Prishtinë, 2 qershor 2018
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, me rastin e Natës së Madhe të Bedrit, shtroi iftar tradicional në Medresenë Alauddin në Prishtinë për strukturat drejtuese të këshillave vendorë dhe për institucionet e BIKR-ut.
Myftiu NaimTërnava, pasi i përshëndeti dhe falënderoi përfaqësuesit e këshillave për punën që bëjnë, foli edhe për përgjegjësitë që kanë në raport me besimtarët dhe institucionin e BIKR-ut, dhe njëherazi kërkoi përgjegjësi, vendosmëri dhe përkushtim në kryerjen e të gjitha detyrave në shërbim të besimtarëve dhe të vendit.
Ai më tej tha se Ramazani na aktivizon më tepër se muajt e tjerë, ngase është muaj i bereqetshëm dhe domethënës për umetin e Muhamedit a.s., udhëheqësit e tij e edhe për ne që jemi të pranishëm sonte, sepse kemi dhe mbajmë një përgjegjësi të madhe.
Ne jemi përgjegjësit kryesorë për sukseset në xhematet tona dhe për dështimet eventuale në aktivitetet tona. Ne jemi përgjegjësit që Islamit në këtë nënqiell t’i japim ngjyrën që e meriton. Unë ju porosit të gjithë që edhe më të vazhdoni të luftoni çdo gjë që është e keqe dhe të punoni për një ardhmëri sa më të mirë të Islamit në këto troje. Punoni për vendin e vatanin dhe që bashkërisht të korrim rezultate e suksese të reja, – tha Myftiu Tërnava.
Në fund, Myftiu Tërnava porositi të pranishmit që të jenë sa më afër xhematit dhe të jenë në shërbim të vazhdueshëm ndaj tyre, sepse e kemi obligim fetar dhe kombëtar.