Më 12 maj 2018, drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, qëndroi në Austri, ku xhamia shqiptare “Al-Ihlas” në Salzburg të Austrisë shënoi inaugurimin e xhamisë dhe objekteve të saj përcjellëse. Në këtë inaugurim, përveç drejtorit Simnica, merrnin pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Austrisë për Salzburg, Ahmet Yilmaz-i, kryetari i ALKIG-ut, Vahidin Behluli, si dhe shumë imamë dhe anëtarë kryesie të xhamive në Austri e Gjermani.
Po ashtu, në këtë tubim morën pjesë edhe bartës të jetës fetare islame nëpër qendra të ndryshme në mërgatë si imamë dhe udhëheqës të xhamive nga mbarë Austria dhe Gjermania.
Me fjalë përshëndetëse u paraqitën kryetari i xhamisë Minur Nuredini, i cili i përshëndeti mysafirët dhe u dëshiroi mirëseardhje, foli rreth historikut të xhamisë, që nga fillimi si ide e deri në përurim të saj, ndërsa mirëseardhje mysafirëve u dëshiroi edhe nënkryetari i xhamisë, Osman Sllamniku, si moderator ai foli edhe për monografin e xhamisë “Al-Ihlas” në Salzbug, ku ndër të tjera tha: ”Ajo që veçoi traditën, kulturën dhe mentalitetin tonë është xhamia, iniciativa për themelimin e xhamisë në Salzburg të Austrisë ka filluar më datë 01.07. 2005, deri në këtë kohë faljet mërgata jonë shqiptare i ka kryer në xhami dhe vende të ndryshme, si te turqit , arabët, boshnjakët….
Ato vite paraqesin një gjendje të rëndë për shqiptarët myslimanë në Salzburg duke e pasur në hatër se ishin të shpërndarë, por kjo nismë vuri themelet e një pune madhore, ku themeluan një vend bashkimi e nënshtrimi ndaj Krijuesit.
Fjalë rasti mbajti edhe drejtori për Diasporë Ekrem ef. Simnica, i cili, pas përshëndetjes dhe urimit në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, organeve të saj udhëheqëse, në emrin e Myftiut Tërnava dhe popullit mysliman në Kosovë, foli për rolin dhe rëndësinë e xhamive në përgjithësi e në veçanti në Diasporë, duke u shprehur: “Besojmë se kjo xhami do të refektojë vetëm sinqeritet (mbështetur në emrin e xhamisë), dritë, paqe, lumuri, ardhëmëri, besim reciprok dhe bashkjetesë të komuniteteve në mes vete. Besojmë shumë se ju udhëheqësit e kësaj xhamie, ashtu siç ditët dhe mundët ta themeloni xhaminë, do të gjeni forcë që të luftoni çdo gjë që shkon në dëm të individit, familjes e shoqërisë duke bërë dallimin se punët e liga si ekstremizmi, radikalizmi e terrorizmi nuk kanë asgjë të përbashkët me atë çka del nga mësimet e xhamive për Islamin fe, se Islami është fe që proklamon vetëm paqe”.
Ekrem efediu theksoi sidomos virtytin e shqiptarëve gjithandej në shtetet e Perëndimit, kujdesin e veçantë në shprehjen e ndjenjave të tyre fetare islame, gjë që po e dëshmojnë më së miri edhe ndërtimi dhe themelimi i këtyre qendrave-xhamive madhështore dhe funksionimi i tyre, gjithnjë duke pasur parasysh rrethanat, kohën dhe vendin ku jetojnë dhe veprojnë mërgimtarët tanë. Drejtori për Diasporë z. Ekrem Simnica ftoi vëllezërit shqiptarë që të vijojnë edhe më që, me kulturën shqiptare, me fenë, respektin dhe me të gjitha vlerat e mrekullueshme kulturore e civilizuese, të lënë përshtypje të mirë e pozitive te banorët vendës si dhe tek autoritetet e shteteve perëndimore, njëherit shprehu falënderimet e sinqerta për popullin dhe qeverinë austriake për kushtet dhe mundësinë që u ofroi komuniteteve si në aspektin fetar edhe në atë kombëtar. Duke uruar ndërtimin e themelimin e kësaj qendre, uroi që kjo qendër si dhe të gjitha xhamitë e tjera në diasporë të kultivojnë vlerat madhështore të Islamit.
“Të dashur vëllezër e motra! Besoj se inaugurimi i kësaj xhamie në Salzburg të Austrisë, është dhurata më e madhe në këtë prag të muajit të Ramazanit, shfrytëzoj nga rasti t’ua uroj të gjithë besimtarëve Islamë në mërgatë, vendlindje e në të gjitha trojet shqiptare muajin e Ramazanit, duke e lutur Zotin për një agjërim të lehtë e të pranuar tek Ai”,- theksoi drejtori Simnica.
Ekrem efendiu duke vlerësuar pjesëmarrjen në këtë inaugurim si një privilegj dhe nder, shfrytëzoi nga rasti që në emrin e BIK-ut t’i falënderonte edhe një herë për ftesën dhe t’u dhuronte një dhuratë me emblemën e BIK-ut kryetarit të nderuar të xhamisë shqiptare “Al-Ihlas” në Salzburg, z. Minur Nuredinit dhe kryesisë së Bashkësisë Islame Shqiptare në Salzburg.
Fjalë përshëndetëse e urimi mbajti edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Austrisë për Salzburg, Ahmet Yilmaz-i, kryetari i ALKIG-ut, Vahidin Behluli, si dhe imami i nderuar i Linzit Menderez ef. Alili, i cili foli për rolin e xhamisë në diasporë. Fjalë përshëndetëse e urime dhanë edhe imami i xhamisë së Radstatit mr. Berat Jusufi dhe imami aktual z. Selim Zeqiri etj.
Ky manifestim u përmbyll me një program kulturo-fetar, u përcoll me recitime të pjesëve kuranore si dhe me këndim të ilahive nga kori i nxënësve të xhamisë “Al-Ihlas”. Lexuesi i Kuranit, Rijad Jonuzi, nga Shkupi, ishte i ftuar enkas për lexim të pjesëve nga Kurani për ta bërë edhe ma të begatë këtë manifestim. Manifestimi u përmbyll me lexim të një pjese Kurani nga h. Shaban Fetahu, xhemat i kësaj xhamie dhe me duanë e bërë nga imami i xhamisë z. Selim Zeqiri.
Të dielën, më 13 maj 2018, drejtori për Diasporë në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem ef. Simnica, në namazin e drekës vizitoi Bashkësinë Islame Shqiptare “Dituria” në Radstat të Austrisë. Fillimisht ai falënderoi imamin e xhamisë mr. Berat Jakupin, kryetarin e xhamisë z.Agron Rexhepin, si dhe kryesinë dhe xhematin për mikpritjen e ngrohtë që i bënë. Ai me këtë rast para të pranishmëve pas namazit të drekës mbajti një ligjëratë dhe bëri një prezantim, raportoi për të arriturat që ka shënuar Bashkësia Islame e Kosovës si dhe i njohu me sfidat me të cilat po përballet, i njohu gjithashtu edhe me mbarëvajtjen e punën në përgjithësi, si në M.M.”Alaudin” ashtu edhe në Fakultetin e Studimeve Islame, si dhe në Institutin e Hivzit dhe me mbarëvajtjen e aktiviteteve në BIK në përgjithësi. Ekrem efendiu duke vlerësuar këtë vizitë një privilegj dhe nder, shfrytëzoi nga rasti që në emrin e BIK-ut të falënderonte për kontributin, për punën e palodhshme dhe për bashkëpunimin me vendlindjen dhe me BIK-un në veçanti. Ekrem efendiu i siguroi të pranishmit për gatishmërinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për bashkëpunim me të gjitha qendrat shqiptare në mërgatë.