Një delegacion i lartë i Kryesisë së BI-së së Kosovës po qëndron për vizitë pune në Konja të Turqisë, ku kanë realizuar një sërë takimesh me institucionet udhëheqëse, akademike e arsimore të Konjës.
Kështu sot, kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, është pritur nga kryetari i Konjës, Ugur Ibrahim Altay.
Kryetari i Konjës Altay, pasi i shprehu mirëseardhje, e njohu kryeimamin Sahiti me një sërë projektesh kulturore të realizuara ne vendet ballkanike dhe tregoi gatishmërinë të bashkëpunojnë në ta ardhmen me BI të Kosovës në kulturë arsim dhe projekte për rini.
Ndërsa kryeimami Sahiti, falënderoi kryetarin e Konjës për pritjen dhe i shprehu falënderimet e BI-së së Kosovës për mbështetjen që japin universitetet dhe shkollat e mesme të Konjës për studentët dhe nxënësit nga Kosova.
Po ashtu gjatë qëndrimin në Konja, kryeimami Sahiti është pritur edhe nga myftiu i Konjës, Ali ef. Öğe. Myftiu i Konjës Öğe, shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e kryeimamit dhe shoqëruesve të tij në Myftininë e Konjës. Më tutje myftiu u shpreh se kontakte dhe vizitat e ndërsjella janë në funksion të bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet dy institucioneve.
Kryeimami Sahiti falënderoi myftiun e Konjës për kujdesin që ka treguar Dijaneti në përgjithësi, e Myftinia e Konjës në veçanti, për nxënësit dhe studentët që mësojnë e studiojnë në Konja. Kryeimami Sahiti e ftoi myftiun e Konjës për vizitë në BI të Kosovës me qëllim të thellimit të bashkëpunimit përmes shkëmbimit të përvojave ndërinstitucionale.
Në Konja, kryeimami Sahiti takoi edhe rektorin e universitetit “Nexhmedin Erbakan”, Cem Zorlu, dekanin e fakultetit të Studimeve Islame në këtë universitet prof. dr. Fikret Karapinar, pastaj rektorin e universitetit “KTO Karatay”, prof. dr. Fevzi Rifat Ortaç, si dhe rektorin e Universitetit “Selxhuk”, prof. dr. Metin Aksoy, si dhe dekanin e Fakultetit të Studimeve Islame të këtij universiteti, prof. dr. Ramazan Altintash.
Në Konja, kryeimami Sahiti, vizitoi edhe qendrën e studimeve të specializuara fetare të Konjes, ku u prit nga drejtori Huseyin Akinci, më pas shkollën e mesme internacionale “Mevlana”, si dhe shkollën e hifzit “Mustafa Büyükkaplan”.
Delegacioni i BI-së së Kosovës vizitoi edhe muzeun e qytetin të Konjas, dhe takoi disa nga studentët kosovarë që studiojnë në Konja.
Kryeimami Sahiti në takime shoqërohej nga dekani i FSI-së Islam Hasani, drejtori për Kulturë e Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, zyrtari për botime, Nuhi Simnica dhe Besir Neziri nga kabineti i Myftiut.