Prishtinë, më 28 tetor 2022
Sot, në të gjitha xhamitë e komunës së Prishtinës, pjesa e dytë e hytbesë së xhumasë iu kushtua ndërgjegjësimit dhe vetëdijësimit për rrezikun e kancerit të gjirit.
Ky sensibilizim erdhi pas iniciativës së dr. Izet Sadikut, drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, pas takimit që mbajti me Myftiun e Kosovës, Naim ef. Tërnavën.
Vlen të përmendet se ligjëratat vetëdijësuese me gjininë femërore janë duke u mbajtur anekënd Kosovës, të udhëhequra nga mualimet e Departamentit të Gruas së BIK-ut. Ligjëratat e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme në Prishtinë dhe në komuna të tjera.
“Përkushtimi i fesë islame për shëndetin është i madh. Feja kur flet për shëndetin, flet si për një mirësi dhe dhunti parësore në jetën e njeriut. Në një prej thënieve të Pejgamberit Muhammed a.s., qëndron: “Njerëzit nuk ua dinë vlerën dy mirësive: shëndetit dhe kohës së lirë.”
Madje, shëndetin e ka radhitur si mirësinë kryesore në një rast kur radhit atë që quhet e tërë bota e njeriut: “Kush gdhin/zgjohet në mëngjes ndërsa e ka shëndetin, sigurinë familjare dhe ushqimin për atë ditë, është sikur ta ketë tërë botën.” “Parandalimi është më i mirë se mjekimi!” –është moto të cilën feja e ka ngritur qysh moti dhe e ka promovuar në metodologjinë e saj” – thuhej ndër të tjera në këtë hytbe.