberëve. Kujtojmë këtu Hasan bin Thabitin, me poezinë e tij të cilën ia kushtoi Pejgamberit a.s. “Më të bukur se ty s’kanë parë kurrë sytë e mi, më të mirë nuk ka lindur nëna në këtë botë ndonjë fëmijë, ti ke ardhur në këtë botë ja Resullah pa asnjë të metë, sikur me u krijuar si me pas dashtë vetë.”
“Fjalët e tij ishin margaritar e xhevahir, ai asnjëherë nuk foli nga mendja e tij, por gjithmonë i inspiruar nga ana e Allahut xh.sh. Karshi veprës dhe madhështisë së tij u përkulën të gjithë, disa në heshtje e disa haptazi pranuan se asnjë nuk është i barabartë me të Dërguarin tonë. Qofsh i bekuar në të dy botët o Pejgamber i mëshirës. Ishe dhe do të mbetesh ideali i sjelljeve tona, burimi i frymëzimit të sakrificës, pishtari ndriçues i këtij umeti, drita e cila asnjëherë nuk do të fiket e as nuk do të venitet” tha mes tjerash kryeimami Bajgora.
Më pas manifestimi vazhdoi me programin kulturo-artistik i përgatitur nga nxënësit e Medresesë, me ilahi, monologë, recital kushtuar Muhamedit a.s. dhe festës së 28 Nëntorit.