Prishtinë, 24.09.2018
Kryesia e Bashkërisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e djeshme, të kryesuar nga Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, bazuar në kompetencat e saj, mori vendim për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe për kryetar të Kryesisë së BIK-ut -Myfti për periudhën e ardhshme pesëvjeçare (2018-2023).
Zgjedhjet për anëtarë të Kuvendit të BI-së dhe propozimet për myfti do të mbahen gjatë muajit tetor 2018. Zgjedhjet do të mbikëqyren nga Komisioni Kryesor i Zgjedhjeve që e emëroi Kryesia.
Në këtë mbledhje, Kryesia e BIK-ut, pas shqyrtimit të rezultateve të konkursit për dekan të FSI-së, emëroi edhe për një mandat prof. dr. Farush Rexhepin dekan të FSI-së.
Në këtë mbledhje, Kryesia e BIK-ut, pas shqyrtimit dhe analizimit, miratoi edhe Raportin për organizimin e Haxhit 2018 si dhe Raportin për aksionin e grumbullimit, therjes dhe shpërndarjes së mishit të kurbanëve.
Kryesia, po ashtu, konform kompetencave të saj, shqyrtoi dhe i vendosi për një sërë lëndësh të arritura në Kryesi ndërmjet dy mbledhjeve.