Prishtinë, më 29 dhjetor 2022


Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajti mbledhjen e rregullt, të cilën e kryesoi kryetari i Kuvendit të BIK-ut, dr. Ajni Sinani. Mbledhja filloi me leximin e një pjese nga Kurani, të cilën e lexoi anëtari, Shaban ef. Haxhiu. Më pas, kryetari i Kuvendit, dr. Ajni Sinani, iu shprehu mirëseardhje anëtarëve të Kuvendit, duke i falënderuar ata për punën dhe angazhimin e tyre. 

Kuvendarëve në këtë mbledhje me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili fillimisht e luti Zotin për shëndet e mirëqenie për të gjithë, e më pas, ai falënderoi të gjithë nëpunësit e BIK-ut anekënd Kosovës, të cilët janë duke dhënë një kontribut në mbarëvajtjen e jetës fetaro-arsimore. Ai kërkoi edhe njëherë unitet dhe bashkëpunim ndërmjet këshillave të BI-së dhe imamëve. Myftiu Tërnava vlerësoi lart kontributin e kuvendarëve dhe njëherazi kërkoi nga ta që edhe më tutje të japin kontributin e tyre për avancimin dhe shtyrjen e proceseve përpara, kështu që amanetin që e kemi mbi supet tona ta çojmë në vend. Ai tha se duhet ta ngremë përgjegjësinë që kemi para Zotit për jetën fetare dhe të gjitha dobësitë që i kemi, duhet t’i eliminojmë. “Gjendja është shumë më e mirë se ç’ka qenë dhe kjo na gëzon të gjithëve, por kemi shumë detyra dhe punë para vetës. Një punë të shkëlqyer janë duke zhvilluar edhe mualimet anekënd Kosovës, të cilat po bëjnë një aktivitet të mrekullueshëm në terren” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava. 

Ai duke folur për aktivitetet e BIK-ut, tha se BIK-u është lider në organizimin e konferencave dhe sesioneve shkencore, por edhe në botë po përfaqësohemi mirë dhe vazhdojmë edhe më tej të kemi raporte shumë të mira me faktorin ndërkombëtar. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë ekstremizmin, fundamentalizmin, indoktrinimin dhe dukuritë e tjera negative për shoqërinë. Këto mesazhe ju duhet t’i përcillni nëpër këshillat tuaj në komuna, sepse është obligim fetar që të luftohet e keqja.” Ai nuk la pa përmendur edhe xhematin, i cili vazhdimisht ka përkrahur dhe mbështetur BIK-un dhe është shumë dorëdhënë. 

Një falënderim të veçantë Myftiu Tërnava ka bërë për kuvendet komunale, qeverinë qendrore dhe institucionet e tjera, duke e cilësuar si shumë të veçantë bashkëpunimin dhe respektin që kanë me to, kjo ngase ne jemi institucion i besueshëm dhe nga ne kërkohet që t’i zhvillojmë edhe më shumë këto marrëdhënie bashkëpunimi mes organeve komunale dhe qeverisë sonë për të mirën e qytetarëve dhe xhematit tonë. 

Myftiu Tërnava njoftoi kuvendarët që kanë përfunduar shumë projekte infrastrukturore, e disa të tjera janë ende në fazën finale të realizimit, e me këto lehtësohet edhe më shumë jeta dhe aktivitetet fetare. “Falënderojmë Zotin që punët janë duke ecur mbarë e mirë. Ne shprehim falënderime edhe për donatorët, të cilët vazhdimisht nuk ngurrojnë që të na ndihmojnë me projekte në të mirë të qytetarëve tanë. BIK-u do të vazhdojë në ngritjen infrastrukturore të këshillave të BIK-ut edhe në të ardhmen. Punët janë duke shkuar jashtëzakonisht mirë në procesin arsimor, si në Medrese, FSI, institutet e hivzit.” – u shpreh Myftiu Tërnava. 

Theks të veçantë në këtë fjalim, Myftiu Tërnava, i kushtoi edhe aktivitetit të Shoqatës Humanitare “Bereqeti”, e cila tanimë është numër një në Kosovë për aktivitetet e saj humanitare në vend, rajon, por edhe në kontinentet e tjera. Ai falënderoi donatorët, të cilët ofrojnë nga pasuria e tyre dhe ia besojnë shoqatës “Bereqeti” që kjo ndihmë të shkojë drejt e në dorën e sigurt te nevojtarët. “Vetëm këtë vit janë ndihmuar mbi 50 mijë familje dhe së shpejti do të vihet në përdorim edhe depoja e Bereqetit dhe zyrat e saj.”

Mbledhja më pas vazhdoi me pikat e rendit të ditës, e që ndër to ishte edhe shqyrtimi dhe miratimi i projektbuxhetit të Kryesisë së BI-së të Kosovës për vitin 2023, ku para kuvendarëve raportin financiar e paraqiti drejtori për Buxhet dhe Financa, Tanseli Rogova, shqyrtimin e lëndëve dhe marrjen e vendimeve nga kompetenca e Kuvendit, si dhe të ndryshme etj.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…