Prishtinë, 14 mars 2017
Sekretari i përgjithshëm Ligës së Botës Islame dr. Muhamed bin Abdulkerim Al Isa në vizitën e ditës së katërt të tij në Kosovë si mysafir i bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës mbajti një ligjëratë para studentëve të fakultetit të Studimeve islame në Prishtinë. Dekani i këtij fakulteti prof. dr. Fahrush Rexhepi duke i dëshiruar mirëseardhje Muhamed bin Abdulkerim el Isa, myftiut Naim ef. Tërnava dhe delegacioni përcjellës paraqiti një histori të shkurtër të Fakultetit dhe veçoi se dr. Al Isa vazhdimisht predikon vlerat të larta të thirrjes islame si respekti e toleranca dhe bashkëjetesa mes njerëzve nëpër të gjithë botën dhe është një lobues i fuqishëm për njohjen e shtetit tonën si dhe integrimin e Kosovës në mekanizma rajonal dhe ndërkombëtarë
dr. Muhamed bin Abdulkerim Al Isa në ligjëratën e tij para studentëve të Fakultetit të Studimeve Islame i inkurajoi edhe më të vazhdojnë të studiojnë shkencat islame që nesër si kuadro të shërbejnë me përgjegjësi popullit dhe komunitetit ku jetojnë. Ai më pas u ndal tek rëndësia e diturisë dhe vlera e saj që ka në islam duke veçuar se feja islame e lartëson vlerën e lapsit, e çmon vlerën e diturisë dhe i shpall luftë analfabetizmit. Për këtë Zoti në Kuran ngriti aq lartë gradat e dijetarëve, saqë i bashkëngjiti me Veten e Tij dhe melekët në dëshmimin e Njëshmërisë së Tij dhe konfirmimin e drejtësisë së Tij: “Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dëshmuan edhe engjëjt e dijetarët, dhe se Ai është zbatues i drejtë-sisë. Nuk ka zot, përveç Tij, Fuqiplotit e të Urtit. (Ali Imran, 18).
Ai më tutje tha se studenti nuk duhet t’i mësoj vetëm tekstet përmendësh por duhet thelluar edhe më tutje duke kuptuar edhe qëllimin e teksteve të islamit-sheriatit (mekasidu esheria). Ai kujtoi poashtu se ekstremizmi nuk ka të bëjë aspak me fenë islame dhe shohim se ka një moskuptim të islamit nga disa shtete por me komunikim dhe dialog gjithsesi se gjejmë rrugën e tolerancës, dialogut e respektit të ndërsjellë sepse bota si asnjë herë më parë ka nevojë për paqe dhe jetë të dinjitetshme. Ai këshilloi poashtu që muslimanët nuk kanë pasur kurrë nevojë për mendime, fanatizëm dhe interpretime ekstreme të teksteve fetare. Islami na porosit neve që gjithmonë të kemi respekt ndaj mendimit ndryshe sepse Allahu na ka krijuar neve të ndryshëm. Ai poashtu vlerësoi kontributin e BIRK-së dhe myftiut Naim ef, Tërnavës që po bën në të mirë të qytetarëve të vendit dhe zhvillimin e jetësimin e jetës fetare në Kosovë dhe porositi studentët që administratës së BIRK-së t’i japin një rëndësi të veçantë dhe Fakulteti dhe BIRK të jenë referenca juaj.
“Islami gjithnjë na porositë të jemi të butë, sinqertë, moralshëm urtë e modest me të gjithë. Mos të nxitojmë të nxjerrim gjykime dhe bëjmë paragjykime. Mos akuzoni mendimin e tjetrit. Kini mendim të mirë edhe ndaj të tjerëve sepse të gjithë dëshirojmë të arrijmë tek e vërteta”-tha Al Isa.
Ai ka vlerësuar dhe çmuar edhe kontributin e shqiptarëve në rrafshin e shkencës qoftë në Lindje apo Perëndim duke cilësuar popullin shqiptarë si popull i madh, model i tolerancë e mirëkuptimit e bashkëjetesës. “Populli mysliman shqiptar nga Kosova është një popull i civilizuar, i cili ka dëshmuar se e ka praktikuar fenë në mënyrë moderne dhe tolerante. Shqiptarët e Kosovës kanë dëshmuar se si përjetohet islami modern në qendër të Evropës. Populli shqiptar mysliman ka dhënë një shembull të mirë të bashkëjetesës dhe shembull të mirë të tolerancës ndër popujve dhe të feve”, ka theksuar Muhamed Bin Abdul Kerim el Isa.
Në fund Sekretari i përgjithshëm Ligës së Botës Islame dr. Muhamed bin Abdulkerim Al Isa iu përgjigj disa pyetjeve të drejtuar nga studentët rreth ligjëratës në fjalë.