Prishtinë, 1 nëntor 2016
“Ju roj të gjithëve ditën e shkollës dhe 65 vjetorin e themelimit të Medresesë Alauddin. Këtë moto, “65 vjet edukim dhe arsimim për fe e atdhe”, Medreseja e ka pasur në të kaluarën e ka edhe në të tashmen, dhe do ta këtë edhe në të ardhmen. Kjo ngase për këtë u përpoqën të gjithë ata që ishin para nesh, gjyshërit tanë, baballarët tanë, hoxhallarët tanë, prej të cilëve mësuam dhe përfituam shumë.
Sot, kur unë e shoh këtë arritje dhe këtë kuadër, jam i bindur se e ardhmja do të jetë e sigurt, andaj ju përgëzoj për punën dhe angazhimin që po bëni. Medreseja vërtet kaloi nëpër sfida të shumta, por asnjëherë nuk u dorëzua, edhe aëherë kur të pamundshme e bëri të mundshme. Por, atëherë kur ishin mbyllur të gjitha dritaret dhe dyert për t’i folur masës, Medreseja gjeti dritaren prej nga dëgjohej zëri, pra se nga të udhëzohej popullata mbarë. Medreseja ishte vendi ku parakaluan kokat më të ngritura e të ditura të kombit tonë. Në Medrese, gjatë viteve të 90-ta u mbajtën mbi 1,230 tubime politike, arsimore dhe kulturore”, tha myftiu Naim ef. Tërnava me rastin e shënimit të ditës së Medresesë, më 1 nëntor 2016.
Në këtë manifestim morën pjesë udhëheqësit e Bashkësisë Islame të Kosovës, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, nga ambasada turke, profesorë, nxënës dhe mysafirë tjerë nga jeta politike, kulturore dhe arsimore.
Zëvendësministresha e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Anila Statovci-Demaj, duke përshëndetur këtë tubim, tha se Medreseja “Alauddin”, ka luajtur një rol shumëdimensional, dhe vlerësoi lart kontributin e Medresesë në të gjitha etapat. Ajo u zotua se MASHT-i do të vazhdojë të ofrojë ndihmën dhe bashkëpunimin e vet për të gjitha shkollat pa dallim, duke përfshirë edhe këtë shkollë.
“Shpreh gëzimin e madh që kam të shoh suksesin e kësaj shkolle. Ne përgëzojmë një shkollë si medreseja, e cila ka mbajtur frontin bindshëm në ruajtjen e vlerave të identitetit tonë kombëtar, vlerave tradicionale si shoqëri, dhe për këtë duhet përshëndetur dhe falënderuar të gjithë veprimtarët e asaj kohe. Ndërsa ju e dëshmuat se çdo gjë është e mundshme. Ju duhet të angazhoheni që t’i ruani këto vlera, që në masë të madhe janë duke u rrënuar”, tha zv/ministrja Statovci-Demaj.
Drejtori i Medresesë “Alauddin”. Jakup ef. Çunaku, foli për rolin e kësaj shkolle përgjatë viteve 89-99, duke potencuar se përveç rolit në fushën e arsimit, Medreseja shumëfishoi rolin e saj duke u vënë 100% në shërbim të popullit dhe kauzës sonë për liri dhe pavarësi. Nëntori është muaji kur kanë ndodhur shumë ngjarje që kanë ndryshuar rrjedhën e fatit të popullit tonë. Ka shumë çfarë të thuhet për rolin e Medresesë përgjatë këtyre viteve. Ajo sot ka zënë vendin meritor në mesin e simostrave të veta në fushën e arsimit në tërë Kosovën dhe albanosferën. Nga kjo shkollë gjithnjë kanë dalë kuadro të mira, të edukuara drejt në frymën e Islamit të mirëfilltë, duke mësuar se si duhet respektuar dhe dashur njeriu, familja, dhe sa dhe në ç’mënyrë duhet të sakrifikojmë për atdheun tonë. Premtoj se do ta çojmë përpara amanetin e të parëve tanë, që të kemi një shtet të fortë me shoqëri të shëndoshë, dhe do të qëndrojmë të bashkuar rreth vlerave fetare e kombëtare”, tha drejtori i Medresesë Jakup ef. Çunaku.
Medreseja ishte vendi ku parakaluan kokat më të ngritura e të ditura të kombit tonë, të cilët mundësuan ruajtjen e vlerave të identitetit tonë kombëtar dhe fetar. Në fund, nga nxënësit e kësaj shkolle u shfaq një program i pasur kulturor-artistik. {gallery}med65vjetori{/gallery}