Nën organizimin e Departamentit të Gruas të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe World Hijab Day Kosova, të mërkurën me 1 shkurt, u mbajt konferenca e 5-të kushtuar mbulesës.

Në këtë organizim u bë thirrje për të drejtat e grave në përgjithësi, e atyre myslimane në veçanti për ta manifestuar fenë e tyre lirshëm pa paragjykime e stigmatizim, ashtu siç atë ua garantojnë ligjet në fuqi.

Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti, tha se Bashkësia Islame e Kosovës do ngre zërin gjithmonë kur gratë e vajzat me mbulesë diskriminohen e stigmatizohen në shoqëri.

“Ne kemi ngritur dhe do të ngremë zërin kundër vendimeve, ligjeve, akteve dhe të gjitha veprimeve që diskriminojnë, injorojnë apo stigmatizojnë një grua që ka vendosur të plotësoj fetarinë e saj dhe të konfirmojnë identitetin e saj me hixhab, si dhe mbështesim çdo grua që shprehë përkushtimin e saj ndaj Zotit duke bartur hixhabin” u shpreh mes të tjerash Sahiti.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha se ende duhet të punohet për ngritjen e vetëdijes për sa i përket mbulesës.

“Mendoj që kemi ende punë për të bërë në shoqërinë tonë sa i përket ngritjes së vetëdijes te çështja e mbulesës. Kjo natyrisht që mbetet obligim edhe i yni si persona që jemi në pozita të caktuara dhe që mund të punojmë, të sigurohemi që në shoqërinë tonë të ketë barazi”, tha ajo.

Zëvendëskryeministrja, Emilia Rexhepi, ofroi mbështetjen e plotë dhe bashkëpunimin e saj në arritjen e përmbushjes së të drejtave të grave me mbulesë.

“Jam sot këtu për t’ju përcjellë formën më të sinqertë të mbështetjes dhe bashkëpunimit në përmbushjen e çdo forme të të drejtave tuaja të garantuara nga kushtetuta e vendit tonë dhe ligji për lirinë e fesë. Të jeni të sigurta, që unë do të jem gjithmonë me ju dhe askush nuk ka të drejtë, absolutisht askush të ju diskriminojë sepse jeni tonat, bashkëqytetare të barabarta me të gjithë qytetarët e Republikës sonë”.

Gratë dhe vajzat me mbulesë në Kosovë po tregojnë profesionalizëm në secilën fushë ku veprojnë, ndonëse një numër i tyre ende po përballen me paragjykime, e mohim të të drejtave për punësim. Kështu theksuan organizatoret e kësaj konference.

“Fatmirësisht, sot, shumë grave po iu jepet mundësia të ushtrojnë profesionin e tyre pavarësisht mbulesës, por në anën tjetër, në legjislacionin e Kosovës, ekziston një udhëzim administrativ në të cilin ndalohet bartja e mbulesës për nxënëset e ciklit të ulët dhe të lartë në sistemin publik të arsimit në Kosovë, e i cili merret për referencë edhe në fushat e tjera të organizimit të jetës publike. Ne si Bashkësi Islame dhe Departament i Gruas, i cili është përgjegjës për organizimin e jetës fetare në Kosovë iu kemi ofruar mundësi punësimi një numri të madh të grave e vajzave brenda institucioneve të Bashkësisë Islame të Kosovës, e të cilat me zell dhe profesionalizëm të dëshmuar po japin kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin e brezave fetar”, tha udhëheqësja e Departamentit të Gruas së BIK-ut, Vaxhide Bunjaku.

“Gratë myslimane me hixhab shpesh stigmatizohen, ato konsiderohen të shtypura nga njëra anë dhe si fanatike fetare nga ana tjetër. Për shkak të keqkuptimeve të tilla, për fat të keq, shoqëria më e madhe nuk arrin të pranojë dhe vlerësojë guximin e grave myslimane për t’iu kundërvë normave shoqërore në vendosmërinë e tyre për të ruajtur privatësinë e tyre. Si rezultat i këtyre keqkuptimeve, gratë myslimane diskriminohen në vendin e punës, ndërsa të tjera abuzohen emocionalisht nëpërmjet vërejtjeve”, u shpreh ambasadorja e World Hijab Day Kosovo, Valbone Bytyqi.

Në këtë konferencë, po ashtu u diskutua për të drejtat e grave sipas ligjit të Kosovës e Kartës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Për nder të Ditës Botërore të Mbulesës, autorja Marigona Krasniqi ka dhuruar për të pranishmit romanin e saj “Zëri i mbytur i gruas”.

Pjesë e kësaj konference ishin përfaqësues nga Qeveria e Kuvendi, siguria e policia, e mysafirë nga Shqipëria e Shkupi, si dhe personalitete nga fusha të ndryshme.

Që nga viti 2013, 1 shkurti festohet si Dita Botërore e Mbulesës në rreth 125 vende të botës.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U vu gurthemeli i xhamisë së re në fshatin Shkabaj të Obiliqit

Prishtinë, më 22 nëntor 2024 Me këndim të tekbireve, sot, pas namazit të xhumasë, u vu gur…